E enjte, 28/03/2024, 09:45
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Shpjegimi i sures Fatiha

Shpjegimi i sures Fatiha

marrë prej Tefsirit të Taberiut, Ibn Kethirit dhe Ibnul Kajjim



Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetin tonë Muhammed, salallahu alejhi ue selem, familjen e tij dhe shokët e tij.

Thotë All-llahu, subhanehu ue teala:”Dhe tashmë sigurisht Ne të dhuruam ty shtatë vargjet e përsëritura vazhdimisht dhe Kur’anin Madhështor.” (Hixhr, 87)

Sureja Fatiha është kaptina hapëse e Kur’anit Fisnik. Ai i cili nuk e reciton atë, për të nuk ka namaz, në bazë të fjalës së të dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue selem, i cili thotë:“Është sureja e parë e mësuar përmendsh prej çdo muslimani.” (Bukhari dhe Muslimi)

Është përsëritur shtatëmbëdhjetë herë vetëm në namazet e obligueshme çdo ditë. Më tej ajo recitohet edhe në namazet jo të obligueshme. Është gjithashtu shërim kur i lexohet një personi të sëmurë (Bukhari), në bazë të fjalëve të profetit, salallahu alejhi ue selem, i cili thotë:”Asgjë e tillë nuk u shpall në Teurat apo në Inxhil.” (Nesai, Hakim, kurse Dhehebiu thotë se është i saktë). Ai, salallahu alejhi ue selem, gjithashtu na informon se kur një musliman e plotëson recitimin e sures Fatiha në namaz, duke përfunduar me “Amin,” dhe kur këto të dyja përputhen, gjynahet e shkuara të adhuruesit janë të falura (Darimi), dhe All-llahu i përgjigjet atij (Muslimi), pavarësisht aftësisë dhe përsosjen e recitimit të kësaj sureje (Muslimi). Është një fakt i trishtueshëm se shumë prej atyre të cilët e lexojnë atë nuk e kuptojnë plotësisht kuptimin e saj. Tefsiri i kësaj sureje është përpiluar në bazë të Tefessireve të dijetarëve të Ehli Sunnetit dhe Xhematit si Ibn Xherijr et-Taberi, Isma’il Ibn Kethir dhe Ibn Kajjim el-Xheuzije, All-llahu i Mëshiroftë. Gjithashtu janë shtuar disa shënime prej Asbab en-Nuzul të Ali Ibn Ahmed en-Nisaburij, rahimehullah, dhe hadithe të profetit, salallahu alejhi ue selem.

1.Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!
2.Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për All-llahun, Zotin e Aleminit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe gjithçkaje që gjendet në të, gjithçka që ka krijuar All-llahu, Zoti i njerëzve dhe i xhinnëve.)
3.I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
4.I Vetmi Zotërues (dhe i Vetmi Gjithëgjykues, Mbisundues) i Ditës së Shpërblimit (Ditës së Ringjalljes).
5.Vetëm ty të adhurojmë dhe Vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).
6.Drejtona në Rrugën e Drejtë.
7.Në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mëshirën Tënde, jo (në rrugën e) atyre që merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugën e) atyre të cilët humbën.”


Është quajtur el-Fatiha (Hapësja) sepse Kur’ani hapet me të ashtu si namazi, Fatihah el-Kitab (Hapësja e Librit) sepse është kaptina e parë në Kur’an, Ummul Kitab (Nëna e Librit) duke iu referuar mendimit të dijetarëve, e bazuar në një hadijth të saktë (i vërtetë) i transmetuar prej Tirmidhiut, es-Sab’ul Mathani (Shtatë të përsëriturat dendur) në bazë të hadithit të sapopërmendur. Është quajtur gjithashtu el-Hamdu, për shkak të fjalëve të para në ajetin e dytë:el-Hamdulilah… Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet janë për All-llahun…


Është e njohur gjithashtu e njohur si es-Salah (Falja), sepse është një pjesë përbërëse e faljes. profeti, salallahu alejhi ue selem thotë:”All-llahu thotë:Falja është e ndarë në dy pjesë (gjysma) midis Meje dhe robit Tim,“ kështu që nëse robi thotë “el-Hamdulilahi Rabil Alemin – Të gjitha falënderimet janë për All-llahun,” All-llahu thotë:”Robi Im më ka falënderuar Mua.” (Muslimi)

Është e njohur gjithashtu si esh-Shifa’a (Shërimi), në bazë të hadithit të Darimij, i cili përcjell prej Ebu Sejid el-Khudrij, i cili e ka dëgjuar të dërguarin e All-llahut, salallahu alejhi ue selem, duke thënë:”Hapja e Librit është shërim për çdo lloj sëmundjeje.”


