E diel, 12/05/2024, 00:03
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Pastrimi i Shpirtit

Pastrimi i Shpirtit

:"Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë." (Shems, 9-10)



Thotë Sirri Siktij, Zoti e mëshiroftë, rreth pastrimit dhe edukimit të vetes:"Kush dështon në pastrimin dhe edukimin e vetes së tij, ka dështuar edhe në edukimin e të tjerëve."

Çdo njeri që nuk këshillon veten, nuk e pastron atë dhe nuk din si t'a edukojë, e ka të pamundur që këtë t'a bëjë për të tjerët. Le të jetë ky një mesazh që u drejtohet pridërve, edukuesve, mësuesve, ftuesve dhe hoxhallarëve.

Umeti dhe civilizimi ynë, e lartëson dhe nderon çdo njeri që e pastron dhe mirëedukon veten e tij. Po të shohim me vëmendje, secili nga shtyllat e islamit, namazi, haxhi, agjërimi dhe zekati, kontribojnë drejtpërsëdrejti në edukimin dhe pastrimin e shpirtit.

Disa vepra që vepron njeriu, përfiton prej tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, disa vepra të tjera, ai përfiton prej tyre sipas kontributit që ka dhënë në ndihmë të njerëzve të tjerë. Kështu, shpërblimi i namazit është sipas përkushtimit tonë, sipas përfitimit tonë në pastrimin ne shpirtit. Shpërblimi i agjërimit është në bazë të shkallës së devotshmërisë së arritur. Sa më shumë devotshmëri të kemi, aq më shumë lartësohen shpirtrat tanë. Sa më shumë të japim lëmoshë dhe zekat, aq më shumë pastrohen shpirtrat tanë dhe shtohet besimi.

Kështu, shohim që objektivi kryesor i adhurimeve është pastrimi i shpirtit. Kush dështon në pastrimin e shpirtit të tij, ka dështuar edhe në pastrimin e shpirtrave dhe edukimin e të tjerëve.

Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin famëlartë:"Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë." (Shems, 9-10)

Nëpërmjet këtij ajeti, Zoti kërkon të përcjellë një mesazh të rëndësishëm: Një ndër qëllimet e njeriut në jetë, duhet të jetë pastrimi i shpirtit të tij. Vetëm një njeri i suksesshëm do arrijë t'a pastrojë shpirtin. Për t'a ndihmuar njeriun në këtë mision, Zoti ka dërguar profetë dhe të dërguar. Ata i ndihmojnë njerëzit dhe i orientojnë në mënyrat më efikase të pastrimit të shpirtit.

Po si mund t'a pastrojë njeriu veten? Si duhet të reagojë kur përballet me epshet, dëshirat dhe kënaqësitë e kësaj bote?

Dijetarët muslimanë dhe mistikët, kanë lënë pas vepra të shumta, me anë të cilave e ndihmojnë besimtarin t'a pastrojë shpirtin e tij. Shokët e Profetit a.s na ofrojmë modelin më të mirë për këtë çështje, pasi jetuan dhe shoqëruan doktorin e shpirtrave, të dërguarin e Zotit a.s.

Profeti Muhamed a.s është modeli ynë praktik në administrimin e vetes dhe pastrimin e shpirtit. Nëse një besimtar bën një gabim ose gjynah, ne si muslimanë posedojmë mekanizmat e duhur, për t'u pastruar nga ai gjynah.

Gjatë pregatitjes së këtij emisioni, vizituam disa tempuj. Njëri prej tyre ishte ndërtuar në kohën e fenikasve dhe brenda tij ndodheshin disa perëndi dhe idhuj. Romakët vinin në këtë tempull për t'u pastruar nga mëkatet dhe për t'u pastruar shpirtërisht.

Por, a e dini si i adhuronin perënditë e tyre dhe si pastroheshin shpirtërisht?

Fenikasit, nëse dëshironin të pendohen pas një mëkati, shkonte në tempull tek perëndia e caktuar dhe i luteshin me përgjerim që t'ia pranojë pendimin. Ai ose ia pranonte pendimin, ose jo. Pothuaj të njëjtën gjë bëjnë sot, edhe fetë dhe sektet e ndryshme. Të krishterët për shembull, shkojnë tek prifti ose murgu dhe i rrëfehen për mëkatet që kanë bërë. Nëse prifti e fal dhe ia pranon pendimin, mëkati i është falur. Nëse ai refuzon, mëkati nuk i falet dhe pendimi nuk i pranohet. Pra, shohim që në rastin e tyre ka ndërmjetës.

