Urat e jo muret
Zoti i madhërishëm na ka krijuar të ndërtojmë ura, si ato materiale ashtu edhe ato shpirtërore, miqësore në mes gjithë njerëzve të këtij planeti të vogël, mezi i dukshëm në krahasim me rrugën e Qumështit, e mos të flasim për kozmosin e pafund...
Nga: Abdullah Hoxhiq
Kur me entuziazëm e vështronim rrënimin e murit të Berlinit (1989), shpresuam se do të hynim në epokën më stabile, më të qetë dhe botën e harmonizuar, në të cilën do të vie në shprehje koekzistenca e paqedashurisë, në të cilën njerëzit do të kishin ndjenjën se i takonin familjes njerëzore globale me të gjitha nuancat. Shpresuam për një jetë më të mirë, normale dhe me kuptim kah fundi i mileniumit të dytë dhe fillimit të mileniumit të tretë. Por, a thua kështu, edhe rrënimi material i boshatisur i murit japi garancë për këtë? Mjerisht, pas më shumë se njëzet vjet, shpresat tona u bënë ëndërr dëshpëruese dhe iluzion i boshatisur.
Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
"O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër i devotshëm.”
(El - Huxhuratë, 13)
Si dhe verseti:
"S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).”
(El - Huxhuratë, 10)
Por tani gjithnjë e më shumë ka luftëra, konflikte, dhunë, retorikë nxitëse, keqpërdorim të demokracisë, padrejtësi, varfëri, mjerim, kataklizma natyrore të cilat i shkakton njeriu me lakminë e pangopur, deri te urrejtja e madhe, xhelozia, zilia. E të gjitha këto janë MURE të cilat gjithë ne pa marrë parasysh çfarë jemi dhe kush jemi, duhet t’i rrënojmë.
Zoti i madhërishëm na ka krijuar të ndërtojmë ura, si ato materiale ashtu edhe ato shpirtërore, miqësore në mes gjithë njerëzve të këtij planeti të vogël, mezi i dukshëm në krahasim me rrugën e Qumështit, e mos të flasim për kozmosin e pafund. Kur Toka është kaq e vocërr çfarë jemi ne? Të gjitha llojet e mureve dhe barrierave në mes njerëzve, popujve, feve, ideologjive dhe shteteve janë turp dhe nënçmim për mendjen e shëndoshë, shpirtin e pastër dhe tërë botën e civilizuar. Bukur ka thënë dikush se të gjitha muret janë të këqinj e të gjitha urat janë të mira. Urat lidhin, muret ndajnë.
Ndërsa njerëzve u duhet afrim, lidhja dhe takimi e jo ndarja. Të urtë janë ata që lidhin e nuk ndajnë dhe të mençur janë ata që rrënojnë mure dhe ndërtojnë ura.
Për këtë është turp që regjimi cionist në Palestinë tani e ka ndërtuar murin masiv 400 km të gjatë dhe më shumë se 8 m lartësi, e edhe më turp ëhtë ngritja e murit në mes Gazës dhe Egjiptit, e vetmja derë e shpëtimit për palestinezët e vuajtur, i cili arrin deri 18 m lartësi! Allahu ekber! Pra, muri i dikurshëm i Berlinit është lojë ndaj këtij.
I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë të vërtetën: "Askush prej jush nuk është besimtar, përderisa nuk i dëshiron vëllait të tij atë që dëshiron për vete.” Ndërsa ai i cili i shërben Zotit, duhet t’u shërbejë krijesave.
Të dashur dhe të nderuar miq, të ndërtojmë ura, e të rrënojmë mure dhe të gjitha barrierat. T’i pastrojmë zemrat dhe shpirtrat tanë, ta ndriçojmë mendjen me dritën e Zotit dhe të sjellim vendim që të afrohemi njëri me tjetrin.
Të dalim nga shikimet e ngushta në botën e gjerë të Zotit. T’i rrënojmë barrierat, t’i shërojmë plagët dhe zbukurojmë jetën tonë dhe të tjerëve.
A thua mund të kënaqemi në begatitë e Allahut dhe bukuritë e dynjasë, e në të njëjtën kohë të shikojmë vuajtjet e tjerëve, kushdo qoftë?
Kur e kemi një Zot, një Krijues, dhe kur gjithë ne jemi krijesat e Tij, atëherë mos të potencojmë shumë në Ne dhe Ata. Ekziston vetëm Ai dhe ne, e të gjithë kemi të drejtë në identitete dhe kultura të ndryshme.