Gjithashtu është quajtur er-Rukjeh (Lutja Kuruese), bazuar në hadithin e vërtetë, treguar prej Ebu Sejid el-Khudrij i cili thotë:”Disa prej sahabeve të profetit, salallahu alejhi ue selem, shkuan në një udhëtim derisa arritën disa fise arabe (gjatë natës). Ata u kërkuan që t’i trajtonin si mysafirët e tyre por ata refuzuan. Kryetari i atij fisi u kafshua prej gjarprit (apo prej akrepit) dhe ata u përpoqën me ç’mundën për ta kuruar, por ishte e kotë. Disa prej tyre u thanë të tjerëve:”Asgjë nuk e ka ndihmuar atë, a po shkoni për tek njerëzit të cilët qëndruan këtu gjatë natës, ka të mundur që disa prej tyre të kenë diçka (për mjekim).” Ata shkuan tek grupi i Sahabeve dhe u thanë:”Kryetari ynë është kafshuar prej gjarprit (apo akrepit) dhe ne provuam gjithçka por asgjë nuk e ka ndihmuar. A keni ju ndonjë gjë (që mund të na hyjë në ndihmë)?” Një prej tyre u përgjigj:”Po, për All-llah! Unë mund të lexoj një rukje, por ashtu siç ju na refuzuat të na pranonit ne si mysafirë, unë nuk do të lexoj rukje për ju përderisa nuk caktoni një pagesë për ne.” Ata ranë dakord që t’u paguajnë atyre një kope me dele. Një prej tyre shkoi dhe recitoi suren el-Fatiha dhe fryu mbi kryetarin (duke e shoqëruar me pështyme), i cili u përtërit sikur të ishte liruar prej zinxhirëve, u çua dhe filloi të ecë duke mos treguar asnjë shenjë sëmundjeje.

Ata i paguan këta sipas marrëveshjes së tyre. Disa prej tyre (Sahabeve, radijallahu anhuma) sugjeruan që t’i ndanin fitimet mes veti, por ai i cili bëri këndimin tha:”Mos i ndani ato derisa të shkojmë tek Resulullahu dhe t’i tregojmë të gjithë ngjarjen dhe të presim urdhërin e tij.” Kështu ata shkuan tek profeti, salallahu alejhi ue selem, dhe i treguan ngjarjen. I Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, u tha:”Nga e dinit ju se sureja el-Fatiha këndohet si rukje?” Pastaj shtoi:”Ju keni vepruar drejtë. Ndajeni atë që fituat dhe lini edhe për mua një pjesë.” (Transmeton Bukhari.)

Sipas esh-Sh’abi, Ibn Abbasi e quajti atë Asas el-Kur’an (Baza,Themeli i Kur’anit). Ai thotë:“Baza e saj është:Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim.”


Sufjan Ibn Ujejne, rahimehullah, e quajti atë el-uakijeh (Mburoja), dhe Jahja Ibn Kethir, rahimehullah, e quajti el-Kafijeh (e Mjaftueshmja) sepse është e mjaftueshme pa nevojën e ndonjë gjëje tjetër dhe asgjë tjetër nuk është e mjaftueshme pa të.

Është quajtur gjithashtu Suretus-Salah (Kaptina e Namazit) dhe el-Kenz (Thesari), sipas Zemekhsharit.

Është një sure e zbritur në Mekke, sipas Ibn Abbasit, Katades dhe Ebu Alijeh. Gjithashtu është thënë se është zbritur në Medine, nga Ebu Hurejre, Muxhahidi, Atta Ibn Jessr dhe ez-Zuhri. Është thënë gjithashtu se është shpallur një herë në Mekke dhe një herë në Medine. Sidoqoftë, mendimi i parë korrespondon më afër me fjalën e All-llahut:“Dhe tashmë sigurisht Ne t'i dhuruam shtatë vargjet e përsëritura vazhdimisht dhe Kur’anin Madhështor.” (Hixhr, 87) e cila është një sure e shpallur në Mekke, dhe All-llahu e di më së miri.

Sureja përmban shtatë vargje pa ndonjë mospërputhje. Mirëpo, ka patur disa mospërputhje në lidhje me Besmelenë (thënia Bismilah):disa thonë është ajet, ndërsa të tjerë mbrojnë mendimin se nuk është e tillë, dhe të tjerë thonë se është pjesë e ajetit (apo vargut). Në një transmetim të vërtetë të Ebu Davudit, nën autoritetin e Ibn Abbasit, tregohet se profeti, salallahu alejhi ue selem, nuk e dinte kur përfundonte apo fillonte një sure derisa shpallej Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim.


Cilësitë e Fatihasë


Sejid Ibn Mu’ela tregon:”Gjatë kohës që po falesha në mesxhid, i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, më thërriti por unë nuk iu përgjigja atij. Më vonë i thashë:O i Dërguar i All-llahut! Isha duke u falur. Ai tha:A nuk thotë All-llahu:“O ju që keni besuar! Përgjigjuni All-llahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ai (Muhammedi) ju thërret drejt asaj…” (Enfal, 24) Pastaj ai më tha:”Unë do të mësoj ty një sure, e cila është sureja më e madhe në Kur’an, përpara se të largohesh nga mesxhidi,“ dhe pastaj shtrëngoi dorën time. Dhe kur po largohej, unë i thashë:A nuk më the ti:”Unë do të mësoj ty një sure e cila është sureja më e madhe në Kur’an?” Ai tha:”Elhamdulilahi Rabbil Alemin-sureja el-Fatiha, e cila është es-Sab’bul Mathani (shtatë të përsëriturat dendur) dhe Kur’ani Madhështor, i cili më është shpallur mua.” (Bukhari)

