E enjte, 09/01/2025, 22:28
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

NËSE NUK TURPËROHESH BËJ Ç’TË DUASH
NËSE NUK TURPËROHESH BËJ Ç’TË DUASH
 
 
shkroi: Lulzim SUSURI
 
"Mëkatet i kam lënë nga turpi dyzet vite me radhë e pastaj arrita devotshmërinë pastaj këtë turp të lindur arrita ta shndërroj në turp prej besimit”.

 

Nga Ukbe ibën Amiri na përcillet, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: "Ndër urtësitë e trashëguara nga profetët e mëparshëm është edhe fjala: Nëse nuk turpërohesh, atëherë bëj ç’të duash”.

Hadithi i sipërpërmendur përcillet nga Ukbe ibën Amiri, kurse atë e shënon imam Buhariu në Sahihun e tij, nr. 3224, 3225, 5655, Ebu Davudi, nr. 4164, Ibën Maxhe, nr. 4173. Të gjithë këta e përmendin me të njëjtin tekst, kurse me tekste të ngjashme, të cilët edhe pse me goxha ndryshime, por prapë mbesin brenda kësaj domethënie transmetohen edhe tek disa libra të tjerë të hadithit, sa për dobi do të përmendim edhe këto:

Ibën Omeri thotë: "Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte duke kaluar afër një ensari, i cili po e këshillonte vëllain e tij rreth turpit (po e kritikonte të mos ishte aq shumë i turpshëm) dhe me këtë rast Profeti i tha: "Lëre rehat, sepse turpi është pjesë e besimit”. (Buhariu dhe Muslimi).

Imran ibën Husajni thotë: E kam dëgjuar Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: "Turpi sjell veç mirësi” (Buhariu dhe Muslimi), ndërsa në një vend tjetër tek Muslimi përmendet: "Turpi i tëri është mirësi”

Fjala: "Ndër urtësitë e trashëguara nga profetët e mëparshëm”

Nga kjo fjali kuptohet, se Allahu i Lartësuar ka dërguar profetë të tjerë edhe para Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe ata ishin mësues të popujve të tyre. Profetët e mëparshëm lanë shumë mësime si trashëgimi pas tyre, ku nga këto urtësi disa vazhduan të ruhen ndër shekuj e disa të tjera u zhdukën me kalimin e kohës. Popujt e tyre ishin ata që i kultivuan ose i shuan ato mësime. Kurse mësimet e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, janë të pavdekshme deri sa të ekzistojë kjo botë. Disa urtësi të profetëve të mëparshëm u trashëguan deri në ditët tona. Por jo çdo gjë që pretendohet se është mësim i tyre, ashtu edhe në realitet duhet t’i besojmë ato. Islami ka vendosur rregulla, se çfarë qëndrimi duhet të mbajë besimtari karshi këtyre mësimeve, që përcillen deri tek ne pa marrë parasysh cili është burimi i tyre. Kështu feja jonë ka një qëndrim të qartë rreth tyre. Islami këto mësime i ndan në disa grupe:

1-Ato që janë në pajtim me fenë tonë dhe në përputhje me mësimet Islame.

2-Ato për të cilat Islami ka heshtur, duke mos i pranuar e as duke mos i refuzuar.

3-Mësime, të cilat janë në kundërshtim me Fenë Islame.

Lloji i parë është i pranuar në fenë tonë, sepse mbështetet prej saj, ndërsa llojin e dytë nuk e pranojmë, por as nuk e refuzojmë. Kurse lloji i tretë refuzohet kategorikisht.

Kjo nuk do të thotë se mësimet e profetëve njëri pas tjetrit janë në kundërshtim mes vetes, por ajo tregon se për disa mësime ka pasur njerëz që në fakt i shpikën nga vetja e tyre e në anën tjetër pretenduan se janë trashëgimi profetike gjatë historisë.

Fjala: "nëse nuk turpërohesh, atëherë bëj ç’të duash”

Çka do të thotë fjala turp?

Ajo ka kuptimin e ndrojtjes, frikës shpesh edhe të mos guximit. Kurse në hadithin e lartpërmendur me turpin kihet si qëllim: ndjenjë e brendshme, e cila manifestohet shpesh edhe me gjymtyrë dhe e shtyn njeriun, që të largohet nga çdo vepër e keqe dhe t’ia japi çdokujt hakun e vet.

