E hënë, 23/12/2024, 16:56
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Pyetje & Përgjigje

Qëndrimi i medhhebit hanefi në lidhje me mbajtjen e gishtit në teshehud

Pyetja:

Selamun alejkum hoxhë i nderuar!
Kam një pyetje rreth lëvizjes së gishtit në namaz.
E di se ekzistojnë disa hadithe të vërteta rreth lëvizjes së gishtit në namaz, në etehijat, por dua të di për mënyrën rreth ngritjes së gishtit në fjalën Esh-hedu en Lahilahe il-lAll-llah, pastaj ta ulim në fund të kësaj fjalie.
A ka argument për këtë?
Po nëse nuk e lëvizim fare gishtin? A do të jetë namazi ynë i plotë?

Unë nuk po i kundërshtoj hadithet për lëvizjen e gishtit sepse vetë e praktikoj këtë sunet, por vetëm desha të dija për mënyrat e lartpërmendura.

Allahu ju shpërbleftë!

 

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Forma e mbajtjes së dorës së djathtë dhe gishtit tregues gjatë uljes në namaz është çështje që ka të bëjë me sunetet e namazit, prandaj në këtë nuk vjen në pyetje pranimi, respektivisht mospranimi i namazit. Diskutimi dhe shtrimi i kësaj meseleje te juristët islam ndërlidhet me atë se cila është e preferuar (sunet) të praktikohet.

Në përgjithësi në lidhje me këtë kemi disa transmetime nga dijetarët dhe ne mund të përmbledhim këto mendime:

  1. Në medhhebin hanefi më i njohur është qëndrimi se gishti tregues ngrihet në teshehud, gjatë thënies së shehadetit (dëshmisë) te fjala "La ilahe...”. Ekzistojnë edhe mendime të tjera në këtë te henefitë, por ky është më i përhapuri.
  2. Ndërsa te shafitë më i njohur është qëndrimi se gishti ngrihet te fjala "...il-la Allah...”, gjithashtu edhe tek ata ka mendime të tjera të njohura.
  3. Malikitë thonë se gishti lëvizet majtas dhe djathtas gjatë tërë teshehudit.
  4. Te hanbelit gishti ngrihet çdo herë që përmendet emri i Allahut, gjatë lutjeve. 
  5. Gishti mbahet i drejtuar nga kibla gjatë tërë qëndrimit në teshehud. Ky është qëndrim i një numri të konsiderueshëm dijetarësh dhe këtë mendimi e përzgjedh edhe imam Tahaviu, njëri nga nxënësit e Ebu Hanifes, Allahu i mëshiroftë të dy.
  6. Gishti tregues mbahet i ngritur në drejtim të kibles dhe lëvizet. Ky është qëndrim i një numri dijetarësh dhe kjo përcillet nga imam Ahmedi.

 

Këto janë mendime të fukahave të nderuar dhe të gjithë ata kur kanë folur rreth këtyre mënyrave, ata e kanë bërë këtë duke u mbështetur në citatet e haditheve që kanë pasur para vetes. Madje edhe disa dijetarë kanë anuar se të gjitha këto mënyra të mbajtjes së gishtit janë sunet dhe besimtarit i lejohet që ta praktikojë secilën nga këto. Këtë e ka theksuar Sanani në librin "Subulus Selam”, Mubarekfuri në librin "Tuhfetul Ahvedhi”, Rafaiu dhe dijetarë të tjerë.

Në lidhje me përzgjedhjen e mendimit më të qëndrueshëm, themi se nga citatet e haditheve që tregojnë mënyrën e mbajtjes së gishtit tregues, mund të konkluzohet se mendimi më i qëndrueshëm dhe më afër haditheve autentike është ai i mbajtjes së gishtit të drejtuar nga kibla dhe mendimi i mbajtjes së gishtit nga kibla duke e lëvizur, respektivisht mendimi i parafundit dhe i fundit, Zoti e di më së miri!

