Pyetja:
Si është puna me fëmijët e qafirave që nuk kanë hyrë në bylyk (pubertet)? Çështja është në aspektin akaidologjik, si llogariten ata në këtë dynja? Unë kam pasur besimin se ata i llogarisim si muslimanë, atëherë a duhet t'ua falim xhenazen? Më intereson kjo çështje, ju lutem! Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Çështja për të cilin ju bëni pyetje është nga çështjet e akides dhe gjithashtu është nga çështjet e kësaj lënde, për të cilën dijetarët e Ehli Sunetit kanë mospajtim, pasi që janë edhe disa gjëra dytësore të acides, për të cilat nuk ka citate të qarta rreth tyre, prandaj ka edhe mendime te dijetarët.
Ibën Kajimi në librin “Tariku Hixhretejn” i shtjellon mendimet e dijetarëve dhe përafërsisht arrin në tetë thënie.
Sido që të jetë duke mos u thelluar themi se mendimet më të fuqishme janë dy:
1. Se ata janë nga banorët e xhenetit.
2. Në Ditën e Gjykimit Allahu i Lartësuar do t`i sprovojë dhe ata që arrijnë të kalojnë sprovimin do të hynë në xhenet, kurse ata të tjerët do të jenë nga banorët e zjarrit.
Këto dy mendime janë më të qëndrueshmet në këtë çështje dhe këto dy qëndrime i përmbajnë dijetarët që e shtjellojnë këtë. Secili qëndrim me vete bartë një numër të argumenteve.
Mendimi të cilin e zgjedh Neveviu, Buhariu dhe një numër nga dijetarët, ndër ta edhe dijetari bashkëkohor Abdulaziz Raxhihi (Allahu e ruajttë!), është se nëse fëmijët e jobesimtarëve vdesin para se të arrijnë moshën e pjekurisë, janë nga banorët e xhenetit. Ata argumentojnë me hadithin që gjendet te Buhariu se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) e ka parë Ibrahimin (alejhi selam) në xhenet, pranë të cilit ishin fëmijët e besimtarëve dhe jobesimtarëve.
Kurse mendimin tjetër e mbajnë një numër tjetër i dijetarëve, ndër ta edhe dijetari i njohur Abdulaziz Ibën Baz dhe nga argumentet e tyre është hadithi të cilin e shënon Buhariu dhe Muslimi se kur u pyet Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) rreth fëmijëve të idhujtarëve se çfarë do të bëhet me ta, ai ka thënë: “Allahu është më i dijshmi se çfarë do të vepronin ata”. Do të thotë se dituria e Allahut e përfshinë atë se çfarë veprash do të vepronin ata po të kishin jetuar dhe arritur moshën e pjekurisë. Pastaj transmetohet një hadith ku sqarohet se Ditën e Gjykimit Allahu i Lartësuar do t`i sprovojë ata duke i urdhëruar në zbatimin e një gjëje. Ata që i nënshtrohen urdhrit të Allahut do jenë nga banorët e xhenetit, kurse ata që nuk i nënshtrohen do të jenë nga banorët e zjarrit.
Kjo ishte sa i përket kësaj problematike. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
|