Pyetja:
Eselamu alejkum hoxhë ef. Alaudin! Allahu ju shpërbleftë për punën e mrekullueshme që po bëni për ngritjen e fjalës së Allahut. Allahu ju dhëntë gjitha të mirat dhe shëndet të gjatë! I kam Tri pyetje në lidhje me namazin: 1) A mjafton 30 min. para imsakut falja e vitrit dhe pastaj lexoj Kuran deri 15 pas imsakut dhe fal namazin e sabahut? Ju lutem më tregoni nëse nuk prish punë. 2) A është më mirë të falen sunetet në 2+2 rekate apo si zakonisht? 3) A prish punë që, kur të hyjmë në xhami dhe gjejmë xhematin ulur, ndërsa imami nuk ligjëron, t`i falim 2 rekate namaz? Allahu ju shpërbleftë! Ju përshëndes me selamu alejkum nga Zvicra.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
1. Namazi i vitrit lejohet të falet prej pas namazit të jacisë deri në hyrjen e kohës së sabahut, më saktësisht deri në ezanin e namazit të sabahut. Kështu që ju lejohet ta falni atë qoftë 30 minuta para imsakut apo edhe më vonë, deri në hyrjen e kohës së namazit të sabahut.
Sa i përket faljes së namazit të sabahut, koha e saj hyn 18 minuta pas imsakut. Kjo është kështu duke pasur parasysh takvimat, të cilat bëjnë llogaritjen e kohëve në rajonin e Ballkanit; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje, etj.. Pasi nëpër këto takvima përpiluesit e tyre bëjnë vërejtje se kanë lënë 18 minuta kohë nga imsaku deri në kohën e sabahut, prandaj edhe ne duhet të presim për aq kohë pas imsakut që ta falim namazin e sabahut. Kurse për në vendet e Perëndimit nuk kemi njohuri për formën e takvimit që përdoret dhe se a ekziston ky interval prej 18 minutash ndërmjet imsakut dhe kohës së sabahut apo jo. Nëse ekziston, atëherë edhe ju duhet të veproni njësoj. Nëse nuk ekziston, atëherë nuk bëhet pritja prej 18 minutash nga imsaku deri në hyrjen e kohës së namazit të sabahut. Për ta kuptuar më qartë këtë pyetni hoxhallarët që keni atje. Allahu e di më së miri!
2. Sunetet apo nafilet që falen gjatë ditës dhe natës.
Së pari: Nafilet që falen gjatë natës Namazi i natës është sunet të falet me nga dy rekate dhe kjo është e vërtetuar me hadithin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, kur është pyetur rreth namazit të natës, se si duhet të falet. Ai ka thënë: “Namazi i natës është me nga dy rekate...” (Shënon Buhariu dhe Muslimi). Në sahihun e Muslimit tregohet se Ukbe Ibën Hurejthi (nga tabinët) e ka pyetur Abdullah Ibën Omerin se çfarë do të thotë “methna, methna” (“nga dy rekate”) në hadith. Ai është përgjigjur se do të thotë të japësh selam pas çdo dy rekatëshi që falemi. Prandaj, edhe pse disa nga fukahatë kanë lejuar që ajo të falet me nga katër, duke argumentuar me disa hadithe të përgjithshme, hadithi i lartpërmendur qartëson se duhet të japim selam çdo dy rekate.
Së dyti: Nafilet e ditës
Sa i përket nafileve të ditës, sikurse katër rekate sunet para dreke ose katër para ikindisë, ka mospajtim te fukahatë se a falen nga dy apo me nga katër rekate.
Qëndrimi i Ebu Hanifes dhe i dy nxënësve të tij, Ebu Jusufi dhe Muhamedit, është se preferohet të falen duke dhënë selam pas katër rekatesh. Ata argumentojnë me praktikën e Ibën Omerit, nga i cili shënohet te Ibën Ebi Shejbe të ketë falur gjatë ditës nafile duke dhënë selam në katër rekate. Ky qëndrim tregohet të ketë qenë edhe i Evzaiut.
Mendimi i Shafiut, i Malikut, i Ahmedit dhe i xhumhurit është se namazi nafile i ditës preferohet të falet duke dhënë selam pas dy rekatesh. Ibën Ebi Shejbe tregon se ky mendim ishte i Ebu Hurejres, i Hasan Basriut, i Ibën Sirinit, i Seid Ibën Xhubejrit. Ibën Abdulberri thotë se ky ishte qëndrimi i Ebu Jusufit dhe i Muhamedit (dy nxënësit e Ebu Hanifes), por e sakta është se këta të dy e përmbajnë mendimin e parë.
Ata argumentojnë me hadithin të cilin e shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxheh, Ibën Huzejme dhe të tjerët. Se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazi i natës dhe i ditës është me nga dy rekate.” Në vlerësimin e këtij hadithi kemi ndryshime, por e sakta është se hadithi është i saktë. Buhariu është pyetur për këtë hadith dhe ka thënë se është i saktë. Gjithashtu, Shafiu dhe Bejhikiu e bëjnë një gjë të tillë. Kurse nga muhadithinët bashkëkohorë shejh Albani e cilëson të saktë. Prandaj mendimi më saktë është që edhe namazi i ditës të falet duke dhënë selam pas çdo dy rekateve. Allahu e di më së miri!
3. Nëse hyjmë në xhami, atëherë është e kërkuar të mos ulemi pa i falur dy rekate nafile. Ky namaz quhet “tehijetul mesxhid” dhe Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të hyjë ndonjëri nga ju në xhami mos të ulet pa i falur dy rekate.” Falja e këtyre dy rekateve është e kërkuar pa marrë parasysh kur hyjmë në xhami, qoftë edhe nëse imami ka filluar hytben e xhumasë. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|