Pyetja:
Si mund ta bind dikë se edhe një gotë alkool është haram? Tregoni ndonjë fakt, se me hadithe dhe ajete nuk mund ta bind. Ai më thotë se një gotë të bën dobi, nuk e dëmton asnjërin.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia e këtillë është vetëm një arsyetim shterpë me të cilin njeriu dëshiron t`i lejojë vetes pirjen (e alkoolit). Njerëzit në përgjithësi kanë prirje që edhe nëse e kuptojnë ndalimin e një gjëje dhe dëmin e saj, mundohen ta arsyetojnë veten me arsyetime të këtilla. Allahu i Lartësuar thotë: “Po njeriu është dëshmitar i vetvetes. Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta.” (Kijame, 14-15) Kështu që pretendimet e një personi të këtillë janë vetëm arsyetime dhe asgjë tjetër. Disa mjekë thonë se gjoja pirja e sasisë së vogël të alkoolit nuk është e dëmshme për njeriun, ashtu si pretendon ky person, por studimet e vonshme vërtetojnë se edhe sasia e vogël e alkoolit është e dëmshme për shëndetin e njeriut. Dr. Sarah Levis nga Universiteti i Bristolit ka bërë një studim me të cilin ka ardhur në përfundimin se edhe sasia e vogël e alkoolit është e dëmshme për organizmin e njeriut, posaçërisht për tensionin e gjakut. Gjithashtu studiuesit vërtetojnë se nëse njeriu pi një sasi të vogël alkooli, ajo mbetet në trupin e tij me dhjetëra ditë. Duke i pasur parasysh këto gjëra, themi se dispozitat islame në përgjithësi janë në dobi të njeriut dhe synojnë largimin e dëmeve prej tij. Ndalimi i pirjes së alkoolit shumë qartë e vërteton ruajtjen e mendjes së njeriut, begati me të cilën Allahu i Lartësuar e ngriti njeriun nga krijesat e tjera. Nuk ka diskutim se dehja dhe pirja e alkoolit sjell dëme të shumta, për të cilat shkruajnë edhe vetë ata njerëz të cilët nuk e trajtojnë si të ndaluar në shoqëritë e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90) Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon se pirja e alkoolit është mjet me të cilin shejtani arrin te njeriu, prandaj e quajti gjë të ndytë. Kurse në ajetin vijues Allahu i Lartësuar na tregon shumë qartë shkakun pse janë të ndaluara veprat e lartpërmendura dhe se me këtë ndalesë synohet ruajtja e njeriut dhe e personalitetit të tij. Ai thotë: “Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide, 91) Në këtë ajet kërkohet shumë qartë që largimi të jetë i plotë dhe jo vetëm i pjesshëm. Me fjalë të tjera, në Islam nuk është e ndaluar vetëm dehja, por përdorimi i alkoolit në përgjithësi. Transmetohet se Enes ibën Maliku ka thënë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem në çështjen e alkoolit i mallkon dhjetë lloje njerëzish: atë që e shtrydh atë, atij që i shtrydhet ajo, atë që e pi, atë që e bart, atij të cilit i bartet, atij që i serviret, atë që e shet, atë që ha nga fitimi i tij, atë që e blen, atij të cilit i blihet.” Shënon Tirmidhiu. Pastaj Allahu i Lartësuar urdhëron të mos pasojmë hapat e shejtanit. Ai thotë: “Ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.” (Bekare, 168) Në këtë ajet nënkuptohet se pirja e një sasie të vogël alkooli është pasim i hapave të shejtanit. Gjithashtu, Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Ajo pije, sasi e madhe e së cilës deh (nëse pihet), ndalohet të pihet edhe pak prej saj.” Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe të tjerë. Kjo do të thotë çdo lëng i cili të deh nëse prej tij pihet shumë, atëherë ai lëng është i ndaluar tërësisht edhe nëse nuk të deh pirja e paktë prej tij. Këto ishin disa nga citatet të cilat vërtetojnë ndalimin e pirjes së alkoolit, qoftë edhe pak. Por në fund dëshirojmë të bëjmë me dije edhe një çështje me rëndësi, pasi kërkoni të sjellim fakte të tjera krahas argumenteve të Kuranit dhe hadithit për ta bindur atë person. Njeriu, gjegjësisht muslimani, për të qenë i shpërblyer tek Allahu i Lartësuar për shkak të largimit nga alkoolit, duhet ta bëjë këtë për hir të Tij dhe t`i nënshtrohet ndalimit të cilin e ka përcaktuar. Kjo duhet të jetë thelbësore, kurse dëmet që janë zbuluar nga mjekët apo që do të zbulohen në të ardhmen mund të jenë arsye shtesë për ta vënë në pah vërtetësinë e dispozitave islame dhe kurrsesi të jenë ato primare dhe thelbësore. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|