E shtunë, 18/05/2024, 11:50
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

TË BËSH MIRË
TË BËSH MIRË


"O ju që keni besuar, bëni ruku dhe sexhde, adhurojeni Zotin dhe bëni vepra të mira me shpresë që të shpëtoni”. (Haxh, 77)



Të jesh njeri i mirë dhe t’u bësh mirë të tjerëve, nuk kufizohet vetëm në ndihmën materiale ndaj tyre, por ka një kuptim më të gjerë. E mirë është dhe të ndihmosh dikë të dalë nga halli që i ka rënë, e mirë është dhe të pajtosh dy veta që nuk flasin, e mirë është dhe t’i japësh kurajë dikujt që ka humbur shpresat, e mirë është dhe kur ia largon dikujt brengat. Pra, është që t’i duash të mirën çdo njeriu.

Zoti i Madhëruar thotë në Kuran:

"O ju që keni besuar, bëni ruku dhe sexhde, adhurojeni Zotin dhe bëni vepra të mira me shpresë që të shpëtoni”. (Haxh, 77)

Si pasojë e namazit dhe adhurimit të Zotit të Madhëruar lind mëshira, tregues i së cilës janë veprat e mira ndaj njerëzve dhe çdo gjallese.

Po ti, o vëlla, a tregohesh i gatshëm për të ndihmuar këdo që ka nevojë? Vallë, a gëzohesh kur dikush të kërkon ndihmë, apo hidhërohesh? Nëse ndihmon dikë, a e bën këtë thjesht se është e mirë dhe duhet bërë, apo e bën për shkak se mendon që më pas do të ta shpërblejë në një mënyrë tjetër?

Treguesi i pranimit të adhurimit është mëshira dhe tregues i mëshirës, është bamirësia ndaj njerëzve.

Zoti i Madhëruar thotë në një hadith kudsij:

"Unë ia pranoj namazin atij që tregohet modest ndaj Meje, nuk tregohet arrogant ndaj njerëzve, nuk vdes duke vepruar një gjynah, mëshiron të vobektit, mëshiron udhëtarët, të cilëve u është mbaruar ushqimi, mëshiron gratë e veja dhe njerëzit në fatkeqësi”.

Po çfarë lidhje kanë këto të fundit, me pranimin e namazit?

Kjo pasi ai që falet duhet të jetë i mëshirshëm dhe mëshira shfaqet në ndihmën që u afron njerëzve në nevojë.

Nëse dëshiron të dish se Zoti i Madhëruar është i kënaqur ndaj teje, shikoje veten nëse ua do të mirën njerëzve.

Ajo që e vërteton këtë është se kur Profetit a.s. iu shfaq Xhibrili a.s. për herë të parë dhe iu shpallën ajetet e para të Kuranit, ai shkoi i frikësuar te bashkëshortja e tij Hadixheja dhe pasi i tregoi mbi atë që i kishte ndodhur i tha: "U frikësova shumë, o Hadixhe, pasi mendova se mund të ishin xhinde”.

Hadixheja e sigurtë ia ktheu: Jo, për Zotin, nuk të le Zoti ty në baltë kurrë, pasi ti shkon mirë me farefisin, respekton mikun dhe ndihmon nevojtarët.

Për shkak se kishte këto cilësi, Zoti i Madhëruar e zgjodhi Muhamedin a.s. si të dërguar tek të gjithë njerëzit.

Secili prej nesh ka dëgjuar në biseda me njëri-tjetrin që e mira sot ka humbur dhe se nëse i bën një të mirë dikujt dije se prej tij do të presësh vetëm keq.

Kurse Profeti a.s. thotë:

"Zoti është në ndihmë të njeriut, përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij”.

"Kush i heq një njeriu një brengë nga brengat e kësaj bote, Zoti do t’i heqë atij një brengë nga brengat e Ditës së Kiametit”.

Të duash të mirën për njerëzit është e lidhur ngushtë me dy nga cilësitë e Zotit të Madhëruar dhe sa më shumë t’u bësh mirë njerëzve, aq më shumë këto dy cilësi bëhen pjesë e jetës tënde.

