Nuk mund të besoja që numri i rasteve të vetëvrasjeve në botë arrin në më tepër se tetëqind mijë çdo vit! Para kësaj shifre marramendëse patjetër është dashur të bëhen një sërë studimesh e hulumtimesh rreth kësaj dukurie të rrezikshme. Në këtë studim do të vërejmë se si e trajtoi Kurani këtë fenomen para se ta trajtojë shkenca bashkëkohore.
Çdo dyzet sekonda vetëvritet një individ në ndonjë vend të botës! Çdo vit qindra mijëra persona të tjerë vdesin në botë duke vrarë veten. Çdo vit vdesin 873 mijë njerëz nga aktet e vetëvrasjeve të ndryshme. Vërtet është një dukuri që kërkon një ndalesë të gjatë dhe meditim rreth shkaqeve, motiveve dhe mënyrave të trajtimit.
Në këtë shkrim do të shohim shkaqet reale të mundshme që qëndrojnë pas vetëvrasjes. Këto shkaqe janë rezultat i hulumtimeve që kanë kushtuar miliona dollarë, synimi i të cilave ka qenë gjetja e ilaçit efektiv për vetëvrasjen. Me gjithë shpenzimet e shumta vjetore për trajtimin e kësaj dukurie, numri i të vetëvrarëve çdo vit nuk ndryshon, madje ndonjëherë edhe rritet.
Gjithashtu do të shtrojmë pyetjen: A thua Kurani, libri i Allahut, që është libër të cilin e ka zbritur Allahu sqarues për çdo gjë, nuk e ka marrë në konsideratë këtë dukuri dhe nuk e ka përmendur mënyrën e trajtimit të saj? Do të bëjmë krahasimin ndërmjet ilaçit kuranor dhe atij shkencor për të parë përputhshmërinë mahnitëse, madje për të parë se si Kurani i tejkalon shkencëtarët dhe hulumtimet e tyre shkencore.
Fakte rreth vetëvrasjes
- Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, vërejmë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullimet psikologjike dhe nervore. Më tepër se 90% e rasteve të vetëvrasjeve i kanë shkaqet te çrregullimet psikologjike, saktësisht brengat dhe pikëllimet, gjegjësisht humbja e shpresës që ekzistonte tek ata më parë. - Vetëvrasja konsiderohet shkaku i tetë i rasteve të vdekjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. - Burrat afërisht katër herë më tepër u ekspozohen vetëvrasjes sesa gratë. Ndërsa orvatjet e vetëvrasjeve tek gratë janë më të shumta. - 60 % e rasteve të vetëvrasjeve kryhen me përdorimin e armëve të zjarrit, si pistoleta. - Studimet sinjalizojnë se mundësia e vetëvrasjes te individi rritet me shtyrjen e moshës. Kësisoj vërejmë se një numër i konsiderueshëm në mesin e atyre që vetëvriten janë burra dhe mosha e tyre i kalon 65 vjet.
Faktorët që ndikojnë në vetëvrasje
- Elementi i brengës mbizotëron në ndjenjat e atyre që tentojnë të bëjnë vetëvrasje. - Gjithashtu ndjenja e dëshpërimit luan rol të madh në përgatitjen për vetëvrasje. - Përsëritja e orvatjeve të vetëvrasjeve apo të menduarit për vetëvrasje janë shkaqe të fuqishme për kryerjen e vetëvrasjes më pas. - Varësia ndaj alkoolit dhe drogës mund të jenë prej shkaqeve që çojnë në vetëvrasje. - Bindja ideologjike rreth vetëvrasjes luan një rol thelbësor në pranimin e konceptit të vetëvrasjes. Injoranca e njeriut se vetëvrasja është akt i ndaluar e bën që ta anashkalojë këtë akt. Dikush tjetër mund ta konsiderojë vetëvrasjen si vendim fisnik për t’u mbrojtur nga gabimet ose humbjet e mëdha që nuk mund t’i përballojë mendja. - Humbja e diçkaje të shtrenjtë ose një humbje e madhe mund të çojë në një lloj reagimi që mund të përfundojë me vetëvrasje. - Faktorët psikologjikë si izolimi, veçimi apo armiqësia mund të çojnë në mendimin për vetëvrasje.
Faktorët parandalues sipas të dhënave të shkencës bashkëkohore
Shkencëtarët, të cilët kanë studiuar mijëra raste të personave të vetëvrarë, vërtetojnë domosdoshmërinë e kujdesit ndaj atyre që kanë çrregullime psikologjike sepse ato mund t’i çojnë drejt vetëvrasjes. Pra, është i domosdoshëm kujdesi nga aspekti mjekësor dhe sigurimi i gjendjes psikologjike së shëndoshë për ta.
