TI PYET, KUR'ANI PËRGJIGJET !
1) Kush është Krijuesi?
40. Gafir-64. All-llahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi,eformën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, i lartë pra është All-llahu, Zoti i botëve!
39. Zumer-6. Ai ju krijoi juve prej një njeriu, mandej prej tij e krijoi palën (çiftin) e tij dhe Ai krijoi për juve tetë nga çiftet e kafshëve. Ai u krijon juve në barqet e nënave tuaja, krijim (etapë) pas krijimi në tri errësira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, vetëm i Tij është pushteti, nuk ka zot tjetër pos Tij. E si pra, i shmangeni (adhurimit të Tij)?
7. Araf-54. Vërtet, Zoti juaj, All-llahu, është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arshin, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është All-llahu, Zoti i botëve.
10. Junus-32. E ky është All-llahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)
2) Kush është All-llahu?
59. Hashr-23. Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i mvishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i plotfuqishëm, mbizotërues, i madhërishëm. I lartësuar është All-llahu nga çka i shoqërojnë!
59. Hashr-24. Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (All-llahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti!
20. Ta Ha-14. Vërtet, vetëm Unë jam All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
2. Bekare-255. All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotja as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën. Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi.
35. Fatir-13. Ai është që zgjat natën në pjesë të ditës dhe e zgjat ditën në pjesë të natës, i nënshtroi diellin dhe hënën që secili lëviz (udhëton) deri në afatin e caktuar. Ky është All-llahu, Zoti juaj, i tërë sundimin është i Tij, e ata që i lutni në vend të Tij, nuk posedojnë as sa një cipë (e hurmave, fije).
3. Ali Imran-18. All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit.
3. Ali Imran-51. All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë; kjo është rrugë e drejtë!
3) A mendon se All-llahu te krijoi ty vetem si loje dhe pa asnje qellim?
3. Ali Imran-115. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. All-llahu i di shumë mirë të devotshmit.
4) Pse All-llahu krijoi njerezimin?
51. Dharijat-56. Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.
5) Ç’farë na urdhëron All-llahu që të bëjmë ne?
4. Nisa-58. All-llahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni.
6. Enam-151. Thuaj: "Ejani t'ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë.
6) Prej nga duhet te kërkojmë mbrojtje?
1 -1-7. Fatiha-1. Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 2. Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve! 3. Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit (përgjegjësisë- shpërblimit) ! 5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë! 6. Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë! 7. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!
7) Kujt duhet t’i lutemi sinqerisht në kohën e shkatërimeve?
29. Ankebut-65. (Idhujtarët e dinë për All-llahun pse) Kur hipin ata në anije (u këputet lidhja me tokën dhe frikësohen) i luten sinqerisht All-llahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, qe, po ata të njëjtit i lusin idhujt!
10. Junus-12. E kur njeriun e godet dëmi, ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë.
8) Ç’farë u ndodhi popujve të mëhershëm kur ata përgënjeshtruan Zotin?
29. Ankebut-40. Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.
9) A e mbron dhe ruan All-llahu Kur’anin nga korruptimi (ndryshimi i tij)?
15. Hixhr-9. Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur'anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.
10) Kë ne duhet të Adhurojmë?
20. Ta Ha-14. Vërtet, vetëm Unë jam All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
11) Cila është fe e Zotit?
3. Ali Imra-19. Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami, e atyre që u është dhënë libri, pasi mësuan për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e All-llahut, le ta dijë se All-llahu shpejtë do t'i japë llogarinë.
12) Cila fe është e pranuar te All-llahu?
3. Ali Imran-85. E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit.
13) Prej nga na vjen Kur’ani?
42. Shur-3. All-llahu, fuqiploti, i gjithëdijshmi kështu (këto ajete) të shpall ty dhe atyre që ishin para teje.
6. Enam-114. (Thuaj) A pos All-llahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)? Kur Ai është që ua zbriti librin në mënyrë të shkoqitur? Atyre që u dhamë librin e dinë se ai (Kur'ani) është i zbritur prej Zotit tënd saktësisht, pra mos u bë prej atyre që dyshojnë.
14) Pse All-llahu dërgoi Pejgamberë?
