Pyetja:
Selam alejkum! Pyetja ime është: Po më ndodh që po më ikën vitri e po e fal pas ezanit të sabahut. Po më thotë një motër se nuk ka vitër pas sabahut, se nuk bën t’i fal 2 vitra në ditë. Nuk po di çfarë të bëj.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Bërja kaza e vitrit është mendim i shumicës së ulemave (xhumhurit) dhe për këtë argumentojnë me hadithin të cilin e shënon Bejhikiu dhe Hakimi, i cili e cilëson të saktë nga Ebu Hurejra, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush gdhin pa e falur vitrin, atëherë le ta falë atë.” Mirëpo kërkohet që kur ta falë atë kaza, të mos i falë tre rekate (tek), por duhet që rekatet t`i kthejë në çift, pasi kështu vepronte Muhamedi salallahu alejhi ue selem. Vërtetohet nga Aishja se Muhamedi salallahu alejhi ue selem, kur flinte gjatë natës pa falur namaz (të natës) apo edhe për shkak të sëmundjes, gjatë ditës falte dymbëdhjetë rekate (shënon Muslimi). Ai vepronte kështu pasi gjatë natës falte trembëdhjetë rekate duke i bërë ato tek (vitër), por kur i falte të njëjtat kaza gjatë ditës, për shkak se nuk i kishte falur natën, atëherë i falte çift, dymbëdhjetë rekate. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|