"O besimtarë!"
Falënderimi i takon vetëm Allahut, që ia shpalli robit të Vet librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. I falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim. Falënderimi i qoftë Allahut dhe shpëtimi qoftë mbi robërit e Tij që Ai i zgjodhi (Pejgamberët)! Falënderimi i takon Allahut, e të Cilit është çka ka në qiej dhe çka ka në tokë dhe i tërë falënderimi i takon Atij në botën tjetër. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e mëshirës, Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, kurse çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar muslimanë!
Allahu i Lartësuar e privilegjoi bashkësinë muslimane me librin e shenjtë, Kuranin. Ata të cilët kërkojnë udhëzim jashtë Kuranit vetëm kanë humbur, ai është përkujtimi më i mirë. Mendja e njeriut nuk mund ta hasë dot libër më të famshëm e më të dobishëm se Kurani. Kurani është jetë, dritë dhe shpirt. "A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë."1
Jetë pa shpirt nuk ka; kur largohet ai, përfundon jeta. Ata që jetojnë larg udhëzimit kuranor, Allahu i Lartësuar i konsideroi të vdekur, edhe pse ata hanë dhe pinë, ecin dhe lëvizin.
"Sigurisht që ti (Muhamed), nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë thirrjen tënde, kur të kthejnë shpinën. Ti nuk mundesh t’i nxjerrësh as të verbëritë nga humbja e tyre! Ty të dëgjojnë vetëm ata që të besojnë Shpalljet Tona dhe na nënshtrohen Ne (si muslimanë)."2
Allahu i Lartësuar kërkon që të zhvillojmë jetë kuranore duke marrë porositë e Tij dhe duke i jetësuar në jetë. Ibën Mesudi thotë: "Kur e dëgjon fjalën e Allahut të Lartësuar (يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ) "O besimtarë!" përqendroje të dëgjuarit mirë, vërtet thirrja mund të jetë urdhër për mirësi ose ndalim nga e keqja.
Në vazhdim do të shkëpusim vetëm disa thirrje të Allahut të Lartësuar, prej 88 thirrjeve të regjistruara në Kuran. Kini në konsideratë thirrjen e Allahut të Lartësuar, se kjo është thirrje për jetë, shpirt dhe dritë... E lusim Allahun që t’ua lehtësoj përgjigjen e sinqertë dhe të drejtë!
O besimtarë!Besoni vazhdimisht Allahut, të Dërguarit të Tij, librit që gradualisht ia shpalli të Dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të Dëguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.3
O besimtarë!Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit, ai është armiku juaj i përbetuar.4
O besimtarë!Bindjuni Allahut, bindjuni të dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.5
O besimtarë!Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë Allahu është më të duruarit.6
O besimtarë!Kujtoi mirësinë që ju dha Allahu ditën, kur Ai pengoi duart e një grupi njerëzish që i kishin zgjatur ato për t’ju dëmtuar ju. Frikësojuni Allahut! Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu!7
O besimtarë!Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë! 8
O besimtarë!Hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni. 9
O besimtarë!Mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i mëshirueshëm për ju.10
O besimtarë!S’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.11
O besimtarë!Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.12
O besimtarë!Mos zini miq as jehuditë, e as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre. Vërtet Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqar.13
O besimtarë!Mos i zini miq jobesimtarët e t’i lini manash besimtarët! A doni t’i sillni Allahut argument të qartë kundër vetës! 14
O besimtarë!Vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hirë të Allahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse Allahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocionin e t’i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrëmbëroni ose tërhiqeni, Allahu hollësisht di ç’ka punoni.15
O besimtarë!Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, u dëshirojnë çka u mundon juve. Urrejta kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjoksat tyre është edhe më e madhe. Ne pra, ua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni.16
O besimtarë!Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo.17
O besimtarë!Falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim.18
O besimtarë!Përkujtoni Allahun sa më shpesh.19
O besimtarë!Lutuni për atë (Muhamedin, duke rënë salavate) dhe përshëndeteni me selam! 20
Të nderuar besimtarë!
Përgjigjuni thirrjeve të Allahut të Lartësuar! Rregullojeni jetën nën hijen e thirrjeve hyjnore, se vetëm kështu mund ta gjeni shpëtimin dhe faljen e Tij. Allahu im! Më bëj nga ata që i përgjigjen thirrjes së Krijuesit!
1 Enam, 122.
2Nemël, 80-81. 3Ennisa, 136. 4Bekare, 208. 5Nisa, 59. 6Bekare, 153. 7Maide, 11. 8Enfal, 24. 9Ekare, 172. 10Ennisa, 29. 11Maide, 90. 12Bekare, 278. 13Maide, 51. 14Ennisa, 144. 15Ennisa, 135. 16Aliimran, 118. 17Enfal, 27. 18Haxh, 77. 19Ahzab, 41. 20Ahzab, 56.
Ulvi Fejzullahu
|