Si qëndron puna me femrat në xhenetin e begatshëm?
Pyetja: Selamun alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu! Pasi muslimani nuk ngurron asnjëherë të pyesë dhe të interesohet për fenë e tij, edhe unë dëshiroj t’ju parashtroj këtë pyetje. Në shumë hadithe nga Pejgamberi s.a.v.s., në derse dhe bile edhe në shumë libra tregohet për xhenetin e begatë dhe të amshuar, për jetën në të dhe për rehatinë, bukurinë, huritë, etj.. Flitet se edhe shehidi do t’i ketë 72 huri, etj.. Unë as që do të mundem këtu të radhis as një thërrmijë nga ajo që kam lexuar dhe dëgjuar nga ato bukuri dhe berekete në xhenet. Pyetje konkrete është: Si qëndron puna me femrat në xhenetin e begatshëm dhe me gjendjen e tyre? Përkatësisht, me kë do të jenë bashkë: 1. vajza që ka vdekur pa u martuar (me kë do të martohet); 2. gruaja e shkurorëzuar dhe jo më e martuar; 3. gruaja që ka qenë dy herë ose tri herë e martuar (cilin burrë do të ketë atje); 4. gruaja që nuk e ka burrin prej atyre që janë në xhenetet e begatshme (p.sh. Asija, gruaja e Faraonit). Por në përgjithësi edhe për femrën në xhenet, si do të jetojë atje, pasi me të vërtetë ndihem e pavlefshme kur i krahasoj huritë e xhenetit dhe nuk po e di gjendjen e grave të kësaj bote atje. Allahu a.v.xh na bëftë prej atyre që do të jemi në xhenetet e begatë, ju dhe të gjithë muslimanët! Allahu a.v.xh ju shpërbleftë me xhenetin Firdeus!
Përgjigja: Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Sa u përket pyetjeve tuaja, do të mundohemi t`u përgjigjemi radhazi: 1. Vajza që ka vdekur pa u martuar dhe është nga besimtaret, atëherë ajo në xhenet do të martohet me atë që do të dëshirojë nga banorët e xhenetit. Nga ajo çfarë vërtetohet nga citatet që flasin për banorët e xhenetit, në përgjithësi mund të përfundohet se të gjitha femrat do të martohen. 2. Gruaja e shkurorëzuar dhe që ka vdekur pa u martuar më pas, gjithashtu do të zgjedhë burrë nga banorët e xhenetit. 3. Gruaja që ka qenë disa herë e martuar në këtë botë, në xhenet do të ketë rastin të përzgjedhë atë burrë që dëshiron, pasi Allahu i Lartësuar thotë për banorët e xhenetit dhe begatitë që do të kenë në dispozicion: "...për ju do të ketë aty (në xhenet) tërë atë që e dëshironi dhe gjithçka kërkoni.” (Fusilet, 31) Disa nga dijetarët kanë përfunduar se ajo do to jetë në xhenet me burrin e fundit me të cilin është martuar në këtë botë dhe për këtë kanë sjellë hadithe të cilat aludojnë për këtë dhe, si vërehet, më e qëndrueshme është kjo sesa e para. 4. Gruaja besimtare, e cila e ka pasur burrin jobesimtar, në xhenet do të zgjedhë për burrë kë të dojë nga banorët e xhenetit. Dijetari Muhamed Bin Salih Uthejmin thotë: "Gruaja e cila është nga banorët e xhenetit dhe nuk është martuar, ose e ka burrin nga banorët e zjarrit, kur të hyjë në xhenet, do të martohet me ndonjërin nga banorët e xhenetit që nuk është i martuar.” Kurse sa u përket grave të kësaj bote, të cilat do të jenë nga banoret e xhenetit, dhe krahasimit me hyritë e xhenetit (Huru In), nga hadithet të cilat flasin për këtë themi se gratë e kësaj bote në xhenet do të jenë më të bukura, më të mira dhe më të privilegjuara se hyritë e xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata (burrat) dhe gratë e tyre do të jenë nën hijet të mbështetur në kolltukë.” (Jasin, 56). Gjithashtu thotë: "Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar!” (Zuhruf, 70) Kurse për vlerën e tyre ndaj hyrive të xhenetit, Abdullah Ibën Mubareku transmeton një hadith ku Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: "Gratë e kësaj bote, të cilat do të hyjnë në xhenet, do të jenë më të vlefshme se hyritë e xhenetit për shkak të veprave që kanë bërë në këtë botë.” Transmetohet se Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, ka thënë se gratë besimtare të kësaj bote janë më të privilegjuara se hyritë e xhenetit për këto arsye: "Ne jemi falur, kurse ato jo. Ne kemi agjëruar, kurse ato jo. Ne kemi marrë abdest, kurse ato jo. Ne kemi dhënë lëmoshë, kurse ato jo.” Aishja thotë se me këtë gratë besimtare të kësaj bote do t`i mundin hyritë e xhenetit. Prandaj, ky është përgëzim për gratë besimtare që do ta arrijnë xhenetin, pasi ato do të jenë zonjat e xhenetit, më të bukurat se të tjerat dhe do të jenë të privilegjuara dhe të lumtura përjetësisht. Allahu i Lartësuar në lidhje me to thotë: "(në xhenet) Ne i kemi krijuar ato (gratë e kësaj bote që do të hyjnë në xhenet) në një krijim të ri (formë të re shumë më të bukur). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e tyre), të një moshe.” (Vakia, 35-37).
selam alejkm, mos me keqkuptoni por si ashtu qe meshkujt kane te drejte ne 72 femra ne xhehnet perderisa te dy gjinite kane jetuar ne kete bote dmth kane pasur sfidat e njejta per ta arritur xhehentin. faleminderit ju lutem nese mundeni te me pergjigjeni jam shum konfuze per sa i perket kesaj teme. selam alejkum
Only registered users can add comments. [ Regjistrohu | Hyr ]