Po kështu, me ndërmjetës funksionojnë edhe fe të tjera si budizmi dhe hebraizmi. Vetëm në islam nuk ka ndërmjetësi mes njeriut dhe Zotit. Dera e pendimit, sipas konceptit islam, është e hapur. Zoti e shtrin dorën e Tij natën, që të pendohen gjynahqarët e ditës dhe e shtrin ditën, që të pendohen gjynahqarët e natës. Derën e pendimit, Zoti e ka lënë të hapur dhe për këtë nuk ka nevojë as për hoxhallarë, as për të ditur, as profetë dhe as njerëz të shenjtë. Kush dëshiron të pendohet, duhet t'a bëjë atë në çdo çast dhe kudo që të ndodhet, në shtëpi apo rrugë, në mëngjes apo në darkë.

Në islam, pendimi është një ndër mirësitë e shumta me të cilat na ka nderuar Zoti i plotfuqishëm. Për këtë, ne nuk kemi nevojëë as për kohë të caktuar dhe as për ndonjë pozicion gjeografik të veçantë.

Të pastrosh shpirtin, do të thotë të largohesh nga një ves apo veprim i lig dhe më pas, t'a zëvendësosh atë me diçka të dobishme dhe të mirë. Një proçes i tillë, i ngjan gdhendjes, formësimit dhe pastrimit të gurëve dhe shkëmbinjve dekorativë. Pasi i gdhendim dhe u japim formën që duam, pastrojmë vendin ku do të vendosen dhe i fiksojmë.

Nga kjo, kuptojmë që proçesi i pastrimit të shpirtit, nuk është aq e lehtë. Ajo ka nevojë për përkushtim, përpjekje dhe sinqeritet.

Sahabët dhe brezi që i pasoi, udhëtonin me milje të tëra, për të pastruar shpirtin.

Një herë, Abdullah ibnu Mubarek ishte nisur për udhëtim. Dikush e pa dhe e pyeti:"Për ku kështu?"

Ai u përgjigj:"Për në Basra."

Burri e pyeti përsëri:"Po përse?"

Abdullah ibnu Mubarek iu përgjigj:"Të takoj dijetarin dhe zahidin Ibnu Aun."

Burri e pyeti:"Përse?"

Abdullah ibnu Mubarek:"Që të përftoj nga moralet dhe edukata e tij."

Hasan El-basrij thoshte:"Ka burra që udhëtojnë me vite të tëra për të pastruar veten e tyre dhe shpirtin."

Abdurahman ibnu Revaha, edhe pse ishte nga shokët e Profetit a.s, i thërriste miqtë e tij dhe u thoshte:"Ejani të forcojmë besimin për disa çaste." Ata uleshin me njëri-tjetrin dhe kujtonin Zotin e madhëruar.

Për shokët e Profetit a.s, pastrimi i shpirtit ishte një ndër objektivat më madhorë. Duke pastruar shpirtin e tyre, ata fitonin kënaqësinë e Zotit të madhëruar.

Nëse njeriu kërkon të arrijë kënaqësinë e Zotit, do të jetë i angazhuar dhe i përkushtuar gjithmonë në pastrimin e shpirtit të tij. Ai do të përpiqet t'a largojë dhe shmangë çdo të metë.

Profeti a.s, shpesh herë lutej:"O Zot! Kërkoj të më mbrosh nga pamundësia dhe dembelizmi, nga të qënit frikacak dhe nga kopracia, nga nënshtrimi i borxhit dhe dhuna që ushtrojnë njerëzit." Më pas, shtonte:"O Zot! Unë të këkoj t'a pajisësh shpirtin tim me devotshmëri dhe t'a pastrosh atë! Ti je Ai që mund t'a pastrojë më mirë atë."

Romakët dhe fenikasit, adhuronin shumë zota, të cilët i kishin të vendosur në tempujt e tyre përkatës. Ndër perënditë që adhuronin, ishte dhe ai i seksit. Civilizime të tillë, për çdo nevojë fizike, kishin një perëndi që mbante emrin e saj. Kurse ne në islam, nuk kemi zotra për çdo nevojë dhe kënaqësi fizike.

Fenikasit dhe romakët ishin të dhënë pas seksit, aq sa edhe e adhuronin. Ata kishin perëndi për ushqimin, pijen etj... Edhe pse ishin thjesht ushqime, ata kishin perëndi përkatëse. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, njerëzit vazhdojnë t'i adhurojnë epshet. Sidomos në kohët moderne, seksi është kthyer në zot që adhurohet, por një lloj adhurimi ndryshe. Ne sot shohim kanale satelitorë që transmetojnë programe degjeneruese dhe shkatërruese. Asnjë program nuk shpëton pa përmbajtjen e një fragmenti të turpshëm apo një trupi pothuaj lakuriq. Kjo bëhet me qëllim që të përforcojnë pozitën e seksit në jetën e njeriut, të cilin romakët e adhuronin në kohën e tyre.

