Pyetja: Es-selamu alejkum! Kam një pyetje që shumë studentëve u intereson t’ia dinë përgjigjen. Pyetja ka lidhje me namazin e xhumasë. Shumë studenteve u bie të kenë leksion apo seminar ditën e xhuma në kohën që duhet të falet namazi i xhumasë. Siç e dimë, pjesëmarrja në leksione është me dëshirë, ndërsa pjesëmarrja në seminare është e detyruar. Por për disa lëndë, pjesëmarrja në leksion është shumë e nevojshme sepse nuk mund të kuptohet mësimi pa interpretimin e pedagogut (p.sh., në matematikë) dhe nëse studenti nuk merr pjesë në leksione, ai nuk e kupton fare tekstin kur fillon ta studiojë vetë. Tani pyetja që unë parashtroj përmblidhet në këto pika: 1- Studenti që në kohën e faljes së xhumasë ka leksion, por lënda është e vështirë dhe ka shumë nevojë t’i ndjekë leksionet për ta kuptuar atë. Ky student, çfarë duhet të bëjë, të ndjekë leksionet apo të falë xhumanë? 2- Studenti që në kohën e faljes së xhumasë ka seminar dhe mospjesëmarrja në seminare (pasi e kalon limitin e mungesave) të humbet të drejtën për të hyrë në provim. Nëse ky student fal namazin e xhumasë, i bie të mos hyjë në provim. Tani kujt duhet t’i japë më përparësi, seminareve apo faljes së xhumasë? Ju kërkoj ndjesë se e zgjata pak, por ngaqë kjo pyetje ka interes publik u mundova ta sqaroja në mënyrë që edhe përgjigjja juaj të jetë e qartë (inshallah). E lus Allahun e Plotfuqishëm t’ju gradojë me gradat më të larta të xhenetit. Amin!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit! Falja e namazit të xhumasë është obligim individual për çdo besimtar, prandaj nuk duhet neglizhuar për arsye të punëve të tjera, si ligjëratat dhe mësimet. Prandaj besimtari duhet ta rregullojë orarin e ligjëratave në atë formë që të jetë sa më e përshtatshme mundësia për faljen e xhumasë. Ai duhet të menaxhojë me shumë kujdes mungesat. kështu që t’i lë vetes hapësirë që mosprezantimet e arsyeshme të jenë për kohën e namazit të së premtes. Gjithashtu edhe nëse ligjërimi i profesorit është vështirë të kompensohet me studim personal nga ana e studentit, atëherë ai prapë duhet të shikojë alternativat e tjera, si për shembull të ushtrojë me ndonjë koleg ose edhe të bëhet incizimi i ligjëratës së profesorit me telefon nga dikush prej studentëve (edhe pse nuk e dimë se a është legale kjo) apo ndonjë formë tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai që i frikësohet Allahut, atij Allahu do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).” (Talak, 2) Nëse rasti është i patjetërsueshëm dhe është çështja se humb e drejta për të hyrë në provim, nëse nuk shkon, ose i rastis ta ketë provimin në kohën e namazit të xhumasë, atëherë në këtë rast mendojmë se ai është i liruar nga falja e namazit të xhumasë dhe për këtë ai nuk ka mëkat pasi ka arsye. Ekzistojnë disa situata në të cilat besimtari lirohet nga falja e namazit të xhumasë. Këto raste juristët islamë i përmendin në librat në të cilat i shtjellojnë rregullat e namazit të xhumasë dhe për kë është obligim. Në rastin kur besimtari lirohet nga falja e namazit të xhumasë, ai obligohet të falë namazin e drekës, si ditëve të tjera të javës. Por gjithsesi duhet të ketë kujdes që kjo të mos jetë në formë përsëritëse javë pas jave, pasi ekziston një hadith të cilin dijetari Albani e cilëson të saktë, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: "Kush i lë tri xhuma rresht pa falur nga neglizhenca, atij Allahu ia vulos zemrën.” (Shënon Ahmedi, ebu Davudi dhe të tjerët). Komentatorët e këtij hadithi kanë thënë se qëllimi me vulosje të zemrës është se Allahu e privon nga mirësia dhe disa dijetarë të tjerë kanë thënë se Allahu e shënon në radhët e dyfytyrëshve (munafikëve). Sido që të jetë, edhe pse ky hadith ka të bëjë me ata njerëz të cilët e lënë namazin e xhumasë pa falur nga neglizhenca, pa arsye, megjithatë edhe personi i arsyetuar duhet të ketë kujdes që mos ta lërë, me përjashtim të ndonjë arsyeje të patjetërsueshme. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|