Tregohet prej Ibn Abbasit, i cili thotë:”Kur Xhibrili ishte ulur me të Dërguarin e All-llahut, salallahu alejhi ue selem, ai dëgjoi një zhurmë kërcitjeje mbi të. Ai ngriti kokën dhe tha:”Kjo është një portë që u hap sot dhe nuk është hapur kurrë më përpara.” Dhe kur një melaike zbriti përmes tij, ai tha:”Ky është një melek, i cili zbriti në tokë dhe që kurrë nuk ka zbritur më parë.” Ai erdhi te profeti, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha:”Gëzohu për dy dritat që të janë dhënë ty, të cilat nuk i janë dhënë asnjë profeti:Fatiha el-Kitab (Hapësja e Kur’anit) dhe vargjet përfunduese të sures Bekare. Nuk do të lexosh qoftë edhe një shkronjë të vetme prej tyre e të mos jepet shpërblim.” (Muslimi)

Gjithashtu transmetohet se profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Kushdo që u fal pa kënduar Ummul-Kur’an në të, ajo (falja) është e mangët, ajo është e mangët, ajo është e mangët (e pamjaftueshme, e paplotë).” (Muslimi)

Gjithashtu transmetohet se profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”All-llahu, subhanehu ue Teala, thotë:”Unë e kam ndarë faljen midis Meje dhe robit Tim në dy pjesë (gjysma). Njëra gjysmë është për Mua dhe gjysma tjetër është për robin Tim, dhe robi Im do ta ketë (gjejë) atë çfarë kërkoi.” Pastaj i Derguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Këndo!” Robi tha:”Falenderimi i takon All-llahut, Zotit të Botërave.” All-llahu i Lartësuar thotë:”Robi Im më falënderoi Mua.” Robi thotë:”I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.” All-llahu thotë:”Robi Im më lavdëroi.” Robi thotë:”Sunduesi i Ditës së Gjykimit.” All-llahu i Lartësuar thotë:”Robi Im më madhëroi.” Robi thotë:”Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kerkojmë.” Ai thotë:”Kjo është midis Meje dhe robit Tim dhe robi Im do ta gjejë atë çfarë kërkoi.” Robi thotë:”Udhëzona në Rrugën e Drejtë, Rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar mirësi (begati), jo në rrugën e atyre mbi të cilët është Zemërimi Yt, dhe të atyre të cilët humbën.” Ai, më i Larti, thotë:”Të gjitha këto janë për robin Tim dhe robi Im do të gjejë atë çfarë kërkoi.” (Muslimi)

Gjithashtu transmetohet se profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”All-llahu nuk ka shpallur në Teurat apo Inxhil asgjë (të ngjashme me të) si Ummul-Kur’an. Është es-Sa’bul Mathani (Shtatë Ajetet e Përsëritura Dendur) dhe Kur’ani Madhështor, i cili më është dhënë mua.” (Nesaiu dhe Hakimi)


“Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!”


Taberiu rahimehullah thotë:”All-llahu, e lartësuar qoftë përmendja e Tij dhe të shenjtëruar qofshin Emrat e Tij, e mësoi Profetin e Tij, Muhammedin, salallahu alejhi ue selem, e mësoi atë të fillonte veprat e tij me përmendjen e Emrave të Tij të Bukur dhe e urdhëroi atë t’i përmendë ato përpara çdo çështjeje të rëndësishme. Ai bëri me ato çka i mësoi Ai (All-llahu) Sunnetin, të cilin të gjithë njerëzit do ta veprojnë një rrugë duke e ndjekur atë dhe në përputhje me të, dhe ata janë të urdhëruar të fillojnë thëniet e tyre, letrat e tyre, shkrimet e tyre dhe kërkesat e tyre me të… kështu që pasi është kuptuar, kur ndonjëri thotë:”Me Emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,“ dhe fillon të këndojë një sure, kjo me qëllimin e tij:Unë po këndoj me Emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Ngjashëm me thënien e dikujt:Bismilah, para se të ulet apo të ngrihet, apo diçka tjetër, e cila mbart kuptimin e kësaj thënieje, e cila është:Ngrihem me Emrin e All-llahut, Ulem me Emrin e All-llahut."

Ibnul Kajjim rahimehullah ka thënë:”Ju duhet të dini se kjo sure,… përfshin përshkrimin e Atij, i Cili është i adhuruar, i madhëruari, i lartësuari të jetë Ai, me tre Emrat e Bukur… të cilët janë:All-llah, Rab dhe Rrahman.”


Taberiu, rahimehullah, thotë:”Të dy, Rrahman dhe Rrahim, janë emra që burojnë prej foljes rrahima, (e cila do të thotë të tregosh mëshirë, të jesh i dhembshur, i mëshirshëm) dhe të dyja këto bartin kuptimin e “dikujt” që është i mëshirshëm.” Por, ato nuk kanë saktësisht të njëjtin kuptim… Dijetarët e gjuhës arabe kanë rënë dakord se fjala Rrahman përmban cilësi më të fuqishme se sa forma tjetër Rrahim. el-Erzemi, rahimehullah, thotë:”Rrahman, tregon mëshirë për të gjitha krijesat ndërsa Rrahim tregon mëshirë për Besimtarët.”


