Pyetja:
Selamu alejkum! Kisha një pyetje: Çdo gjë ndodh me përcaktimin e Allahut. Atëherë pse Allahu e bëri shejtanin që të mos e besojë Atë ose me çfarë urtësie Allahu i bëri njerëzit që ta besojnë Profetin Isa alejhi selam?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Vëlla i nderuar, ju urojmë mirëseardhjen dhe dëshirojmë për ju çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër. Është më se e vërtetë se çdo gjë ndodh me caktimin e Allahut të Lartësuar dhe gjithashtu krijimi i shejtanit (i cili është nga xhinët) është bërë me caktimin e Allahut. Dhe në këtë nuk ka kurrfarë kontradikte. Allahu i Lartësuar i la të lirë njerëzit në zgjedhjen e rrugës që do të pasojnë. Gjithashtu edhe shejtani është krijesë si njerëzit dhe krijesat e tjera në këtë botë, vetëm se dallon nga njeriu, pasi ai është i krijuar nga zjarri, kurse njeriu nga dheu, por në zgjedhjen e rrugës së drejtë edhe ai ishte i lirë ta zgjedhë. Nga zilia që pati ai ndaj njeriut, i cili u krijua pas tij dhe se kur Allahu i Lartësuar urdhëroi melekët dhe xhinët që t`i bëjnë sexhde Ademit alejhi selam në shenjë respekti, nuk e pasoi urdhrin e Allahut dhe kryelartësia e tij e largoi nga mëshira e Allahut të Lartësuar. Ai për këtë u përbetua se do të jetë armiku i vazhdueshëm i njeriut dhe do të tentojë ta pengojë gjithmonë njeriun ta pasojë rrugën e vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai (shejtani) tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!” (Zoti) Tha: “Pasha të vërtetën, e Unë e flas vetëm të vërtetën: Unë do ta mbush xhehennemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje!” (Suretu Sad, 82-84) Prandaj, urtësia e Allahut të Lartësuar ishte sprovimi i njerëzve se kë do të zgjedhin për të pasuar. Gjithashtu edhe urtësia e besimit tek Isai alejhi selam, por edhe në dërgimin e të Dërguarve në përgjithësi, si pjesë e besimit të muslimanit është në atë se besimtari me këtë pranon se Allahu i Lartësuar nuk e la njerëzimin që të pasojë rrugët dhe drejtimet e njerëzve devijues, por dërgoi Profetë, të cilët ua sqaruan rrugën e shpëtimit. Ai i cili i pasoi ata do të gjejë shpëtimin dhe ai që refuzon, do të gjejë humbjen dhe devijimin.
Alaudin Abazi
|