Pyetje:
Jam 21 vjeçare, jam e martuar qe 2 vjet dhe e kam një djalë. Por kam probleme me burrin gjithmonë. S’ka ditë që nuk përlahemi. Bash kur është më së miri unë prapë përlahem me të. S’di çka u bë. Shpesh mendoj të ndahem prej tij por nuk mundem, më parë vetëvritem se që ndahem e këtë gjë e kam provuar 2-3 herë ta bëj por s’ka pasur sukses. S’po di çka të bëj? Shpesh ngushëllim e kam vetëm djalin të cilin e dua shumë po edhe pa burrë s’mundem të jetoj se e dua pa masë. Aq shumë e dua sa më parë e mbys veten se që ndahem prej tij. Megjithatë problemet e mia s’po shkojnë duke u pakësuar. Jam duke vuajtur. Më është bërë jeta bajat. Ai refuzon t’i kryej obligimet martesore duke më ofenduar me fjalë të ndryshme. Unë tërë kohën vetëm qaj, s’po kam vullnet për asgjë, as të punoj, as për asgjë tjetër. Shpesh po më duket që edhe djalin e kam lënë pas dore duke menduar për problemet e mia. S’po di çka të bëj? Të ndahem prej tij s’mundem se e dua shumë po as kështu s’po mundem se shumë jam kah lëndohem. Më herët ka qenë ndryshe, më ka kuptuar, i kemi ndarë problemet së bashku, por tash gjithçka ka ndryshuar, s’është asgjë si më parë. Ai punon, edhe unë kam punuar më parë por tash qe 7 muaj jo se djalin e kam të vogël. S’po di çka të bëj. TË LUTEM, MË NDIHMO! Shumë kam nevojë që të më ndihmojë dikush. Kam lexuar që ju keni ndihmuar shumë njerëzve, të lutem më këshillo edhe mua që të dalë në rrugë të drejtë e më trego se çka të bëj. Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigje:
Motër e nderuar, jeta martesore është e mbushur me peripeci të ndryshme dhe kërkon një parapërgatitje për problemet eventuale që dalin nga jeta martesore. Nga pyetja e juaj mund të kuptoj se jeni e re dhe jeni martuar e re, dhe ndoshta mund të përfundoj se në jetën tuaj me burrin nuk ka asgjë serioze që e prish rehatinë e jetës suaj bashkëshortore, por është mungesa e eksperiencës suaj dhe e burrit tuaj ajo që ju mungon dhe nuk mund të dilni nga problemet martesore, sado që ato duket se janë të vogla.
Ju e konfirmoni se me burrin keni probleme që dëshironi t'i zgjidhni, por nuk e gjeni mënyrën e duhur. Thoni se burrin e doni dhe nuk dëshironi të ndaheni nga ai. Pra, ndarja e juaj nga ai dhe prishja e rendit dhe e rritës së fëmijës dyvjeçar pa njërin prej prindërve qenka zgjidhje e papranuar, gjë që edhe unë ashtu do t'ju sugjeroja.
Që të vetëvriteni e t'i "përfundoni" problemet e jetës, këtë e keni të qartë se është e ndaluar rreptësisht me Islam dhe kjo mënyrë, aspak nuk guxon të numërohet si dalje nga problemet, por përkundrazi, kjo është një futje edhe më e thellë në probleme serioze të ahiretit, andaj edhe këtë nuk duhet ta bëni!
Atëherë nuk mbetet tjetër përpos t'i përballoni telashet eventuale që i sjellë me vete martesa dhe të kontribuoni në zvogëlimin e tyre dhe daljen me sukses nga to në mënyrën sa më të mirë. Për të arritur këtë gjë ju sugjeroj si në vijim:
Lexo më tepër dhe arsimohu fetarisht sa më shumë, në këtë mënyrë do të kuptosh më mirë të drejtat dhe obligimet që i ke si nënë e si bashkëshorte!
Praktiko të gjitha obligimet fetare dhe mos neglizho asgjë prej tyre, duke i vu theks të veçantë faljes së pesë kohëve të namazit si dhe mbulesën!
Thirre në këto parime edhe burrin tënd, pra në arsimim dhe praktikë të fesë që t'i kuptojë edhe ai të drejtat dhe detyrat e tij nga Allahu si baba e bashkëshort!-
Shoqërohu, me lejen e burrit, me shoqe të mira e të moralshme, të cilat të nxisin për vepra të mira dhe të largojnë nga të ligat!-
Pranoje se je e re dhe merr mësim e përvoja nga gra më të vjetra, si nëna e juaj, vjehrra etj., se si duhet t'i durosh fjalët e liga, mospërfilljen eventuale të burrit, durimin ndaj fjalëve jo të rehatshme, tejkalimin e sprovave, ballafaqimin me sfida edhe më të mëdha që dalin nga jeta bashkëshortore etj.!-
Kuptoje se jeta martesore është një kështjellë që duhet ta ndërtosh me mund të madh, por edhe mund ta shfrytëzosh si mburojë në rrethanat më të vështira, nëse ke arritur ta ndërtosh me maturi e largpamësi!-
Adaptohu me jetën e brendshme shtëpiake, ku tani e ke rolin e madh të mamisë dhe edukatores, në këtë rast ndaj atij që e linde para dy vjetëve, djalit tuaj, andaj mos lejo që të ndihesh monotone në këtë detyrë të shenjtë e ta lakmosh jetën tuaj prej nëpunëse jashtë shtëpisë që e kishe më parë!-
Praktiko çdo mëngjes e çdo mbrëmje dhikrin -lutjet adekuate, të cilat i gjen të radhitura në libërthin "Mburoja e Muslimanit"!-
Nëse pas praktikës së këtyre porosive nuk keni gjetur rehatinë bashkëshortore akoma, atëherë kërko udhëzim nga ndonjë hoxhë, duke u takuar me burrin dhe duke shqyrtuar së bashku për rrugëdaljen nga jeta e pashije dhe e zymtë martesore!
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku
|