Cilësia e parë është ajo që në arabisht shprehet me Eddejjan, që do të thotë dikush që të shpërblen për atë që vepron, sado e vogël qoftë. Të shpërblen për të në këtë botë para botës tjetër.

Profeti a.s. thotë rreth kësaj gjëje:

"Nëse një i ri do të respektojë një të moshuar për shkak të moshës, Zoti do të caktojë dikë që ta respektojë atë kur të plaket”.

Të jesh i sigurtë që për të mirën që bëre do të shpërblehesh në këtë botë para se të vdesësh.

Ebu Sufjani ka qenë nga armiqtë e përbetuar të Profetit a.s. Një ditë vajza e profetit a.s. Fatimeja rrëzohet dhe koka dhe fytyra i mbushet me pluhur. Ebu Sufjani që kaloi aty pranë e ngriti, ia shkundi pluhurin që i kishte mbuluar fytyrën dhe u largua.

Kur Profeti a.s. e dëgjoi këtë, tha:

" O Zot, mos ia harro këtë Ebu Sufjanit”.

Pasi kalojnë vite, Ebu Sufjani pranon Islamin dhe gjithë armiqësinë që kishte ndaj Profetit a.s. e kthen në dashuri dhe respekt. Merr pjesë dhe në disa luftëra ku humb dhe shikimin dhe në fund vdes si mysliman.

E gjithë kjo për shkak të një të mire që bëri, ku i shkundi pluhurin vajzës së Profetit a.s.

Një njeri tregon: Isha një ditë me një mikun tim që teksa po nxirrte makinën nga parkingu, pa dashje godet makinën që kishte pas dhe i thyen xhamin e dritave. I shqetësuar del dhe kur përballet me shoferin e makinës së dëmtuar, ai i thotë: -Nuk prish punë vëlla, diçka e vogël është, lëre se ta kam falur.- Hyri në makinë dhe pashë që po i rridhnin lotë dhe thoshte: -I madh je Ti, o Zot, që nuk harron.

I habitur e pyeta: -Si është puna miku im?- Ai u kthye drejt meje dhe më tha: -Muajin e kaluar, në të njëjtën rrugë, një makinë më goditi dhe më theu xhamin e dritave të makinës. Kur pronari i makinës doli jashtë pashë që ishte një i moshuar me fëmijët e tij. -Nuk ka problem,- i thashë dhe u ndamë. -Tani më ndodhi e njëjta gjë mua.

Një nga ligjet që Zoti i Madhëruar ka caktuar në tokë, është se e mira i kthehet atij që e bën qysh në këtë botë, pa vajtur në botën tjetër. Dhe kjo nuk është vetëm për muslimanët, por për të gjithë njerëzit.

Profeti a.s. thotë:

"E mira në umetin tim është deri në Ditën e Kiametit”.

Cilësia e dytë e Zotit të Madhëruar që flet mbi shpërblimin e të mirës është Esh-Shekuur, që do të thotë dikush që për një punë të mirë të vogël, jep shpërblim shumë të madh.

Profeti a.s. na tregon:

"Një grua e përdalë shikon një qen që gërryente dheun me këmbë pranë një pusi sepse e kishte marrë etja. Asaj i vjen keq dhe zbret në pus, merr ujë dhe ia jep qenit të pijë. Për këtë vepër, Zoti ia fali gjynahet”.

Zoti i Madhëruar e vlerëson të mirën sado e vogël qoftë ajo dhe jep shpërblim të madh për të.

Imam Ahmedi na tregon se një grua lypëse kishte dalë të lypë me djalin e saj. Për shkak të diellit përvëlues e lë djalin nën hijen e nje peme dhe i thotë të priste aty deri sa të gjente diçka për të ngrënë. Teksa djali priste të kthehej nëna e tij, vjen një hajdut, e merr djalin dhe largohet. Nëna e tij kthehet me një bukë në dorë dhe shikon që djali nuk ndodhej te pema ku e kishte lënë. E mërzitur për të birin fillon të qajë me të madhe. Aty pranë vjen një i varfër që kur shikon bukën në dorën e saj i thotë që kishte ditë pa ngrënë. Nëna ia zgjat bukën që mbante në dorë dhe vazhdonte të qajë. Ai i thotë: -Lus Zotin që të ta zgjidhë hallin që ke.