Hadithet që cilat përshkruajnë mënyrën e mbajtjes së gishtit tregues

Nafiu tregon se kur Abdullah ibn Umeri ulej në namaz, e vendoste dorën në kofshën e tij dhe jepte shenjë me gisht ndërkohë që e ndiqte gishtin me sy dhe tha se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë:" Është më i rëndë mbi shejtanin sesa hekuri (d.m.th. mbajtja e  gishtit tregues)." (Shënon Ahmedi, El Bazzari)

Në hadithin e Vail ibn Huxhër thuhet:

"… Dhe i mblodhi gishtat dhe formoi një rreth me to dhe e ngriti gishtin (tregues), e pashe duke e lëvizur dhe duke bere dua me të. Dhe kur ishte koha e ftohtë i pashë njerëzit duke i lëvizur duart e tyre nën pallto prej të ftohtit.” (Shënon Ebu Daudi, Nesaiu, Darimiu, ibn el Xharuud, ibn Khuzejmeh dhe të tjerë) 

Ndërsa Imam Muslimi shënon:

"Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e zgjeronte shuplakën e tij të majtë në gjurin e majtë, i mblidhte gishtat e dorës së djathtë, e drejtonte gishtin tregues nga Kibla dhe fiksonte shikimin në të (d.m.th. në gisht).”

Po ashtu tregohet se i Dërguari salallahu alejhu ve selem "kur e drejtonte gishtin, e vendoste gishtin e madh mbi gishtin e mesëm.” (Shënon Muslimi)


Gjithashtu thuhet se "kur e ngrinte gishtin, e lëvizte atë, duke u lutur me të dhe thoshte: "Ky është pa dyshim për djallin më i fuqishëm se hekuri, duke menduar për gishtin tregues.” (Shënon Ahmedi dhe Bezzari)

Këto janë disa transmetime të cilat vërtetojnë mendimin se më e drejtë është që gjatë namazit të veprohet njëri nga këta dy veprime:

  1. Ta mbajë gishtin tregues të drejtuar nga kibla, pa lëvizur.
  2. Ta mbaj gishtin tregues të drejtuar nga kibla, duke e lëvizur atë.

Pastaj edhe në përzgjedhjen e kësaj ka shpjegime te dijetarët, por ne nuk do të zgjerohemi dhe themi se të dyja këto inshallah janë të qëndrueshme. Mund të thuhet se mospajtimi në këtë qëndron në mënyrën e kuptimit të haditheve të njëjta, pasi disa i kanë kuptuar se është fjala për lëvizje dhe disa të tjerë kanë thënë se nuk kuptohet se duhet të lëvizet.


Qëndrimi i medh
hebit hanefi në lidhje me mbajtjen e gishtit në teshehud

Në lidhje me qëndrimin e medhhebit hanefi do të sjellim disa fakte dhe shqyrtime të cilat sqarojnë mendimet e këtyre dijetarëve të nderuar, pasi disa mendojnë se thënia se bërja shenjë me gishtin tregues ose lëvizja e tij është në kundërshtim me medhhebin hanefi.

Mirëpo para kësaj dëshirojmë të sqarojmë se ne këtu nuk do të bëjmë hulumtim se cili mendim është më i përzgjedhur brenda në medhheb, pasi për ta bërë atë nevojitet një studim më i gjerë dhe kthim në të gjitha librat që përcjellin transmetimet nga Imam Ebu Hanife dhe nxënësit e tij, Allahu i mëshiroftë. Por dëshirojmë me këtë t`ia bëjmë me dije lexuesit se sa i padrejtë është akuzimi i dikujt se është kundër qëndrimeve të imam Ebu Hanifes ose ndaj medhhebit në përgjithësi, ndërsa në fakt ai nuk di gjë se çfarë është medhhebi dhe nuk ka lexuar nga librat e këtij medhhebi më shumë se librin e fikhut të përkthyer nga boshnjakishtja të Serdarviçit. Megjithëkëtë ai është në gjendje të mbajë ligjërata duke deklaruar se kush thërret se duhet me bërë shenjë me gishtin është përçarës dhe ai është refuzues i medhhebeve.

Unë këtu vetëm do të sjell disa pjesë nga librat e njohur hanefi, të cilat konsiderohen referenca bazike për studiuesit dhe dijetarët islam.

Në librin "Sherhu Fet`hil Kadir”, Ibën Humam Hanefi thotë:

"Në thënien `I shtriu gishtërinjtë e dorës dhe bëri teshehudin`, a duhet të bëjë shenjë me gishtin tregues edhe pasi ta përfundojë shehadetin  apo jo? Këtë nuk e ka sqaruar[1], por ka nga hoxhallarët (dijetarët hanefi)  të cilët thonë se nuk e mban gishtin të ngritur (pas shehadetit), pasi në këtë ka shtesë të ngritjes dhe kjo nuk është e nevojshme, prandaj lënia është më primare për shkak se veprimet në namaz duhet të jenë sa më të pakta dhe më të qeta. Por ka nga dijetarët (hanefi) të cilët thonë se duhet të mbahet gishti i ngritur dhe i drejtuar. Muhamed Ibën Haseni (nxënësi i Imam Ebu Hanifes) e thekson këtë në librin "Mesbeha” dhe thotë se na transmetohet nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se vepronte kështu, pra se e mbante gishtin të drejtuar. Pastaj ai (Muhamed ibën Haseni) tha: "Ne veprojmë sipas asaj që ka vepruar i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem dhe e pranojmë praktikën e tij. Kjo është thënia e Ebu Hanifes dhe gjithashtu është thënia jonë.” Gjithashtu ai sqaron se si duhet të mbahet (gishti gjatë teshehudit) dhe thotë se e mbledh gishtin e vogël dhe atë që e pason, ndërsa të mesmin e bën në formë të rrumbullakët së bashku me gishtin e madh, ndërsa gishtin tregues e mban të drejtuar.”[2]   

Pak më poshtë në po të njëjtin libër tregohet se kjo formë e mbajtjes së gishtërinjve në teshehud, transmetohet edhe nga nxënësi tjetër i imam Ebu Hanifes, Ebu Jusufi, Allahu i mëshiroftë që të dy.[3]

Nga këto thënie kuptohet shumë qartë se cili është mendimi i tre imamëve të medh`hebit hanefi; imam Ebu Hanifes, imam Muhamed ibën Hasenit dhe imam Ebu Jusufit, Allahu i mëshiroftë të gjithë, në lidhje me mbajtjen e gishtit tregues gjatë teshehudit.

Ndërsa në librin tjetër, gjithashtu shumë të njohur të dijetarit hanefi Alaudin Kasani "Bedaius Sanai”, thotë:

"A duhet të bëj me shenjë me gishtin tregues edhe pasi ta përfundoj thënien: `Eshhedu En la ilahe ilallah`? Disa nga dijetarët tanë kanë thënë se nuk bën, pasi me këtë ai e lë një sunet dhe ajo është mbajtja e dorës të lëshuar (në kofshë). Ndërsa disa (dijetarë) të tjerë kanë thënë se ai e mban gishtin e ngritur. Muhamedi[4]në librin "El Mesbeha” ka thënë: "Na është përcjellë nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se ai e mbante të ngritur gishtin, prandaj ne veprojmë ashtu si ka vepruar i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të dhe e praktikojmë ashtu, kjo është thënia e Ebu Hanifes dhe thënia e jona.”[5]

Këto ishin vetëm disa citate të dijetarëve hanefi në lidhje me formën e mbajtjes së gishtit tregues në namaz. Ne edhe një herë e theksojmë se nuk kishim për qëllim sqarimin e qëndrimeve të dijetarëve hanefi, por deshëm të vejmë në pah se medhhebi hanefi është shumë më i gjerë se ç’e paramendojnë disa. Pastaj edhe nuk do të thotë se çdo gjë që është e njohur te ne apo që praktikohet nga muslimanët te ne vetëm ajo është medhheb, ndërsa të gjitha praktikat e tjera janë jashtë mendimeve të medh`hebit hanefi. Vërtet nëse besimtari, ose më mirë të themi hoxha i lexon librat e dijetarëve hanefi, atëherë ai do ta shohë se qasja e këtyre dijetarëve, ndaj mendimit tjetër nga ajo që ata e përzgjedhin apo e pasojnë është shumë e drejtë dhe trajtimi i atij mendimi është brenda kornizave të debatit shkencorë e assesi shpërfillje apo nënçmim të mendimeve ndryshe, ashtu si ndodh nga disa.


Edhe një sqarim...

Për të mos i mbetur borxh pyetësit do ta sqarojmë edhe atë se cili është argumenti i mendimit se është sunet që gishti tregues të ngrihet gjatë thënies së shehadetit vetëm një herë dhe pastaj lihet ashtu si lihet dora e majtë, ashtu si praktikohet te ne.

Në fakt, nuk ekziston ndonjë hadith i saktë dhe i vërtetuar se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, e ka ngritur gishtin gjatë uljes vetëm një herë, kur e thoshte shehadetin, ose që ka porositur të veprohet në këtë mënyrë. Më lartë kemi përmendur disa citate të sakta të cilat vërtetojnë për mënyrën se si vepronte i Dërguari salallahu alejhi ve selem gjatë teshehudit. Madje disa studiues islamë konstatojnë se ky qëndrim nuk është mendim i ndonjërit prej imamëve të medhhebeve, por ajo është përhapur më vonë te dijetarët që kanë ardhur pas tyre.

Sido që të jetë disa dijetarë të vonshëm, të cilët u munduan ta vërtetojnë këtë praktikë, kanë argumentuar me hadithin të cilin e transmeton Abdullah Ibën Omeri. Në të thuhet: "I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur ulej në teshehud e vinte dorën e majtë në kofshën e majtë dhe dorën e djathtë në kofshën e djathtë duke e mbledhur, ndërsa gishtin tregues e ngritke dhe e drejtonte.” (Shënon Muslimi)

Ata kanë thënë se në këtë hadith thuhet: ”...kur ulej, në teshehud...” dhe me këtë kuptojmë se vetëm gjatë thënies së shehadetit ai e mblidhte dorën e djathtë dhe e ngrinte gishtin tregues dhe jo gjatë tërë kohës së qëndrimit ulur, pasi këtu përmendet fjala "teshehud”, që është për qëllim momenti i thënies së shehadetit.

Mirëpo kjo mënyrë e argumentimit me këtë hadith nuk është e drejtë, pasi këtu me fjalën "teshehud” nuk është për qëllim thënia e shehadetit por është për qëllim ulja në namaz. Njeriu konsiderohet se është në teshehud edhe kur këndon  Etehijatin, edhe kur këndon salavate dhe lutjet e tjera. Me një fjalë, e tërë ulja e cila bëhet gjatë namazit quhet teshehud dhe jo vetëm momenti i thënies së shehadetit. Kjo kështu kuptohet nga të gjithë, për faktin se të gjithë fukahatë kur flasin për uljen në namaz, e emërtojnë atë me fjalën teshehud. Pastaj edhe komentatorët e këtij hadithi e sqarojnë se fjala e Abdullah Ibën Omerit është për qëllim ulja në namaz dhe jo vetëm momenti i këndimit të shehadetit. Prandaj argumentimi me këtë hadith në këtë formë nga ata të cilët e kanë përmendur, është shumë pretendues, influencues dhe i padrejtë.  Zoti e di më së miri!

 

Alaudin Abazi

 

 


[1]Është fjala se këtë nuk e ka sqaruar dijetari Merginani, shkruesi i librit "El hidaje”, të cilin libër është duke e komentuar Ibën Humami.

[2]"Sherh Fet`hil Kadir”, vëll. 1, f. 320.

[3]"Sherh Fet`hil Kadir”, vëll. 1, f. 321

[4]Muhamed Ibën Haseni.

[5]"Bedaius Sanai”, vëll.1, f. 354.

Kategori: Pyetje & Përgjigje | Shtuar nga: shpend-xhelili (01/06/2010)
Klikime: 873 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024