Pyetja:
Përshëndetje, ju uroj për punën e mirë që po bëni! Unë kam një pyetje në lidhje me marrëdhëniet bashkëshortore. Ju lutem më jepni ndonjë lutje apo këshillë fetare për përmirësimin e tyre. Në fakt, unë edhe pse kam bërë martesën fetare ende nuk bashkëjetoj me burrin. Jemi nga dy vende të ndryshme dhe me kushte ekonomike jo shumë të mira. Kjo është dhe arsyeja pse ende nuk po arrijmë të realizojmë dhe martesën faktike. Largësia po na shkakton shumë probleme. Unë jam pak xheloze dhe nuk po e duroj dot më këtë gjendje, largësi më shumë se katër vite. Takohemi një herë në muaj ose në dy muaj. Unë për vete jam pak gjaknxehtë dhe nuk di të bëhem diçka që nuk jam, them atë që mendoj dhe shpesh fjalën e fundit e them të parën. E di që kjo nuk bën, por nuk mund të bëhem ndryshe nga ç’jam. Ju lutem më jepni ndonjë këshillë fetare për marrëdhëniet bashkëshortore ose ndonjë rekomandim për ndonjë libër islam të këtij lloji. Po të jetë e mundur në të të përgjigjet Alaudin Abazi, sepse kam shumë besim në përgjigjet e tij, kanë një argumentim bindës. Përshëndes dhe falënderoj të gjithë të tjerët që kontribuoni në këtë ueb faqe, është shumë shumë praktike dhe aq më shumë e nevojshme për jetën në ditët e sotme.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Motër e nderuar, lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sukses në jetën tuaj, t’i drejtojë hapat tuaj, t’ju udhëzojë në të mira dhe të na mbrojë të gjithëve nga sherret e vetes dhe të shejtanit! E kuptojmë se problemet për të cilat na keni shkruar ju preokupojnë mjaft. Megjithëkëtë, me gjithë letrën tuaj, prapëseprapë është shumë vështirë të kuptohet qartë realiteti dhe natyra e asaj se çfarë po ndodh në mes jush. Më se e vërejtur është se në mes jush mbretëron një atmosferë pakënaqësie e ndërsjellë. Lindja e keqkuptimeve me këtë rast është shumë e favorshme posaçërisht për shkak se edhe nëse ekziston ndonjë dëshirë e mënjanimit të këtyre keqkuptimeve, atëherë largësia dhe moskontakti me javë bën që kjo tentativë të jetë e brishtë. Nga ajo që shkruat më së shumti na la përshtypje pranimi nga ana juaj se jeni xheloze dhe gjaknxehtë (e thoni fjalën e fundit në fillim), por në të njëjtën kohë sikur krenoheni me këto gjëra dhe se duhet të jeni e pranuar nga ai ashtu si jeni. Në këtë pikë do të ndalem pak më shumë. Të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe kjo është një e vërtetë e pamohuar, pasi përkryerja dhe përsosmëria i takon vetëm Allahut të Lartësuar, por muslimani nuk duhet të ndalet në pranimin e mangësisë dhe në mostentimin e tij që t’i evitojë, përmirësojë dhe largojë nga vetja mangësitë e tij. Vërtetohet në një hadith se një sahab erdhi tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, më këshillo!” I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i tha: “Mos u hidhëro!” I tha prapë: “Më këshillo!” I tha i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem: “Mos u hidhëro!” I tha prapë: “Më këshillo!” I tha i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem: “Mos u hidhëro!” Prandaj njeriu duhet të mundohet ta kalisë veten dhe të mundohet të përfitojë cilësi të mira e të lavdëruara dhe në anën tjetër të largojë nga vetja me të gjitha mundësitë që posedon cilësitë e këqija dhe të padëshiruara. Gjithashtu edhe për frenimin e mllefit që ju kap shpeshherë, Allahu i Lartësuar thotë: "…Dhe ata që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit." (Ali Imran, 134)
Këto ishin disa këshilla që kishin të bënin me ju, se si duhet të silleni së pari me veten tuaj. Kurse sa i përket hapave konkretë me burrin tuaj, themi se duhet të jeni e sinqertë dhe e hapur me të, jo në kuptim që për çdo imtësi të ngrini problem dhe diskutim, por të jeni e hapur në sqarimin e vërejtjeve të ndërsjella që keni dhe të mundoheni t’i zgjidhni ato duke filluar që secili nga ju ta ndërmarrë hapin e kërkuar për të përfunduar problemet dhe keqkuptimet. Ju këshillojmë të mos përqendroheni në gabimet e tij, pasi shejtani e dëshiron këtë dhe nëse ju vazhdoni kështu, atëherë do të harroni të gjitha cilësitë e mira (që pa dyshim i posedon) që ka ai, madje edhe ato që ju tërhoqën ju në fillim të lidhni kurorë me të. Gjithashtu, ju këshillojmë të lexoni edhe ndonjë libër që flet rreth raporteve bashkëshortore, siç është libri i përkthyer “Fshehtësia e një martese të lumtur”. Në fund, lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sukses t’i tejkaloni problemet me të cilat ballafaqoheni dhe ta bëjë martesën tuaj të lumtur!
Me respekt Alaudin Abazi
|