Pas pak kohe, teksa vazhdonte të qajë të birin e humbur, shikon nga larg një burrë që kishte djalin e saj për dore. Kur u afruan, e përqafoi të birin dhe me lot në sy e pyeti burrin se si qëndronte puna.

-E mora për ta shitur si skllav,- i thotë, -por teksa isha duke ecur, papritur dëgjova një zë të brendshëm që më thoshte: Po sikur dikush ta marrë djalin tënd të vetëm dhe ta shesë skllav, ashtu siç kërkon ta shesësh ti këtë fëmijë, si do të ndiheshe? Atëherë u ktheva menjëherë dhe ja tek e ke djalin.- Gruaja e gëzuar thotë:

-I pa të meta është Ai që një bukë të dhënë e shpërblen me kthimin e djalit të dashur.

Në një histori tjetër, të cilën e tregon vetë Profeti a.s. te Muslimi thuhet që:

-Një burrë teksa udhëtonte në shkretëtirë, dëgjon një zë që vinte nga retë dhe thoshte: Shkoni te kopshti i filanit dhe lëshoni shi. Papritur retë filluan të lëvizin drejt një kopshti. Kur qëndruan sipër kopshtit, lëshuan shi, i cili binte vetëm brenda kufijve të kopshtit. I habitur shkon të takojë pronarin e kopshtit, të cilin e pyet se çfarë bënte diçka të veçantë në kopshtin e tij. Pronari i tha: Sa herë që mbledh prodhimin e ndaj atë në tre pjesë, njërën pjesë ua shpërndaj të varfërve para se të vijnë ata ta kërkojnë, një pjesë e konsumoj me familjen dhe pjesën tjetër e mbaj për të plotësuar nevojat e kopështit.

Po të shohim në Kuran, emri Shekuur shoqërohet me emrin Aliim (i ditur). Zoti i Madhëruar thotë në Kuran:

"...Zoti është shpërblyes për çdo të mirë dhe i ditur për gjithçka”. (Nisa, 147)

Me këtë Zoti i Madhëruar të siguron që e mira nuk humbet edhe nëse personi që i bëhet e mira nuk e di kush ia bëri, atë e di Zoti i Lartësuar dhe për të të shpërblen, sado e vogël qoftë ajo.

Uthman bin Talha ishte jomysliman dhe sa herë që Profeti a.s. mundohej ta bindë të pranojë Islamin, ai refuzonte. Kur Profeti a.s. pa që qëndrimi në Meke nuk po jepte rezultat, emigroi për në Medine dhe urdhëroi edhe myslimanët e tjerë të emigronin. Ummu Seleme ngaqë nuk kishte shoqërues tjetër u nis vetëm me djalin e saj të vogël. Meqenëse nuk kishin kafshë për udhëtim u nisën në këmbë për të përshkruar një rrugë prej 400 km. Uthman bin Talha kishte qenë jashtë Mekes dhe po kthehej, kur takon në rrugë Ummu Selemen. Kur i shikon vetëm dhe në këmbë i pyet i habitur: -Për ku kështu, o Ummu Seleme? -Jam nisur të shkoj në Medine,- i thotë ajo.

-Po përse vetëm dhe pa mjet udhëtimi?- i pyet përsëri. -Ngaqë nuk kishim as mjet udhëtimi dhe as ndonjë që të na shoqëronte,- i përgjigjet Ummu Seleme. -Për Zotin,- u thotë,- nuk do të pranoj që të shkoni vetëm dhe në këmbë, hypni në devenë time.- Megjithëse ishte jomysliman, i shoqëroi deri në Medine duke ecur vetë në këmbë dhe duke e mbajtur devenë për freri. Kur arritën atje u tha: -Kjo është Medineja, unë po kthehem në Meke.

Më pas Uthmani pranoi Islamin. Shokët e Profetit a.s. thonë: -Nuk dimë ndonjë shkak tjetër që u bë mysliman veç asaj të mire.

Për një të mirë që bëri, shpëtoi prej zjarrit të xhehenemit.