Ebu Sejjid el-Khudrij, radijallahu anhu, ka thënë:”I Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Isa Ibn Merjem ka thënë:”Rrahman është i Mëshirshmi vetëm në të ardhmen (ahiret) ashtu siç është në dunja, ndërsa Rrahim është i Mëshirshmi në të ardhmen (vetëm në ahiret).”


en-Nesajburi, rahimehullah, tregon se Ibn Abbasi, radijallahu anhu, ka thënë:”E para gjë që solli Xhibrili te profeti, salallahu alejhi ue selem, ishte ajo çka ai tha:”O Muhammed! Kërko strehim tek All-llahu dhe thuaj:Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim.”


et-Taberi, rahimehullah, gjithashtu ka thënë:”Kur Arabët dëshirojnë të flasin për diçka, është zakon i tyre që të përmendin emrin e tij/saj në fillim dhe pastaj vijojnë me virtytet dhe cilësitë… Tani, All-llahu, e lartësuar qoftë përmendja e tij, zotëron (ka) Emra me të cilët asnjë prej krijesave Tij nuk mund të thërritet me to, të cilët Ai i rezervon vetëm për Veten e Tij dhe jo për ato (krijesat), siç është emri All-llah, Rrahman, dhe el-Khalik (Krijuesi).” Pastaj ai thotë:”All-llahu, e Lartësuar qoftë përmendja e Tij, fillon prej Emrit të Tij, All-llah, sepse askush veç Tij nuk ka të drejtë të adhurohet (e cila bëhet e ditur prej emrit të Tij) në çfarëdo aspekti apo këndvështrimi.

Ngjashëm, duke iu referuar Ibn Xheririt, rahimehullah, asnjë nuk ka të drejtë të përdorë apo të thërritet Rrahman, për shkak se All-llahu e ka përmendur atë të dytën. Mirëpo, është e lejuar për njerëzit që të përdorin emrin Rrahim, sepse All-llahu e ka vendosur atë të tretin.


“Të gjitha falënderimet janë për All-llahun, Zotin e Botërave”


Ibn Kethir tregon se Ibn Xherir et-Taberi, rahimehullah, ka thënë se e gjithë mirënjohja (falënderimi) i përket vetëm All-llahut, veças prej të gjithë atyre që adhurohen në vend të Tij, për begatitë e pallogaritshme që u ka dhënë Ai robërve të Tij, për shëndetin të cilin Ai ua siguron organeve të trupit, dhe për këtë veçse Ai e meriton që t’i bindesh, dhe për fuqinë e gjymtyrëve të trupit, për të cilën veçse Urdhërat e Tij duhen zbatuar. Ai gjithashtu i ka begatuar me mbështetjen, të cilën Ai ua ka siguruar atyre, paaftësinë e tyre që të pretendojnë se është e drejtë, dhe kuptimet… të cilat do t’i udhëheqin ata drejt jetës së përjetshme në Vendbanimin e Përjetshëm. Prandaj, për të gjitha këto, falënderimet dhe lavdërimet i përkasin vetëm Zotit tonë, në fillim dhe në mbarim.”


Ibn Xherir, rahimehullah, gjithashtu ka thënë:”el-Hamdulilah është falënderim:All-llahu e falënderon Veten e Tij dhe na drejtohet ne që të veprojmë ashtu, siç thotë Ai: Thuaj:el-Hamdulilah…”


Ibn Abbasi, radijallahu anhu, thotë se el-Hamdulilah është fjala e çdokujt që falënderon dhe kushdo që thotë:”el-Hamdulilah,“ All-llahu thotë:”Robi Im më falënderoi.” (Ibn Ebi Hatim)

Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Përkujtimi më i mirë (për All-llahun) është La ilahe il-lall-llah, dhe lutja më e mirë është el-Hamdulilah.” (Transmeton Ibn Maxhe,Tirmidhi, Nesai… e të tjerë.)


“Zotin e të gjithë Botërave"

Sunduesi është Mbreti, Rregulluesi i çështjeve, dhe Rabb (Sundues) nuk duhet të thërritet askush tjetër përveç All-llahut. Përderisa është e lejuar që të flasësh për të zotin e shtëpisë për shembull, nuk është e lejuar që t’i drejtohemi dikujt tjetër veç All-llahut si Sundues. Është thënë se është më i Madhi i Emrave (të All-llahut). Sipas Ibn Xherijrit, rahimehullah, pronarit (zotëriut) të cilit i bindesh është quajtur rabb; një njeri i cili vendos diçka në rregull apo e vendos atë drejtë, është quajtur rabb; dhe ai i cili zotëron diçka është quajtur rabb. Sidoqoftë, Sunduesi ynë është Zotëriu që nuk ka të barabartë, asgjë nuk është e ngjashme, e njëjtë, e barabartë me sundimin e Tij. Ai është Rregulluesi i çështjeve të krijesave të Tij, përmes begative të cilat Ai na i dhuron ato bujarisht. Ai është Zotëruesi, të Cilit i përket Krijimi (i krijesave) dhe sundimi. Sa për fjalët e Tij “botërat,” kjo i referohet botës së njerëzve dhe xhinnëve në të gjitha kohërat dhe për të gjitha qeniet.

Ibn Kethir, rahimehullah, ka thënë se el-Alemin (botërat) rrethojnë (përfshijnë) çdo gjë përveç All-llahut.

Tregohet se Ibn Abbasi, radijallahu anhu, ka thënë:”Të gjitha falënderimet janë për All-llahun, Zotin (Sunduesin) e botërave – të gjitha falënderimet janë për All-llahun, i Cili zotëron të gjithë krijimin, qiejt, tokën dhe ç'ka në të dhe mes saj, ajo çka na është bërë e ditur dhe atë që nuk e dimë.” Gjithashtu tregohet se ai ka thënë:”Zoti (Sunduesi) i njerëzve dhe xhinnëve.”



“I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti”


Kurtubiu thotë se All-llahu e përshkroi Veten e Tij si Rrahman dhe Rrahim pasi tha:”Të gjitha falënderimet janë për All-llahun, Zotin (Sunduesin) e Botërave,“ me qëllim që të frymëzojë te robërit e Tij frikë dhe shpresë, sepse All-llahu është Rrahman në këtë Botë dhe Rrahim në të Përtejmen. All-llahu thotë:”Shpallu robërve të Mi (O Muhammed) se Unë vërtet jam gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëploti. Dhe se ndëshkimi Im është me të vërtetë ndëshkim i dhembshëm.” (el-Hixhr, 49-50)

Ai, më i Lartësuari, gjithashtu thotë:”… por sigurisht (vërtet) që Zoti yt është i Shpejtë në Hakmarrje (ndaj të pabindurve dhe të djallëzuarve), por sigurisht që Ai është gjithnjë Falës i madh, Mëshirëplotë (ndaj të bindurve, të nënshtruarve ndaj Tij dhe të cilët kërkojnë falje vetëm prej All-llahut dhe i kthehen Atij me pendim).” (el-Araf, 167)

Fjalët e Tij “i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti“ bartin nxitje/shtytje për të bërë mirë përderisa “Zoti (Sunduesi) juaj“ është një kërcënim, frikësim që të mos bësh keq. Tregohet në autoritetin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Nëse besimtari do ta dinte se çfaë ndëshkimi posedon All-llahu, ai do të frikësohej që të besojë se përfundimi i tij është Xhenneti dhe nëse jobesimtari do ta dinte se çfarë mëshire ka All-llahu, ai kurrë nuk do ta humbiste shpresën dhe nuk do të dëshpërohej për Mëshirën e All-llahut.” (Muslimi)

Kjo ndodh sepse nëse besimtari do ta dinte ndëshkimin që i pret të pabindurit, terrorin ekstrem dhe tronditjet e ndëshkimit të Zjarrit të Xhehenemit, kjo do ta bënte atë që t’i nënshtrohej me urtësi dhe bindje të plotë, pa thirrje apo protesta. Ndërsa sa u përket jobesimtarët, sikur ata ta dinin Mëshirën e All-llahut, ata kurrë nuk do t’i humbisnin shpresat prej saj (nuk do të dëshpëroheshin kurrë).


“Zotëruesi i Ditës së Gjykimit”


Sipas Ibn Kajjimit, radijallahu anhu, fjala e parë në arabisht në këtë ajet prej disave lexohet:Malik (Zotërues) dhe prej disa të tjerëve është Melik (Mbret ose Sovran) dhe që të dyja janë të sakta.

Taberi rahimehullah, thotë se Melik rrjedh prej fjalës 'Mulk' (mbretëri ose sovranitet) ndërsa Malik rrjedh prej fjalës 'Milk' (zotërim ose posedim), siç është në fjalët e All-llahut:”… Ne do ta trashëgojmë tokën dhe çfarë ka në të dhe te Ne do të kthehen të gjithë ata.” (Merjem, 40) Dhe ajeti tjetër:”Thuaj: i mbështetem (All-llahut) Zotit të njerëzve, Mbisunduesit (Sovranit) të njerëzve.” (en-Nas, 1-2.)

Përkufizimi i All-llahut për Veten e Tij si Zotërues i Ditës së Gjykimit nuk e mohon posedimin e Tij mbi krijesat e tjera, sepse Ai sapo na bëri të ditur se Ai është Rabbil Alemin (Zoti i Botërave) dhe kjo është e përgjithshme, në këtë jetë dhe të Pastajmen. All-llahu e ka përmendur Ditën e Gjykimit vetëm me qëllimin që ta bëjë të qartë për ne se asnjë nuk mund të pretendojë ndonjë gjë për veten e tij në atë Ditë, siç thotë Ai:”Ditën kur Shpirti (Xhibrili) dhe melaiket do të paraqiten në rreshta askush nuk do të flasë, përveç atij që i Gjithëmëshirshmi do ta lejojë dhe ai do të flasë të drejtën.” (Nebe’, 38)

Dhe ajeti tjetër:”… dhe gjithë zërat do të nënshtrohen për të Gjithëmëshirshmin. Asgjë nuk do të dëgjohet veç zhurmës së lehtë të hapave të tyre.” (Ta-Ha, 108)

Tregohet se Ibn Abbasi, radijallahu anhu, ka thënë:”Sunduesi i Ditës së Gjykimit“ – Asnjë nuk do të posedojë (zotërojë) ndonjë gjë prej gjykimit në atë Ditë pranë Tij, siç veprojnë në këtë dunja (botë). Ndërsa Jeumid-Din është Dita e Llogarisë për të gjitha krijesat dhe Dita e Gjykimit, kur Ai do t’i gjykojë ata në bazë të veprave të tyre; nëse janë të mira, Ai do t’i shpërblejë ato me të mira; nëse janë të këqija, Ai do t’i shpërblejë ato me të ngjashme, përveç ato të cilat Ai do t’i falë.” Kjo është thënë prej shumë Sahabëve dhe Selefëve tanë të mirë.


