Pyetja:
Ju lutem, më tregoni se si t’ia bëj që t’i fal të pesë vaktet, pasi jam në shkollë që nga ora 2:30 e deri zakonisht 8:00 ose 7:30. Unë dëshiroj që ti fal të gjitha vaktet.
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari ju përshëndesim dhe ju dëshirojmë mirëseardhje në faqen tonë, lusim Allahun e Lartësuar t’ju frymëzoj rrugën e udhëzimit në të gjitha punët, jetë të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër!
Kurse sa i përket pyetjes suaj themi se falja e namazeve të obliguara duhet të bëhet në kohët e tyre të caktuara dhe nuk i lejohet muslimanit të shpërfillë, neglizhojë dhe t`i kalojë koha e njërit nga këto namaze e ai mos ta falë atë, përveç nëse për këtë ka arsye të qëndrueshme.
Prandaj, vëlla i dashur, ju këshilloj që të jeni të kujdesshëm dhe të mos neglizhoni në këtë, por të mundoheni të aplikoni faljen e namazeve në kohët e tyre. Kështu që namazet që koha e tyre hyn gjatë qëndrimit tuaj në mësim, mundohuni t`i falni gjatë pushimeve në ndonjë vend në shkollë. Nëse kjo është e pamundur gjithherë, atëherë ju mund të aplikoni nganjëherë edhe këtë formë të faljes: ta bashkoni namazin e drekës me të ikindisë dhe t`i falni ato dy, qoftë në kohën e drekës apo ikindisë, pra keni kohë t`i falni këto dy namaze së bashku që nga momenti i hyrjes së kohës së drekës, deri në ezan të akshamit.
Gjithashtu, njësoj mund të veproni edhe me namazin e akshamit dhe jacisë. Mund t`i bashkoni këto dy namaze në falje, qoftë në kohën e akshamit apo të jacisë.
Kjo formë e bashkimit të namazeve është e lejuar vetëm në raste specifike, si gjatë udhëtimit, sëmundjes apo ndonjë arsye tjetër, siç është rasti i juaj.
Dhe së fundi, dëshirojmë ta vërtetojmë edhe një herë se nëse keni mundësinë ta falni namazin në kohën e tij, veproni ashtu duke gjetur ndonjë vend të qetë në shkollë që ju mund ta bëni faljen, apo nëse keni ndonjë xhami afër mund të shkoni atje. Sido që të jetë mos neglizhoni në këtë për ndonjë arsye që mund të tejkalohet. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju shpërblejë me mirësi në të dy botët!
Alaudin Abazi
|