Pyetja:
Në "Fjalorin e komentimit të ëndrrave” nuk gjendet se çfarë është kuptimi i shikimit të gjarprit në ëndërr. Shumë njerëz shohin gjarprin në ëndërr. Ajo çfarë komentohet në popull për gjarprin është sëmundje, fatkeqësi, armik etj. Çfarë thotë Sunneti autentik rreth kësaj çështje?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Nuk posedojmë njohuri dhe nuk merremi me komentimin e ëndrrave, mirëpo pasi që ju kërkuat në mënyrë të përgjithshme të dini se si komentohet ëndërrimi i gjarprit, pra jo një ëndërr konkrete, atëherë ne ju kthyem disa librave që merren me komentimin e ëndrrave që t’u japim përgjigje.
Fillimisht themi se me sa kemi njohuri, nuk dimë se ka ndonjë citat nga hadithet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, që shpjegon se nëse shihet në ëndërr gjarpri aludon në diçka të caktuar. Ndërsa Ibën Sirini, njëri nga komentatorët më të njohur të ëndrrave ka thënë se gjarpri aludon në armik, dhe kjo ndërlidhet me ngjarjen e Iblisit, armikut të njeriut i cili kishte marrë formën e gjarprit, atëherë kur e mashtroi Ademin alejhi selam. Pastaj ai ka thënë se ka mundësi të komentohet gjarpri edhe me jobesimtarët dhe pasuesit e risive (bidatxhinjtë).
Disa të tjerë kanë thënë se gjarpri mund të komentohet edhe me femrën shpirtligë, pastaj me njeriun smirëkeq, etj. Në fund themi se komentimi i gjarprit në ëndërr gjithashtu ndryshon nga ngjyra dhe mënyra se si shihet ëndrra. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi