Për më tej, zemërimi është një grimë e ngulur në zemrën e njeriut. Së këndejmi, në gjendje zemërimi është shumë vështirë të kontrollohet vetvetja. E në rastin kur njeriu zemërohet së tepërmi, ai humb vetëkontrollin dhe ndonjëherë bën krime të mëdha, madje edhe vrasje e mbytje, me qëllim për ta shuar atë etje për hakmarrje. Sido që të jetë, Islami i ndëshkon të gjitha këto lloje a forma zemërimi. Sipas Pejgamberit, alejhi selam, zemërimi e prish fenë, siç e prish aloeja (mjet purgativ [sh.p.]) mjaltin. Përndryshe, i fuqishëm nuk është ai që e mund tjetrin, porse ai që e kontrollon zemërimin e vet. Kur'ani Famëlartë i çmon shumë ata që e kontrollojnë zemërimin e vet dhe që falin.
Argumente nga Kur'ani
1) "Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit!" (Kur'an, 3: 134).
2) "Çka u është dhënë nga ndonjë send, ajo është kënaqësi në këtë botë, e ajo që është te Allahu është shumë më e mirë dhe e përjetshme, por për ata që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten. Dhe ata që u shmangen mëkateve të mëdha e të shëmtuara, dhe kur hidhërohen, ata falin!" (Kur'an, 42: 36-37).
Argumente nga Sunneti
1. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Nëse një njeri e ruan gjuhën e vet, Allahu i Lartësuar do t'ia mbajë të pazbuluara sekretet e tij; nëse ai e frenon mllefin e vet, në Ditën e Kijametit Allahu i Lartësuar do ta mbajë Dënimin e Tij larg prej atij njeriu; dhe nëse një njeri, si i tillë, kërkon falje te Zoti, Zoti do t'ia pranojë faljen!"
[Mishkat]
2. Në lidhje me fjalët e të Madhit Allah: "Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt!" (Kur'an, 41: 34), ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë se nënkupton durim kur njeriu është i zemëruar, dhe falje kur trajtohet keq, meqë kur njerëzit veprojnë ashtu, Zoti i mbron ata dhe armiku u nënshtrohet atyre, sikur të ishte mik i ngushtë dhe i afërt!"
[Buhariu]
3. Bahz ibën Hakimi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton nga babai i tij e ky nga babai i vet se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Zemërimi e zhvat (prish) besimin ashtu siç aloet (lloj bime [sh.p.]) e zhvatin mjaltin!"
[Mishkat]
4. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberit, alejhi selam, i kishte ardhur një njeri dhe për të kërkuar këshillë, ndërsa ai, alejhi selam, i kishte thënë: "Mos u zemëro!" Njeriu e kishte përsëritur kërkesën nga Pejgamberi, alejhi selam, disa, e ai në të gjitha herat iu ishte përgjigjur: "Mos u zemëro!"
[Shënon Buhariu]
5. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Njeri i fortë nuk është ai që mposht të tjerët, por i tillë është ai që e kontrollon veten kur zemërohet!"
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
6. Atije ibën Urve es-Sa'di (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Zemërimi vjen nga shejtani, e shejtani është i krijuar nga zjarri. Ndërkaq, zjarri shuhet vetëm me ujë. Prandaj, kur zemërohet ndonjëri prej jush, ai duhet të marrë abdest!"
[Shënon ebu Davudi]
7. Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush zemërohet duke qenë në këmbë, ai duhet të ulet. Nëse i largohet zemërimi, mirë; përndryshe, duhet të shtrihet!"
[Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu]
8. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Asnjë rob i Allahut të Lartësuar nuk mund të marrë ndonjë pilulë (tabletë, hap) më të hidhët në Shikim të Allahut të Madhëruar sesa që është pilula e zemërimit, të cilën përpin, krejt me qëllim për të arritur kënaqësinë e të Madhit Allah!"
[Shënon Ahmedi]
9. Sehël ibën Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen nga babai i tij se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Cilido që e kapërdin zemërimin, megjithëse ka mundësi që ta qesë jashtë, në Ditën e Gjykimit Allahu i Lartësuar do ta thërrasë përpara të gjitha krijesave dhe do t'i mundësojë që të zgjedhë ndërmjet virgjëreshash sybukura që i dëshiron ai vetë!"
[Shënon ebu Davudi dhe Tirmidhiu (hadith i dobët)]
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 05.10.2009
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhammed el-Kudri