Natyrisht se ata shkencëtarë e trajtojnë sëmundjen vetëm se pas ndodhjes së saj. Mjeku pret shfaqjen e sëmundjes e më pas bën studimin, analizën dhe gjetjen e ilaçit të përshtatshëm për të. Ata shkencëtarë nuk kanë arritur akoma të gjejnë një ilaç që do t’i lehtësonte apo zvogëlonte rastet e vetëvrasjes, sepse statistikat botërore tregojnë se përqindja e vetëvrasjeve pothuajse është e konstante dhe mund të lëkundet drejt një mesatareje që mund të arrijë me një milion të vetëvrarë çdo vit.
Shifra të frikshme!
Në mënyrë që të mos mendojë dikush se po ekzagjerojmë me këto numra, po paraqesim një statistikë shumë të saktë të bërë në vitin 2002 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , rezultati i së cilës ka qenë: Numri i të vetëvrarëve ka qenë mbi 31 mijë; 25 mijë burra dhe 6 mijë gra. Më tepër se pesë mijë prej tyre kanë qenë mbi 65 vjeç. Numri i të rinjve në mesin e tyre (15-24 vjet) ka qenë katër mijë të vetëvrarë.
Duke u bazuar mbi këto shifra mund të konstatojmë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një person vetëvritet çdo 15 minuta! Në këtë statistikë thuhet se 17 mijë njerëz e kanë vrarë veten me armë zjarri (me pistoletën e tyre), ndërsa më shumë se 6 mijë kanë preferuar varjen. Më shumë se 700 prej tyre janë hedhur nga katet e larta. Më shumë se 300 janë zhytur në ujë dhe janë vrarë duke u fundosur.
Gjithashtu mund të themi mesatarisht se çdo vit vriten 100 mijë persona në aksidente të ndryshme automobilistike e të ngjashme me to. Le të meditojmë pak për numrin shumë të më lartë. Medito për këtë përqindje shumë të lartë të atyre që tentojnë të vetëvriten.
Kurse fakti që të bën të habitesh në këtë raport është se 5 milionë amerikanë kanë bërë përpjekje për ta vrarë veten! Me gjithë mjetet e përparuara që kontribuojnë në rrugën e trajtimit të kësaj sëmundjeje, sërish përqindja e vetëvrasjes është rritur 60% gjatë gjysmës së shekullit të kaluar!
Në të kaluarën ka mbizotëruar bindja se vetëm persona të caktuar anojnë drejt vetëvrasjes, mirëpo faktet shkencore konfirmojnë se te çdo njeri ekziston mundësia e guximit për vetëvrasje sikur të plotësoheshin kushtet e përshtatshme. Ka ekzistuar më parë bindja se biseda rreth vetëvrasjes me personin që synon vetëvrasjen do ta bëjë më të guximshëm për atë akt, mirëpo studimet kanë shfaqur të kundërtën, respektivisht biseda rreth pasojave të vetëvrasjes dhe rezultateve të rrezikshme, dhimbjeve të tij mund të parandalojnë aktin e vetëvrasjes.
Parashtrohet pyetja: Ç’mund të thuhet për librin e Allahut të Lartësuar?
Vërejmë se Kurani Fisnik nuk e ka neglizhuar këtë dukuri, por i ka dhënë rëndësi shumë të madhe duke folur me qartësi dhe thjeshtësi rreth saj, madje na ka urdhëruar që ta ruajmë veten e mos ta vrasim atë. Kurani thotë: "...dhe mos e vritni veten." (Nisa, 29). Ky është urdhri hyjnor që nuk duhet kundërshtuar.
Mirëpo a mjafton vetëm ky imperativ për ta trajtuar këtë dukuri? Jo, për faktin se studimet bashkëkohore vërtetojnë për domosdoshmërinë e përhapjes së shpresës tek ata të dëshpëruar që synojnë vetëvrasjen, për domosdoshmërinë e bashkëveprimit me ta me mëshirë. Për këtë arsye, gjejmë qindra qendra të specializuara për shërimin dhe shpëtimin e atyre që anojnë drejt vetëvrasjes apo orvaten ta bëjnë atë.
