Pyetja:
Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Kam dëgjuar se më i miri është ai që e shëron veten dhe i shëron të tjerët. E kam fjalën për sëmundje nga xhindet ose sehiret etj. Më tregoni në lidhje me këtë çështje edhe si kam mundësi ta shëroj veten time, kur dihet se unë jam një musliman i thjeshtë, nuk jam hoxhë.
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vërtet, Kurani është i veçantë në shumë specifika; dispozitat që i përmban janë valide deri në Ditën e Kiametit, është mrekulli në përmbajtje dhe në stilin që është shkruar, leximi i tij është adhurim në vete... etj. Ndër këto specifika është edhe ajo se është shërues për njerëzit, gjegjësisht për besimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” Isra, 72.
Prandaj leximi i Kuranit me qëllim të mbrojtjes nga magjia, mësysh, cytjet e shejtanit dhe të xhinëve, është e preferuar për besimtarin. Për këtë kemi rastin ku edhe vet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) i ishte bërë magji nga një person që quhej Lebid Bin Aësem. Dhe tregohet se ky ishte edhe shkaku i zbritjes së dy sureve të fundit të Kuranit, kapitujt “Felek” dhe “Nas”[1].
Pasi kuptuam se shërimi me Kuran dhe hadithe të sakta ka bazë në Islam, duhet të bëjmë një vërejtje ku, për fat të keq, shumë nga njerëzit të vetëquajtur “hoxhallarë” pretendojnë se e bëjnë këtë, por ata në realitet nuk kanë lidhje me shërimin e lejuar “Errukje sherije”[2], por esencë e veprimeve të tyre janë vetë magjitë dhe bashkëpunimet me shejtanët.
Nuk do të zgjerohem më shumë në këtë, por e bëra këtë vërejtje duke e parë se si njerëzit nga injoranca janë dhënë pas këtyre njerëzve. Për këtë ka nevojë një qasje më e saktë dhe një sqarim më i detajizuar, për të cilin shpresojmë se dikush nga hoxhallarët që merren me këtë fushë do të punojë në nxjerrjen e një shkrimi që do t’i njoftojë muslimanët e zakonshëm rreth formës së saktë të saj dhe tërheqjes së vërejtjes rreth formave të ndaluara që praktikojnë disa.
Kurse sa i përket pyetjes tuaj konkrete themi se njeriu i cili merret me këtë nuk duhet të jetë një musliman i thjeshtë, por duhet të jetë një musliman që ka njohuri më të gjëra në mësimet islame. Personi i cili merret me këtë duhet të jetë i parapërgatitur si nga aspekti i njohurive, ashtu edhe nga aspekti i përkushtimit dhe devotshmërisë (takvallëkut) ndaj Allahut të Lartësuar. Prandaj nuk këshillojmë apo, thënë më qartë, nuk është me vend që muslimanët e zakonshëm të merren shumë me këtë dhe të mundohen të bëhen njerëz që njihen se shërojnë me rukje. Edhe pse është e qartë se në këtë vepër ka shpërblime dhe është një punë me vlerë, ashtu siç ju përmendni në pyetje. Është fjala këtu që ata mos të vetëshpallin veten si shërues me rukje dhe të mundohen të bëhen të njohur kështu, pasi për këtë duhet një profesionalizëm dhe njohuri, ashtu siç përmendëm më herët, por nëse këtë e praktikojnë në suaza më të ngushta për vete, e familje nuk ka asnjë të keqe bile kërkohet nga ata ta bëjnë këtë, nëse është e nevojshme.
Kurse si është e mundur që njeriu ta shëroj veten themi se kjo realizohet së pari, duke qenë një besimtar i mirë, i kthyeshëm tek Allahu, pra që kërkon falje gjithmonë për mëkatet dhe bën dhikër (përkujton) Atë. Përkushtimi ndaj Allahut, sinqeriteti në vepra, devotshmëria janë elemente bazë për arritjen e mbrojtjes nga Allahu ruajtjes nga të këqijat si: magjia, mësysh, etj.
Ajo që është e njohur për shumë nga ata që kanë dëgjuar rreth vlerave e virtyteve të Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është se Muhamedi (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka treguar për të dhe raportin që kishte ai me shejtanin ku thotë: “Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, nuk pason ti (o Umer) ndonjë rrugë e që shejtani mos të pasojë rrugë tjetër”[3]
Çfarë e shtyri që shejtani të ikë nga Umeri? Ashpërsia që kishte Umeri (radijallahu anhu) apo devotshmëria?
Padyshim, raportin që e kishte Umeri (radijallahu anhu) me Allahu e Lartësuar e bëri shejtanin të ikë dhe të mos e takojë atë, e mos të themi të mundohej t`i afrohej dhe t`i bënte cytje të ndryshme ashtu siç u bën të tjerëve.
Prandaj, vëlla i dashur, nëse dëshiron të jesh i mbrojtur nga sulmet e xhinëve dhe shejtanëve, magjia dhe veprat e tjera të këqija, forco marrëdhëniet me Zotin tënd.
Gjithashtu, të preferohet ty që nëse gjen në vete ndonjë problem apo nuk ndihesh mirë që të këndosh pjesë nga Kurani, si kaptinën “Felek” dhe “Nas”, Ajetul Kursin (tespi dovën), Fatiha, dy ajetet e fundit të sures “Bekare” dhe pjesë të tjera të Kuranit. Këtë mund ta praktikosh duke i ngritur duart, fryer atyre dhe duke i kënduar këto pjesë të Kuranit ashtu në duar. Më pas duke e fshirë tërë trupin me ato duar.
Nuk do të zgjerohem më shumë, por lus Allahun e Lartësuar të të shërojë ty dhe çdo musliman që vuan nga sëmundje të tilla! Amin!
Alaudin Abazi
25.11.2006
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Hadithet për sihrin e Profetit (Bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) i transmetojnë Buhariu, Muslimi, imam Ahmedi, Ibën Maxhe dhe të tjerët, prandaj mohimin që ia kanë bërë disa nuk është e qëlluar pasi siç kuptuam këto hadithe gjenden në dy koleksioenet më të sakta që ekzistojnë.
[2] Kështu quhet forma e lejuar e shërimit nga Kurani dhe suneti. Fjala “rukje” do të thotë “mbrojtje”.
[3] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerët.
|