Njeriu dhe bota e tij
Jetë nuk mund të merret prej atij që vet kërkon jetë...
Ditët ndryshojnë, por i njëjti diell rrëzëllen. Njerëzit lindin dhe vdesin. Sot, si nesër, është njësoj, për atë që nuk lëviz. Sikur do të qëndrosh përgjithmonë në këtë jetë! Përtej teje jeton gjurma. Gjurmë që zhduket me erë nuk është gjurmë, por pikë në ujë.
Përgjithmonë për ty kishte me qenë diçka që të tjerët pas teje vazhdojnë ta jetojnë. Ndryshe, qëndrimi yt në këtë jetë do të ishte sikur i një udhëtari që kalon nëpër periferi të një qyteti, pa njohur e pa u njohur.
Ti njeri linde i pastër. Kjo botë ku u gjete, nuk është vend i ulët, por ku dëshmohet pastërtia. Ti njeri je në qendër të vëmendjes. Ty të komunikoi një Qenie Hyjnore, të nderoi dhe të mësoi. Para se të kalosh në Botën Tjetër, jetën e kësaj bote do ta shijosh. Kjo botë nuk mjafton të preket me maje të gishtave sikur të ishte vend i ndyrë, por ta jetosh ashtu siç Zoti yt të mësoi.
Yjet ndriçojnë me shkëlqesinë e tyre, toka është bërë e rrafshët që të ecësh me dy këmbë e kokë-drejtë. Kur shikon qiellin, të kthesh shikimin aty ku e pate kur fillove këmbët t'i lëvizësh; Shiko se çfarë për ty u krijua: Ti i krijove, apo i gjete! Yjet nuk preken, por shijohen. Të shijojnë madhështinë e Atij që i krijoi. Vallë, sikur kulm për ty të mos ishte qielli bashkë me yjet, si mund të merrje frymë lehtë!
Errësira kurrë nuk qe dritë, e as drita errësirë. Gjithçka që doli nga toka, do të zhduket bashkë me të. Por kurrë çka erdhi nga qielli. Drita nuk është tokësore. Tokësore është errësira. Mund të quhet hilja zgjuarsi, e shthurja morale liri, e ndyra art, e nënshtrimi përkrahje, por kurrë nuk mund të vazhdoj të jetoj gjatë! Aty ku drita përshkon, errësira s'ka vend. E vërteta gjithçka prek rrëmben, madje edhe errësirën palë – palë.
Jetë nuk mund të merret prej atij që vet kërkon jetë, e as prej diturisë që të bën të njohësh të panjohurën. Jetë nuk mund të jep as mësuesi i jetës, nëse mësim-dhënien e ka profesion e jo mision! Vetëtima që nuk bie të reshura shiu nuk mund të gjallërojë tokën. Zemra e pasur me dritën qiellore, është pasuri që jep jetë. Kërkoje jetën aty ku jeta zuri fill; jeta nuk fillon me shiun, por vetëm simbolizon jetën.
Këshillo vetveten për hezitim, kur dëshirat të kaplojnë ndaj stolive të kësaj jete. Qortoje mendjen të mos zësh në muret e labirintit. Të të mos habisin figurat në mure; janë të përkohshme. Një ditë ato mure kanë për t'u shembur!
Le të të magjeps amshimi. E mira vonohet...
/zgjim.org/ Shkruan Avni Tafili