Secili person, sikurse ti mund të bëjë dallimin. Secili është i rëndësishëm dhe secili prej nesh mund të bëhet ndërtues i urave dhe rrënues i mureve. Dhe për këtë nuk duhen të holla. Duhet pasur vetëm qëllim të sinqertë që të vizitohet dikush, ndihmohet, t’i pajtojë ata që janë në konflikt, t’i ngushëllojë të mjerët, duhet njohur e jo të largohemi, duhet hapur e jo të tërhiqemi.
Ebu Rejhan El-Biruni (973-1048), gjeni universal i arsimimit enciklopedik, para njëmijë vjetëve ka udhëtuar deri në Indi për ta studiuar hinduizmin dhe kështu u bë urë në mes botës hinduse dhe civilizimit islam. Edhe pse nga familja e pasur dhe me nam, el-Biruni i mirënjohur erdhi në Indi nën rrëzën e Himalajeve duke kërkuar nga klerikët hindus në faltoren hinduse që ta mësojë hinduizmin, e që ai në vend të hollave, do të punojë në faltore çfarë do që kërkohet nga ai. Plot dyzet vjet ka shërbyer dhe ka mësuar dhe si pasojë ka qenë enciklopedia "Libri mbi Indinë”.
Kështu njerëzit e mëdhenj kanë ndërtuar ura në mes feve, kulturave dhe civilizimeve. Për këtë edhe u bënë të njohur dhe duket sikur jetojnë edhe sot. Ata që ngritin mure e rrënojnë ura, do të zhduken nga skena me vetë vdekjen por do të përmenden pë të keq.
Të nderuar miq, në kontekstin e temës sonë, ju ofroj një tregim fantastik për dy vëllezër që kanë jetuar gjatë në harmoni dhe dashuri.
Këta dy jetonin në fshat, duke punuar bashkarisht në harmoni të përkryer dhe mirëkuptim.
Por një ditë u përleshën, dhe ishte problemi i parë në mes tyre pas dyzet viteve të punës së përbashkët në bujqësi. I kishin veglat e përbashkëta dhe makinat, ndërsa të lashtat dhe frutat i ndanin bashkarisht në pjesë të barabarta. Konflikti i cili ndodhi për shkak të mosmarrëveshjes triviale u rrit. U ndërruan fjalë të ithëta dhe akuza të rënda, të cilat shkaktuan heshtje shumë mujore dhe ftohje e plotë e marrëdhënieve
Një mëngjes dikush trokati në derën e vëllait të madh. E pa një njeri të panjohur i cili i tha: "Kërkoj punë për disa ditë. Mund të shërbej në mermetime të vogla në fushë.”
"Po.”, i tha vëllau i madh, "Kam punë për ty. Shiko në fund të atij kanali. Aty jeton fqiu im, vëllai im i vogël. Vëllai im ia ndërroi kahjen e ujit dhe kështu më ka hidhëruar, por unë kam përgatitur për te atë që e meriton! I sheh ata gurë, merri dhe ndërto një mur me lartësi dy metra, në mënyrë që mos ta shoh vëllain asnjëherë.” I huaji tha: "E kuptova situatën.”
Vëllai i madh ia siguroi punëtorit tërë materialin e nevojshëm dhe shkoi në qytet për disa ditë, për të kryer disa punë. Kur u kthye në pronë e pa që mjeshtri e kishte kryer punën e tij. Por, ishte habitur dhe çuditur me atë që shihte. Në vend që të bëjë murin të lartë dy metra i cili e ndan, mjeshtri kishte ndërtuar një urë të bukur.
Në këtë moment, vëllai i vogël erdhi duke nxituar kah vëllai i madh, duke i thënë: "Ti je njeri i mrekullueshëm! Pas gjitha atyre që të kam bërë, ti ndërtove urë! Vërtetë krenohem me ty!” E përqafoi. Dhe përderisa në mes veti pajtoheshin, njeriu i panjohur u përgatit për shkuarje. I thanë: "Qëndro, kemi shumë punë për ty.” Njeriu u përgjigj: "Desha të qëndroj, por kam shumë ura tjera për të ndërtuar.”
Të bëhemi të gjithë, burra dhe gra, të gjithë banorët e Tokës, prej atyre që ndërtojnë ura në mes vëllezërve dhe gjithë njerëzve.
Të bëhemi ndërtues e asaj që është e dobishme, ura që bashkojnë dhe pajtojnë, e jo mure që ndajnë. Të punojmë t’i pajtojmë ata që janë në konflikt në mënyrë që Allahu i madhërishëm të na bekojë dhe pranojë çdo urë që ndërtojmë, çdo mendim të mirë, çdo fjalë të bukur dhe vepër të dobishme.
Allahu i madhërishëm qoftë i kënaqur me ne, e ne me Atë, dhe le t’i shpërblejë pa masë ata që e lexojnë këtë, ua distribuojnë tjerëve, ndërsa mua, robit të varfër të Allahut, më përkujtojnë me lutje.
Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi