Pyetje:
Jam një motër muslimane në hall. Jam 20 vjeçare dhe në përgjithësi nuk kam fat në jetë. Çdo gjë më shkon mbrapsht. Gjithmonë më ndodh e kundërta e asaj që dëshiroj. Edhe pse falem, të gjithë kanë fat më shumë se unë. Unë nuk kam vullnet për të jetuar.
Përgjigje:
Motër myslimane, e lus Allahun e Lartësuar t’ju forcojë në fenë e Tij! Ju këshilloj që mos ta humbni shpresën në Allahun e Lartësuar! Lutuni te Allahu i Lartësuar për falje dhe përqendrim në fe duke kërkuar të mirat e Tij në dynja dhe ahiret! Ju duhet ta shfrytëzoni kohën në lutje por duke mos u ngutur dhe më pas të thoni se jam lutur te Allahu një herë ose disa herë dhe më pas ta braktisni duanë. Kujto fjalët e Allahut kur thotë:"Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehenem”. (Gafir, 60) "E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)
Asnjëherë nga lutja nuk humb, përkundrazi përfiton disa gjëra: ose Allahu ta pranon lutjen, ose rezervohet për ditën e gjykimit ose për shkak të lutjes Ai të mbron nga të këqijat. Keni një përparësi të madhe që ju namazin po bëni, shpeshtoni lutjet në namaz, para dhe mbrapa namazit, kërkoni kohët kur Allahu i Lartësuar i pranon lutjet dhe lutuni te Ai me duatë nga suneti profetik. Nuk do të keni fat atëherë kur vendosni të largoheni nga lutjet. Përderisa luteni dhe vazhdoni në lutje, jeni me fat. Allahu e di më së miri!
Ulvi Fejzullahu
|