4. Nisa-64. Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhërin e All-llahut t'i bëhet respekt (nga njerëzit) atij. E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata vetë ndjesë te All-llahu, e edhe i dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se All-llahu pranon pendimin dhe është mëshirues.
15) A duhet ne të besojmë në të gjithë pejgamberët?
2. Bekare-285. I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: "Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë".
16) Ç’farë ndodhi me skriptat (fletushkat) e kaluara?
4. Nisa-46. Një palë nga jehuditë është që ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta, e (kur i thërret ti) ata thonë: "Dëgjuam (fjalën tënde) dhe kundërshtuam (thirrjen tënde), dhe thonë: "dëgjo mos dëgjofsh!" (dhe thonë): "Raina" (këto i thonë) duke përdredhur gjuhët e tyre dhe duke atakuar fenë. E sikur të thoshin ata: "Dëgjuam, respektuam, dëgjo dhe vështrona", do të ishte më mirë për ta dhe më e drejtë, por për shkak të refuzimit të tyre, All-llahu i mallkoi, prandaj besojnë vetëm pak (besim gjysmak).
5. Maide-13. Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata, dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të shtangura). Ata i ndryshojnë fjalët (në Tevrat) nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vërejsh tradhtinë e një pjese të tyre, përpos një pakice nga ata. Pra falju dhe hiqju tyre. All-llahu i do ata që bëjnë mirë.
17) Cili është i dërguari i fundit?
3. Ali Imran-144. Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit.
18) Tek kush dërgoi All-llahu s.w.t. pejgamberin e fundit Muhammedin [ Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të ]?
34. Sebe-28. Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
19) Çka pregatiti All-llahu per të krishterë dhe jahudite të cilët besuan?
57. Hadid-28. O ju që keni besuar, kini frikë All-llahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja, All-llahu është mekatfalës, mëshirues.
20) Cila është çështja e Isaut [ Paqja qoftë mbi të) tek All-llahu s.w.t.?
3. Ali Imran-59. Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: "Bëhu"! ai u bë.
21) Ç’farë tha All-llahu për Merjemen?
(3 Ali Imran: 42 – 47) 42. Përkujto kur engjëjt i thanë: "Oj Mejreme, All-llahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës".
43. "Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen"!
44. "Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t'i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete".
45. Përkujto kur engjëjt i thanë: "Oj Mejreme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në Dunja e Ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit).
46. E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve, e edhe si i rritur e që është nga të përsosurit.
47. Ajo tha: "Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s'më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar) "? Ai (All-llahu) tha: "Ja, kështu, All-llahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet".
22) A ishte kryqëzuar Isau a.s (Jezusi) ne kryq?
(4 Nisa : 157 – 158) 157. Madje për shkak të thënies së tyre: "Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut". Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.
158. Përkundrazi, All-llahu e ngriti atë pranë Vetes. All-llahu është i poltfuqishëm, i dijshëm.
23) A ishte Isau a.s. (Jezusi) i biri i All-llahut s.w.t.?
112. Ihlas 1. Thuaj: Ai, All-llahu është Një! 2. All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. 3. As s'ka lindur kë, as nuk është i lindur. 4 Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.
24) Nga kush do të ishe i sigurt?
6. Enam-82. Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.
25) Ç’farë është jeta e kësaj bote?
57. Hadid-20. Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.
26) Çdo gjë nga mëshira dhe gjërat e mira që keni, a është nga All-llahu?
16. Nahl-53. Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngreni zërin (me lutje).
27) Si do të siguroje Mëshirën e All-llahut s.w.t.?
14.Ibrahim-7. Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: "Nëse falënderoni, do t'ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!"
28) Si do të kishe ruajtur veten nga një dënim i dhembshëm?
61. Saf 10-11)-10. O ju që keni besuar, a t'ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm:
11. T'i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini.
29) Kush mbështetet tek All-llahu s.w.t., çka do t’i ndodh atij?
65. Talak-3. dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).
30) Cili është vendi i pabesimtarëve?
57. Hadid-15. E sot prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri, ai është ndihma juaj: sa përfundim i keq është ai".
31) Cili është vendi i besimtarëve?
4. Nisa-57. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t'i fusim në xhennet nën të cilin burojnë lumenj, ku do te jenë përgjithmonë. Aty kanë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme.
32) Si do të ishe i lumtur?
16. Nahl-97. Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.
Përshtati: Visar KORENICA
|