“Vetëm Ty të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë.”


Leximi më i pranuar i fjalëve të para në këtë ajet në arabisht është:”Ijjake” (Ty), me sheddeh mbi germën J. Sidoqoftë, Ibn Fajid e lexonte atë 'Ijaake,' pa sheddeh, porse kjo është refuzuar sepse sipas Ibn Kethirit, rahimehullah, 'Ijaa' do të thotë dritë e diellit. Gjithashtu tregohet se disa e këndonin 'Ajake' dhe të tjerë 'Hijake.'

Fjala e dytë në ajet më së shumti këndohet (apo është kënduar) 'Neste’ijn,' por është lexuar gjithashtu prej disave si 'Niste’ijn,' dhe ky është shqiptimi i fiseve Beni Asad, Rabij’ah dhe Beni Temim.

“Adhurim” apo “Ibadeh,” në gjuhën Arabe ka kuptimin të jesh i përmbledhur për dashurinë e plotë, nënshtrim dhe frikë. Në këtë ajet, objekti i foljes, All-llahu, është përmendur i pari:Ty të adhurojmë. Fjala 'Ijjake' (Ty) është përmendur dy herë në të njëjtin ajet me qëllim që të theksohet se ne nuk adhurojmë tjetër veç All-llahut dhe ne kërkojmë ndihmë veçse prej Tij, më të Lartit. Kjo është një bindje e plotë (totale) dhe e tërë feja qëndron mbi këto dy kuptime:Adhurim dhe Vartësi (Ibadeh dhe Teuekul). Për shkak të kësaj disa prej Selefëve e quajtën këtë sure Sirr el-Kur’an (Sekreti i Kur’anit) dhe ky ajet është sekreti i sures Fatiha, ashtu siç sapo përmendëm, që kur një musliman këndon këtë ajet në namaz, All-llahu thotë:”Kjo është midis Meje dhe robit Tim, dhe robi Im do ta gjejë gjithë çka do të kërkojë.” (Muslimi)

Ibnul Kajjim, rahimehullah, thotë:”Me të vërtetë All-llahu nuk duhet të adhurohet (në mënyrë tjetër) veçse në mënyrën të cilën Ai e do dhe kënaqet prej saj. Dhe adhurim është ta falënderosh Atë, ta duash Atë dhe t’i frikësohesh Atij me fitreh (natyrshmërinë e njeriut kur lind) duke besuar në Teuhidin e All-llahut. Thotë i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem:”Çdo fëmijë është i lindur në fitreh, pastaj prindërit e tij e bëjnë atë Çifut apo Kristian.” (Transmeton imam Malik)

Taberi, rahimehullah, thotë se ajeti ka kuptimin:”Përpara Teje, o Ilahu (i Adhuruari) ynë, ne përulim vetet tona, i ulim dhe i nënshtrojmë vetet tona, rrëfehemi, o Zoti ynë, sundimi të përket vetëm Ty dhe askujt tjetër.

Ibn Abbasi, radijallahu anhu, thotë:”Xhibrili i tha të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue selem:“O Muhammed! Thuaj:Ijjake n’abudu.“ (Kjo ka kuptimin):”Ne deklarojmë se Ti je i Vetëm. Ty të frikësohemi dhe te Ti shpresojmë, o Zoti ynë, dhe askujt tjetër.”


Në kuptimin e kësaj, Taberi, rahimehullah, thotë:”Kjo përputhet me atë çka thamë, veçse ne e shpjeguam atë me terma (fjalë) përuljeje, uljeje dhe nënshtrimi, më saktë sesa ato të shpresës dhe frikës. Por, shpresa dhe frika vijnë vetëm prej nënshtrimit. “Ai më tej e shpjegon suren me këto fjalë:”Ty, o Zot, të falemi (lutemi) për ndihmë, të adhurojmë dhe të bindemi në të gjitha çështjet tona, dhe askujt tjetër, sepse kushdo që të refuzon Ty, ai i lutet hyjnive false (të rreme) të cilat ai i adhuron dhe u kërkon ndihmë në çështjet e tij, ndërsa ne të lutemi Ty për ndihmë në të gjitha çështjet tona duke kushtuar vetet tona për të adhuruar Ty (dhe Vetëm Ty).”



“Udhëzona në Rrugën e Drejtë.”