Një djalë që më parë kishte bërë një jetë të shthurur dhe me probleme tregon:

-Një ditë pashë një të paralizuar me karrocë që tek dëshironte të zbriste trotuarin, rrëzohet. Nga hundët filloi t’i rrjedhë gjak dhe u bë gjithë pluhur. Kur pashë që nuk iu afrua kush ta ndihmojë, shkova e vendosa në karrocë, ia pastrova gjakun me shami, ia hoqa pluhurin dhe e drejtova për te vendi ku dëshironte të shkojë.

Pasi kalojnë disa ditë, çohem një ditë në mëngjes, marr abdes dhe shkova të fal sabahun. As vetë nuk po e kuptoja se si po i bëja këto. Nuk kam bërë gjë tjetër të mirë, përveç asaj që ndihmova të paralizuarin dhe vetëm ai është shkaku që Zoti i Madhëruar më udhëzoi.

Ebu Nasr Esajjad, ishte një njeri shumë i varfër. Një herë kaluan disa ditë pa ngrënë gjë, as ai, as familja e tij. Pa ditur se ç’bënte del nga shtëpia dhe shkon te një njeri i ditur, të cilit i qan hallin ku ndodhej. I dituri i thotë: -Më ndiq nga pas,- merr rrjetën dhe shkojnë në bregdet. -Fal dy rekat namaz,- i thotë. Pasi falet i thotë: -Thuaj: Bismilahi dhe hidhe rrjetën në det.- Pasi tha bismilahi dhe hodhi rrjetën, i dituri u largua. Ebu Nasri e la pak kohë rrjetën në det dhe filloi ta tërheqë atë kur pa që ajo kishte kapur një peshk të madh. I gëzuar e merr peshkun shkon në treg ku e shet dhe me paratë blen bukë dhe ushqime.

Nga ato që bleu ndan një pjesë, të cilën ia çon në shtëpi njeriut të ditur që e ndihmoi për të kapur peshkun. Por kur ia zgjati ushqimet, i dituri i tha: -Ushqe me të familjen, sikur ta konsumonim të gjithë atë që na jep Zoti, nuk do të kishte dalë peshku.

Para se të arrijë në shtëpi, i del para një grua me fëmijën e saj, të cilët mezi ecnin nga uria. Kur e panë, sytë e tyre u ndalën në çantën ku mbante bukën dhe ushqimet. I hutuar nga ajo që po shikonte, ua jep të gjitha që kishte në çantë. Gruas i rrodhën lot gëzimi nga sytë dhe fëmija filloi të buzëqeshë kur pa ushqimet dhe bukën.

Kurse Ebu Nasr Sajjadit iu shtua hidhërimi më tepër pasi nuk kishte me çfarë të ushqente veten dhe familjen e tij, të cilët kishin ditë pa futur gjë në gojë.

Ashtu siç ishte i mërzitur, papritur dëgjon dikë që thërriste: -Kush e njeh Ebu Nasr Sajjadin?- Vrapon drejt tij dhe i thotë: -Unë jam ai që kërkon, çfarë kërkon?

-Ka njëzet vjet që i kam marrë babait tënd një borxh prej 30.000 dërhemësh. Kur i mora u largova jashtë vendit dhe tani që jam kthyer më thanë që babai yt ka vdekur dhe ka lënë një djalë me emrin Ebu Nasr Sajjad, kështu urdhëro borxhin që i kisha babait tënd.

Tani nuk isha më i varfër, por u bëra i pasur. E gjitha kjo për shkak të bamirësisë ndaj asaj gruaje dhe fëmijës së saj.

Fillova të jap lëmoshë në shuma të mëdha, saqë filloi të më pëlqejë vetja.

Një natë pashë në ëndërr sikur ishte bërë Kiameti dhe ishte vendosur peshorja në të cilën peshoheshin punët e mira dhe të këqija. Kur më erdhi radha mua dhe u vendosën veprat në peshore, pashë që të këqijat ishin më shumë se të mirat.

-Po ku janë paratë, të cilat i dhashë lëmoshë?- thërrita unë me të madhe.

