TË DUASH MUHAMEDIN (alejhi selam)
Transmeton Enesi, radijallahu anhu, nga Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: "Asnjëri nuk ka besuar përderisa të mos jem më i dashur tek ai se babai i tij, fëmija, vetvetja dhe njerëzit në përgjithësi”.[1]
Allahu i madhëruar, thotë:
"Thuaj (o i dërguar): "Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.”[2]
Kuptimi i fjalës së Pejgamberit në hadithin e lartpërmendur "Asnjëri nuk ka besuar…” është: asnjëri nuk e ka plotësuar besimin e tij.
Dije vëlla mysliman, ti që do këtë Pejgamber bujar, se dashuria ndaj tij është ngushtë e lidhur me dashurinë ndaj Allahut si dhe është fryt i saj. Çdo mysliman obligohet që t’i jep përparësi dashurisë ndaj Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ndaj vetvetes së tij, pasurisë, prindit, fëmijës dhe tërë njerëzve në përgjithësi. Omer ibën Hatabi një rast i tha Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: "O i Dërguar i Allahut, vërtet ti je më i dashur tek unë se çdo gjë përveç vetes time! Pejgamberi tha: Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të jem më i dashur se vetvetja jote. Omeri, radijallahu anhu, më pas tha: Tash, pasha Allahun, je më i dashur për mua se vetvetja ime. Pejgamberitha: Tani po o Omer.”[3]
Njeriu e do një tjetër ose për shkak virtyteve me të cilat stoliset ai ose për shkak ndonjë të mire që ia ka bërë. Për Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, Allahu, i madhëruar, thotë: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!”[4]
Nëse njeriu mediton rreth dobisë që ka përfituar nga Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili e nxori atë prej errësirave të kufrit në dritën e imanit drejtpërsëdrejti apo indirekt, do të kuptojë gjithashtu se Pejgamberi është shkaktar për qëndrimin e tij të përjetshëm në begatitë e Xhenetit, do të kuptojë se kjo është dobia më e madhe në të gjitha aspektet dhe për këtë arsye Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, meriton që të duhet më shumë se çdokush, sepse dobia e cila është shkak për ta dashur atë është më e madhe se dobitë tjera, mirëpo njerëzit dallojnë nga kjo pikëpamje varësisht prej asaj sa janë të kthjellët dhe vigjilent. Nuk ka dyshim se sahabët në mënyrë më të plotë e kanë kuptuar këtë.
Kurtubiu thotë: "Çdonjëri i cili beson me besim të vërtetë në Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, nuk mund që të mos gjejë në veten e tij diçka prej kësaj dashurie që i kalon të gjitha dashuritë, vetëm se ata dallojnë mes tyre. Ndonjëri e gjen këtë dashuri të plotë, e tjetri tepër të mangët si për shembull ai i cili është fundosur në kënaqësitë e kësaj bote, i mpirë nga pavëmendshmëria në kohën më të madhe, mirëpo shumë prej tyre kur përmendet Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, përmallohen dhe dëshirojnë ta sheh atë, e mbivlerësojnë ndaj familjes, fëmijës, pasurisë dhe prindit të tij, e vendojnë veten në rrezik. Në veten e tij gjen një nxitës që nuk ka mëdyshje në të.”[5]
Prej shenjave të kësaj dashurie është të kapurit për sunetin e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe zbatimi i urdhrave të tij. Allahu, i madhëruar, thotë:
"Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër.”[6]
Prej shenjave të kësaj dashurie është të ndriçuarit me dritën e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, si dhe të udhëzuarit me udhëzimin e tij. Allahu i madhëruar thotë:
"Juve ju erdhi nga All-llahu dritë, dhe libër i qartë.”[7], po ashtu thotë: "Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu të ju dojë.”[8]
Prej shenjave të kësaj dashurie është të stolisurit me moralin e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, Allahu, i madhëruar, thotë: "Ju keni shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut.”[9]
O Allah i ynë! Ndriçoi zemrat tona me dashurinë ndaj Teje, ndaj Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe ndaj atyre që juve ju duan!
AHMED MUADH HAKKIJ
Përktheu: Agim Bekiri
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi
[2] Teube - 24
[3] Transmeton Buhariu
[4] Kalem – 4
[5] Fethul Bari/1-59
[6] Ahzab – 36
[7] Maide – 15
[8] Ali Imran – 31
[9] Ahzab – 21