Është një marrëveshje sipas Ibn Kethirit, rahimehullah, se leximi i saktë i fjalës Arabe “Sirat" (Rrugë) në këtë ajet është me germën Sad, megjithëse është lexuar me gërmën Sin dhe me germën Ze. Është forma më e mirë e kërkuar për të lavdëruar (falënderuar) All-llahun:”Ty të adhurojmë dhe ndihmën Tënde kërkojmë,“ dhe pastaj t’i kërkosh Atij “Udhëzona në Rrugën e Drejtë,“ për vete dhe për vëllezërit e motrat. Për këtë kjo është kërkesa më e mirë që të përgjigjet. Dhe Udhëzimi i përmendur këtu është Udhëzimi i Drejtë e i Suksesshëm. Dhe kërkesa është, bëje të qartë për ne të mirën dhe të keqen që ne të mund të arrijmë sukses, ashtu siç thuhet në fjalët e njerëzve të Xhennetit:”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për All-llahun, i Cili na udhëzoi ne për në këtë vend. Kurrë nuk do të kishim gjetur drejtim po të mos na kishte udhëhequr All-llahu…“ (el-Araf, 43)

Ka pasur disa mosmarrëveshje rreth kuptimit të saktë të fjalës 'Sirat' midis dijetarëve të Tefsirit (Mufesirëve). Është thënë prej disave se është vetëm një gjë, e ajo është: Ndjekja e All-llahut dhe Profetit të Tij. Gjithashtu është thënë se ka kuptimin:Libri i All-llahut dhe të Kapurit Fort pas All-llahut (Siç thotë All-llahu, subhanehu ue Teala:”Kushdo që mohon Tagutin dhe beson në All-llahun, atëherë ai ka rrokur mbajtësin më të sigurt që nuk thyhet kurrë. Dhe All-llahu është i Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.” (el-Bekare, 256)

Është thënë gjithashtu se nënkupton Islamin dhe kjo është Feja e All-llahut.

Muxhahid, rahimehullah, thotë:”Udhëzona në Rrugën e Drejtë" është e Vërteta. Dhe kjo sipas Ibn Kethirit është shpjegimi më i plotë, i cili nuk bie në kundërshtim me shpjegimet dhe All-llahu e di më së miri. Është thënë gjithashtu se ka për qëllim Profetin, salallahu alejhi ue selem, dhe Ebu Bekrin e Ummerin, radijallahu anhuma. Sipas Ibn Kethirit, kjo dhe të gjitha thëniet e tjera janë të vërteta dhe nuk janë në kundështim me njëra-tjetrën, sepse nënkupton që udhëzimi është duke ndjekur dhe duke iu bindur të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem dhe pasardhësve të të tij të udhëzuar në të drejtën. Dhe, kushdo që vepron kështu ka ndjekur të Vërtetën, Islamin, dhe kushdo që ndjek Islamin ndjek Kur’anin, Librin e All-llahut dhe Kapjen e Fortë të Tij dhe Rrugën e Drejtë të Tij, për të cilën u dërgua profeti i All-llahut, salallahu alejhi ue selem. Çdo njëra prej këtyre kuptimeve përkrah (mbështet) të tjerat.

Taberi rahimehullah thotë:”Sipas pikëvështrimit tonë, kuptimi… është: Na mundëso që të ngulmojmë suksesshëm në Rrugën e Drejtë.”


Pastaj ai përmend se Ibn Abbasi, radijallahu anhu, ka thënë:”Xhibrili, alejhi Selam, i ka thënë Muhammedit, salallahu alejhi ue selem:”Do të thotë (ka kuptim):Na frymëzo ne (që të ndjekim) Rrugën Udhëzuese.”


Ibn Xheriri, rahimehullah, gjithashtu tregon se është thënë se kjo ka kuptimin:”Na ngrit ne në Udhëzim, dhe kjo nuk ka mospërputhje me thënien e parë:Shërbëtori duhet t’i kërkojë zotëriut të tij që t’i japë atij sukses në zbatimin e detyrave, të cilat ai ia ka ngarkuar atij në atë çka i ka mbetur
prej jetës së tij.”


Ibnul Kajjim rahimehullah thotë:”Udhëzimi ka kuptimin:shpjegim dhe qartësim, i pasur me sukses dhe frymëzim. Dhe nuk ka mënyrë tjetër për të arritur shpjegimin dhe qartësimin përveç se prej të të Dërguarve. Dhe kur shpjegimi dhe qartësimi të jenë arritur, ato shkojnë dorë më dorë me Udhëzimin e Suksesit, besimi shtohet në zemrën dhe dashurinë e tij dhe zbukurohet në zemrën e tij dhe ndikon tek ai pozitivisht, duke e bërë atë që të kënaqet me të dhe që ta dëshirojë atë.”


“Në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mëshirën Tënde, jo (në rrugën e) atyre që merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugën e) atyre të cilët humbën.”


Profeti, salallahu alejhi ue selem, na lajmëroi se All-llahu i Lartësuar thotë kur robi i Tij thotë:”Udhëzona në Rrugën e Drejtë,” Ai thotë:“Kjo është për robin Tim, dhe robi Im do ta gjejë atë çfarë kërkoi,“ dhe sipas fjalëve të Ibn Kethirit, Fjalët e All-llahut:”Në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mëshirën Tënde,“ është tefsiri (komentimi) i fjalëve të mëparëshme:”Udhëzona në Rrugën e Drejtë,“ dhe atyre të cilëve All-llahu u dhuroi Mëshirën e Tij janë të përshkruar në suren en-Nisa, ajeti 69:“Dhe kush i bindet All-llahut dhe të Dërguarit (Muhammedit), atëherë ata do të jenë në shoqërinë e atyre mbi të cilët All-llahu ka derdhur Mëshirën e Tij, (në shoqërinë) e Pejgamberëve, të Sadikunëve (të të besuarve, ndjekësve më të afërt të Pejgamberit si Ebu Bekr es-Siddik, e të tjerë), të Dëshmorëve (Martirëve, Shehidëve), të të drejtëve. Dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!”