U vendosën paratë që kisha dhënë, por ato nuk e lëvizën fare peshoren, ishin si një fije pambuku.

Një nga melekët thirri: A ka mbetur gjë tjetër pa u vendosur në peshore? -Po,- u përgjigj një tjetër,- janë lotët e gruas së cilës i dha bukën dhe ushqimet.- U vendosën lotët në peshore dhe e rënduan anën e punëve të mira saqë u barazuan të dy anët e peshores. Meleku thirri përsëri: -A ka gjë tjetër? -Po,- u përgjigj,- është buzëqeshja e fëmijës, kur mori ushqimet dhe bukën.- Kur u vendos dhe buzëqeshja e fëmijës, meleku thërriti i gëzuar: -Shpëtoi, shpëtoi...

Në atë çast unë u zgjova dhe thosha me vete fjalën e njeriut të ditur: Sikur ta konsumonim gjithçka që na jep Zoti, nuk do të dilte peshku.

Historia e mëposhtme është histori që ka ndodhur vitet e fundit në Egjipt.

Një çift të rinjsh kishin një djalë 6 vjeç, të cilin e donin shumë. Papritur fëmija fillon të dobësohet dhe ndjente dhimbje. Të shqetësuar e çojnë në spital, ku pas vizitës gjejnë që fëmija ishtë i sëmurë me kancer dhe se i kishte mbetur për të jetuar vetëm disa muaj.

Të mërzitur prindërit e marrin fëmijën në shtëpi në pritje të ditës kur do të vdesë.

Një ditë, babai i fëmijës, shikon një grua të moshuar, duke mbledhur copa buke në koshin e plehrave. I habitur e pyet: -Përse e bën këtë, o nënë? -Kam shumë fëmijë në shtëpi dhe nuk kam me çfarë t’i ushqej,- ia kthen ajo. -Eja me mua,- i thotë, e merr, e çon te dyqani i mishit dhe i thotë shitësit: -Për çdo muaj do t’i japësh kaq mish dhe llogarinë do ta shlyej unë.- Këtë gjë bën edhe tek ushqimet, buka dhe veshjet.

Betohet në Zotin e Madhëruar babai i fëmijës që papritur djali filloi të përmirësohej. E çojnë në spital për ta vizituar dhe doktorët pasi e vizitojnë i thonë: -Ky nuk është djali që ishte i sëmurë me kancer, mos keni sjellë djalin tjetër.- Pasi u tregojnë që ata nuk kishin djalë tjetër, kthehen të gëzuar në shtëpi.

Nuk e dija se nga e kisha këtë mirësi të madhe,- tregon babai i fëmijës. Një ditë teksa po lexoja një libër me thënie të Profetit a.s. lexova thënien e mëposhtme:

"I mjekoni të sëmurët tuaj me sadaka (lëmoshë)”.

Atëherë mendova se kjo më erdhi vetëm ngaqë ndihmova atë nënën e varfër.

Kur njeriu të vdesë, ajo që ka dhënë në këtë botë do të jetë më e dashur për të se ajo që ka mbajtur për vete.

Kur jeton vetëm për vete, do të jetosh i vogël, kurse kur jeton për të tjerët, do të jetosh i madh dhe i lumtur.

Profeti a.s. thotë:

"Veprat e mira, të mbrojnë nga fatkeqësitë”.

Nëse dëshiron që ta mbyllësh jetën mirë, bëju të tjerëve mirë.

Të bërit mirë mund të shfaqet në katër forma:

1- Kur dikush të troket në derë dhe i jep.

2- Kur je ti vetë ai që i kërkon njerëzit në nevojë dhe u jep.

3- Kur jep fonde për shoqatat bamirëse.

4- Kur je ti që hap shoqata bamirëse dhe mbledh fonde për të vobektit.

Njerëzit në përgjithësi luten: O Zot, na jep pasuri. Kurse lutjet e tua, o besimtar, le të jenë: O Zot më bëj nga ata që ndihmojnë të tjerët.

Profeti a.s. lutej çdo ditë:

"O Zot më bëj që të veproj punë të mira, të cilat të më afrojnë pranë Teje”.
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (07/01/2010)
Klikime: 779 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024