Tempujt e perëndive të tyre, romakët i ndërtonin madhështorë dhe të zbukuruar me mozaikë të ndryshëm.

Kurse Zoti që adhurojmë ne muslimanët, është një dhe i vetëm. Nëse ndonjëri prej nesh neglizhon një detyrë dhe obligim, i kthehet Atij me lutje dhe përkushtim.

Në suren Jusuf, përmendet historia e profetit Jusuf a.s. Ai u sprovua nga një femër, e cila e ftoi për marrëdhënie jashtëmartesore. Jusufi a.s nuk i kërkoi ndihmë perëndisë së seksit, por iu kthye dhe kërkoi ndihmën e Zotit dhe Krijuesit të tij të plotfuqishëm. Me forcën e besimit, ai thirri:"Zoti më ruajt" dhe Zoti e mbrojti nga kjo vepër e ligë.

Sot, të rinjtë tanë notojnë në revista, faqe interneti, gazeta, libra dhe filma me përmbajtje pornografike. Është detyrë e jona që t'i nxisim drejt fjalëve që përdori Jusufi a.s për t'u mbrojtur nga e keqja "Zoti më ruajt", duke ruajtur veten e tyre dhe duke mos rënë pre e provokimeve dhe joshjeve. Të rinjtë tanë, nuk kanë përse të adhurojnë seksin, siç bënin romakët dhe fenikasit para mijëra vitesh.



Përse duhet t'a pastrojë njeriu shpirtin?

Ai e bën këtë pasi kërkon të arrijë kënaqësinë e Zotit dhe të fitojë xhenetin. Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:"Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin." (Naziat, 40-41)

Një që i frikësohet madhështisë së Zotit dhe e frenon veten përballë epsheve, padyshim ka fituar xhenetin. Kushdo që rend për të pastruar veten dhe shpirtin, t'a dijë se vendin e ka në xhenetet Adn dhe Firdeus. Këdo që pastron veten dhe shpirtin e tij, Zoti e shpërblen duke ia ndriçuar rrugën dhe të ardhmen. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!" (Ankebut, 69)

Kështu, udhëzimi vjen nga Zoti, por pas përpjekjeve të shumta.

Me këtë rast, më kujtohet një miku im i cili më parë radhitej tek duhanpirësit. Një ditë, para se të linte duhanin, më tha:"Ndihem i lodhur nga pirja e duhanit dhe kam vendosur t'a lë. Kam vendosur t'a pastroj shpirtin tim nga çdo ves i keq." Po atë ditë ai e hodhi paketën e cigareve. Ngaqë ishte mësuar me cigare në gojë, ai mbante një laps në vend të cigares. Ai arriti të ndahet përfundimisht nga duhani dhe ndihet krenar dhe fitimtar. Kur e kuptoi që arriti të ndahet nga duhani, tha:"Ngaqë u ndava nga ky ves i keq, e lus Zotin që të më falë dhe të më bëjë nga banorët e xhenetit."

Një dobi tjetër e pastrimit të shpirtit, është se Zoti i madhëruar i jep rizk të shumtë. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret." (Talak, 2-3)

Veçsa përmendëm, pastrimi i shpirtit e bën njeriun dhe besimtarin të ndihet më i qetë. Sot, shoqëritë, shtetet dhe individët shpenzojnë miliona për pak qetësi dhe relaks. Zoti na mëson që kushdo që kërkon të pastrojë shpirtin dhe t'a pasurojë atë, do të ndihet i qetë. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Me të vërtetë, atyre që thonë: "Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: "Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar." (Fussilet, 30)

Sahabët, duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, nuk prisnin të rrëshqasin dhe të veprojnë ndonjë gjynah që të pendohen. Umer ibnul Hattabi, kur nuk e arriti një ditë namazin me xhemat, dhuroi një parcelë toke, vlera e së cilës arrinte në dyqindmijë derhemë. Ai e dhuroi me qëllim që të shlyejë neglizhimin. Kurse djali i tij Abdullahu, kur nuk arriti një ditë namazin me xhemat, e kaloi të gjithë natën duke u falur.

Ndërkohë, kur i këshillojmë disa të ndryshojnë sjellje dhe të braktisin një ves të keq, të përgjigjen:"Nuk mundem." Kjo, pasi vesi i ka vënë para dhe i ka thyer.

Në islam, çdo njeri ka aftësitë dhe mundësinë për të ndryshuar. Për këtë, Profeti a.s thotë:"Dijet përftohen duke mësuar dhe urtësia duke e praktikuar."

Sipas këtij hadithi, nëse njeriu dëshiron diçka, e arrin atë. Kush dëshiron t'a ruajë nderin e tij, e ruan dhe e ndihmon Zoti për këtë, duke ia lehtësuar kushtet. Kush kërkon të ushqehet dhe furnizohet me pasuri hallall, Zoti do e furnizojë me të duke ia lehtësuar jetesën.

Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, një nga shokët e Profetit a.s thoshte:"Për Zotin! Sikur të mos isha musliman, do të përdorja marifete dhe dredhi që nuk i njohin arabët."

Me këtë, ai sikur thoshte:"Nëse muslimani lakmon diçka që nuk i lejohet, është islami ai që e frenon."

Ditën e Kijametit, njerëzit do të dallohen nga niveli i vetëpërmbajtjes para gjynaheve dhe sa kohë ka harxhuar për pastrimin e shpirtit.

Ai që e pastron dhe dëshiron t'a pastrojë veten, njihet se e pranon këshillën dhe udhëzimin. Kjo, edhe nëse këshilla i vjen nga një person që nuk i përket besimit të tij. Diçka e tillë ka ndodhur me vetë Profetin a.s. Një rabin hebre, i vajti dhe i tha:"O Muhamed! Sa njerëz të mirë jeni, nëse nuk do bënit shirk?"

Profeti a.s e pyeti:"Çfarë kërkon të thuash me këtë?"

Rabini i tha:"Ju betoheni në Qaben duke thënë:"Për Qabenë!"

Profeti a.s heshti për një farë kohe dhe iu drejtua shokëve të tij me fjalët:"Tani do të betohemi me fjalët "Për Zotin e Qabesë!"

Rabini hebre u largua pa folur asnjë fjalë. Një ditë tjetër, ai u kthye sërish dhe i tha Profetit a.s:"O Muhamed! Sa njerëz të mirë do të ishit, nëse nuk do i shoqëronit Zotit rivalë!"

Profeti a.s e pyeti:"Çfarë kërkon të thuash me këtë?"

Rabini iu përgjigj:"Ju thoni:"Ishte vullneti i Zotit dhe i yni."

Profeti a.s u drejtua nga shokët dhe u tha:"Që sot e tutje, do të themi:"Ishte vullneti i Zotit, pastaj i yni."

Ashtu siç është i vështirë dhe kërkon mjeshtëri gdhendja e gurit, është e vështirë dhe kërkon mund dhe djersë dhe pastrimi i shpirtit. Çdo minutë dhe sekondë e harxhuar për këtë qëllim, do i vlejë njeriut në të ardhmen. Nëse dikush që merret me pastrimin e shpirtit dhe ngritjen e aspektit shpirtëror, ai tregohet i durueshëm dhe i përmbajtur në rast fatkeqësish dhe sprovash. Kjo, pasi ai i ka kushtuar kujdes dhe vëmendje aspektit shpirtëror dhe emocional të tij. Ai ka qenë i përkushtuar në rrugën e Zotit, ka qenë i sinqertë me adhurimin e tij, i besueshëm, bujar dhe shpirtgjerë.

Profeti Muhamed a.s përfaqëson shkollën më madhore përsa i përket gjenialitetit edhe në detajet më të vogla. Kur i vdiq djali i tij Ibrahimi, nëna e tij Marija filloi të qajë. Ishte vetë Profeti a.s ai që përpiqej t'a qetësojë. Ndërkohë, Usame filloi të vajtojë me britma dhe ulërima. Por Profeti a.s i tha:"Mos bërtit ashtu!"

Usame e pyeti:"Por unë i pashë sytë e tu të mbushur me lotë o i dërguar i Allahut!"

Profeti a.s i tha:"Të qarët është mëshirë, ndërkohë që ulërimat dhe britmat janë prej shejtanit."

Me gjithë dhimbjen dhe hidhërimin e madh, Profeti a.s e përmbante veten. Madje, ai kishte forcë që t'i korigjojë edhe ndjenjat dhe sjelljet e të tjerëve.

Pastrimi dhe përsosja shpirtërore, duhet të jetë objektiv i secilit prej nesh. Për këtë, thotë Zoti i madhëruar në Kuran:"Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë." (Shems, 9-10)

Kushdo që e pastron shpirtin e tij, do të ketë sukses në jetë.

Siç përmendëm dhe më sipër, fenikasit kishin tempujt e tyre, të cilët i përdornin për pastrimin e shpirtit. Çdo njeriu i pëlqen të ketë një shpirt të pastër dhe morale të larta. Ai që arrin t'a pastrojë shpirtin, është vetëm ai që ndjek rrugën dhe metodën e shokëve të Profetit a.s dhe brezit që pasuan, tabi'inët. Ata janë burimi i shkencave fetare dhe njëkohësisht i pastrimit të shpirtit dhe përsosjes shpirtërore.

"Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë."

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (07/01/2010)
Klikime: 1257 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024