Kësisoj, Allahu i Lartësuar e pason këtë urdhër me një lajm përgëzues për çdo besimtar. Ai thotë: "Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju." (Nisa, 29). Thirrje e mbushur me mëshirë, optimizëm dhe shpresë. Por, përse kjo thirrje? Kur mësojmë se shkaku i shumicës së rasteve të vetëvrasjes është humbja e shpresës nga çdo gjë, atëherë arrijmë të kuptojmë rëndësinë e bisedës për mëshirën, veçanërisht në këtë vend.
A mjafton biseda rreth mëshirës dhe shpresës? Jo, sepse disa njerëz nuk iu përgjigjën thirrjes së mëshirës, por duhet frikësimi i tyre nga pasojat e vetëvrasjes. Shkencëtarët në hulumtimet e tyre vërtetojnë se për pengimin e vetëvrasjes patjetër duhet t’u bëhet me dije personave që anojnë drejt vetëvrasjes për rrezikun e aktit të tyre, për pasojat e tij dhe se ai është veprim i dhimbshëm dhe do të përfundojë me pasoja tragjike.
Kjo është një metodologji efektive në pengimin e tyre nga vetëvrasja. Këtë e ka bërë Kurani. Allahu i Lartësuar menjëherë në ajetin vijues thotë:"Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun." (Nisa, 30). Medito këtë dënim hyjnor "do ta hedhim në zjarr", pa dyshim se me të drejtë është rezultat i frikshëm për këdo që bën orvatje për ta vrarë veten.
Nga këtu mësojmë se Kurani Fisnik nuk e ka neglizhuar këtë dukuri, por e ka trajtuar me trajtim ideal. Kësisoj, vërejmë përqindjen më të ulët të vetëvrasjeve në botën islame. Dhe kjo për shkak të mësimeve të Kuranit Fisnik. Përderisa Perëndimi vuan nga mosekzistimi i mësimeve dhe parimeve që do ta pengonin nga marrja e guximit për vetëvrasje, përqindja e vetëvrasjes tek ata është e lartë.
Ndërmjet mitit, shkencës dhe Kuranit
Në kohën e zbritjes së Kuranit kanë qenë të përhapura një sërë bindjesh te popujt. Prej këtyre bindjeve ka qenë edhe ajo se nuk duhet të flitet rreth vetëvrasjes sepse kjo e nxit personin drejt saj. Po të ishte Kurani fjalë e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, të cilën ai e paska mbledhur nga mitet që mbizotëronin në kohën e tij, siç pretendojnë disa, do të ishte e udhës për të që të mos fliste rreth vetëvrasjes, në pajtim me legjendën që ndalon bisedën rreth kësaj dukurie.
Sikur të ishte Kurani fjalë e njerëzve siç pretendojnë, si është e mundur të mësohet se ilaçi efektiv për vetëvrasjen është dhënia e një doze mëshire dhe shprese për personin dhe në të njëjtën kohë një dozë frike nga pasojat e këtij akti? Si mësoi njerëzimi për ilaçin e vetëvrasjes para se ta zbulojnë atë shkencëtarët para katërmbëdhjetë shekujsh?
Ekzistimi i këtyre fakteve shkencore është argument i vërtetë për këdo që ka dyshim se Kurani është libër nga ana e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:"Thuaj: "Atë e ka shpallur Ai që di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai fal shumë dhe është Mëshirues.” (Furkan, 6)
Le të lexojmë tekstin hyjnor të plotë dhe të meditojmë, pasi është plot mëshirë: "Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme. "O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun. Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar." (Nisa, 26-31)
Në përfundim të këtij hulumtimi nuk posedojmë diçka tjetër vetëm se të lutemi me lutjen e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, me të cilën ai është lutur shpesh: "O Allah! Na ruaj prej dënimit Tënd, ditën kur do të ringjallen robërit e Tu!"
Abdudaim el Kehil Përktheu: Almedin Ejupi 11.10.2009
Referencat: 1- Anderson RN, Smith BL. Deaths: leading causes for 2001. National Vital Statistics Report 2003. 2- Një sërë artikujsh në webfaqen e vetëvrasjes http://suicide.com/index.html 3- http://www.cdc.gov/mmwr/preview/mmwrhtml/00049117.htm 4- http://www.cdc.gov/ncipc/cmprfact.htm 5- http://www.cdc.gov/ncipc/factsheets/suicide-overview.htm 6- http://www.suicidology.org/displaycommon.cfm?an=1&subarticlenbr=44 7- http://www.suicidology.org/displaycommon.cfm?an=1&subarticlenbr=21
|