Sipas ed-Dahak, rahimehullah, Ibn Abbasi, radijallahu anhu, thotë se ata të cilëve All-llahu u dhuroi Mëshirën e Tij janë ata të cilët e adhuruan Atë dhe iu bindën Atij mes Melaikeve, Profetëve, Besimtarëve dhe të Drejtëve, dhe kjo përputhet me atë çka thotë All-llahu në suren en-Nisa. Sipas disa dijetarëve, ata mbi të cilët është Zemërimi i All-llahut janë Çifutët dhe ata të cilët u humbën (devijuan) janë Kristianët. Kjo është thënë prej Adij Ibn Hatijm, radijallahu anhu, dhe Sufjan Ibn Ujejneh, rahimehullah, dhe është transmetuar prej shumë transmetuesve të tjerë me fjalë të ndryshme por me ndryshim të vogël (afërsisht të njëjta me të parët). Shumë ajete në Kur’an e mbështesin këtë që flasin për Zemërimin e All-llahut ndaj Çifutëve dhe Kristianëve.

Taberi rahimehullah thotë:“Cilët janë ata që marrin mbi vete Zemërimin e Hyjnisë, për të cilët All-llahu na urdhëron ne që t’i lutemi (t’i kërkojmë) Atij që të mos jemi prej tyre? Ata janë të cilët All-llahu i përshkruajti në Shpalljen e Tij siç vijon:“Thuaj (o Muhammed, popujve të Librave të Parë):A t’ju njoftoj për një gjë akoma më të keqe se ajo, duke patur parasysh shpërblimin nga ana e All-llahut: ata (çifutët) të cilët tërhoqën mbi vete Mallkimin e All-llahut dhe Zemërimin e Tij, ata (disa) prej të cilëve Ai i shndërroi në majmuna dhe në derra, ata të cilët adhuruan Tagutin (perëndi e zota të paqenë); të këtillët janë në shkallën më të keqe (në Ditën e Ringjalljes, në Zjarr të Xhehenemit) dhe tepër larg nga Rruga e Drejtë (në jetën e kësaj bote).” (el-Maideh, 60)

All-llahu na lajmëron ne në këtë ajet për ndëshkimin që u dërgoi (zbriti) atyre për shkak të mosbindjes ndaj Tij. Pastaj Ai na thotë, si një gjest butësie për ne, si mund të ruhemi prej ndëshkimit që ka rënë mbi ta (të mos bëhemi si shembulli i tyre), dhe kjo është Mëshira e All-llahut për ne.”


Transmetohet prej Ammar Ibn Jassir, radijallahu anhu, se i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:”Tryeza (maideh) u zbrit prej Qiellit me bukë e mish, dhe ata (çifutët) u urdhëruan që të mos jenë jobesimtarë dhe të mos rezervojnë për të nesërmen (mëngjes). Por ata ishin jobesimtarë, rezervuan dhe lanë për në mëngjes (ushqim). Kështu ata u shndërruan në majmuna e në derra.” (Tirmidhi)

Suren Fatiha duhet parë si shembull të lavdërimit, falënderimit dhe madhërimit të Tij duke përmendur Emrat e Tij të Lartë me domosdoshmërinë e besimit të Cilësive të Tij më Madhështore. Dhe ne jemi të përkujtuar për Ditën e Gjykimit dhe për shpërblimin e Besimtarëve dhe për pastërtinë e adhurimit, dhe se All-llahu nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe Udhëzimi vjen vetëm prej All-llahut. Në të është inkurajimi për të bërë vepra të mira dhe kërcënimi (frikësimi) kundrejt kryerjes së gjynaheve.

Ibn Kethiri, rahimehullah, thotë se është e preferueshme (e pëlqyeshme) kompletimi i leximit të sures Fatiha duke thënë “Amin!,” e cila do të thotë:”O All-llah! Përgjigju lutjes sime.”


ue’il Ibn Hexhr, radijallahu anhu, ka thënë: E kam dëgjuar Profetin, salallahu alejhi ue selem, të thotë:”… jo (në rrugën e) atyre që merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugën e) atyre të cilët humbën - Gajril magdubi alejhim ueled-da~lin,“ pastaj tha “Amin“ duke e zgjatur atë.” Transmeton Ebu Davudi dhe Imam Ahmed Ibn Hambel. Ebu Davudi shton se profeti salallahu, alejhi ue selem e ngrinte zërin e tij.

Ky është fundi i tefsirit (shpjegimit, komentimit) të sures Fatiha. Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet janë për All-llahun, prej Tij buron (vjen) e gjithë Mëshira. All-llahu na udhëzoftë të gjithëve në Rrugën e Drejtë!

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/10/2009)
Klikime: 958 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024