Nga fjalia e fundit në këtë hadith, çfarë do të thotë: "Nëse nuk turpërohesh bëj ç’të duash”?

1-                  Është si qëllim kërcënimi dhe frikësimi, pra me të ishte si qëllim: "Nëse nuk turpërohesh bëj ç’të duash, sepse Allahu të sheh dhe të dënon për të”. shembull për këtë është fjala e Zotit: "Punoni ç’të doni, sepse Ai e sheh punën tuaj.” (Fusilet, 40).

2-                  Me të është si qëllim tregimi i gjendjes së njerëzve të paturpshëm. Pra deshi të thotë: "Njerëzit që nuk turpërohen bëjnë ç’të duan ose bëjnë çdo gjë”. Këtij kuptimi i përgjigjet edhe fjala tjetër profetike: "Kush shpif për mua qëllimisht atë që nuk e kam thënë le ta përgatitë ulësen e tij për në zjarr.” (Buhariu, nr. 1209, Muslimi, 4, etj.)

Pra, me të nuk është si qëllim që njeriu, i cili nuk turpërohet le të bëjë ç’të dojë, sepse nuk llogaritet për ato punë. Ky keqkuptim mund t’i shtyjë shumë njerëz të largohen nga turpi duke u arsyetuar me këtë keqkuptim.

Llojet e turpit:

-Nga besimi,

-I lindur, natyrshmëri.

Përmendet nga Xherrah ibën Abdullah Hakemiu, se ka thënë: "Mëkatet i kam lënë nga turpi dyzet vite me radhë e pastaj arrita devotshmërinë pastaj këtë turp të lindur arrita ta shndërroj në turp prej besimit”. (Sijer alam nubela, 5/190). Hatib Bagdadiu përmend nga disa njerëz të ditur, se kanë thënë: "Mëkatet i pashë me përçmim, prandaj edhe u largova nga to, të cilat me kalimin e kohës u shndërruan në besim.” (Tarih Bagdad,  1/275).

Turpi si pjesë e natyrshmërisë së njeriut, nëse nuk shoqërohet me besim, atëherë njeriu nuk e ka shpërblimin për të si të atij që konsiderohet pjesë e fesë. Pra, nëse njeriu ka turp nga vetë natyrshmëria e tij, e jo nga frika e Allahut, atëherë nuk shpërblehet për të, sikurse njeriu që turpërohet për hir të Zotit. Mirëpo megjithatë edhe ky lloj turpi sjell dobi. Dobia e tij është se zotëruesi i tij largohet nga shumë mëkate, qoftë edhe para syve të njerëzve, e kështu peshorja e punëve të këqija nuk i mbushet me mëkate. Në anën tjetër nga një person i tillë përfitojnë edhe të tjerët, komshinjtë, shokët e tij etj. Nga një njeri që e ka këtë lloj turpi janë më rehat njerëzit, se sa nga një person që nuk turpërohet aspak.

Turpin që është pjesë e natyrshmërisë së njeriut ai mund ta shndërrojë në pjesë të besimit, nëse e shoqëron atë turp me nijet të pastër dhe e lufton epshin e vet, duke e detyruar që gjërat që largohet nga to t’i bëjë për hir të Zotit të tij, e jo veç ashtu kot nga dobësia që ndien në vete.

Turpin ndryshe mund ta ndajmë edhe turp për nga besimi, turp për shkak se mendja e shëndoshë e konsideron si turp dhe turp për shkak se zakoni e kërkon.

Si mund të konsiderohen njerëzit që janë indiferentë ndaj këtyre tre llojeve?

Ai që nuk ka turp në besim dhe i vepron mëkatet futet në radhët e mëkatarëve, i dyti në radhët e të çmendurve dhe  i treti në radhët e mendjelehtëve.

Njerëzit që turpërohen nga të tjerët e jo nga Allahu: a përfitojnë prej turpit të tyre?

Po, ai sjell dobi sidomos për të tjerët, sepse sherri i një personi të tillë është më i vogël për ta. Gjithashtu përfiton edhe vetë personi, sepse ai do të llogaritet më pak Ditën e Gjykimit, sepse do të ketë më pak mëkate. Gjithashtu turpi i tij nga të tjerët mund ta shtyjë që të turpërohet edhe atë nga Zoti, pasi Allahu është më i madh se të gjithë dhe i Vetmi prej të Cilit duhet turpëruar.

Dobësia a konsiderohet turp?

Thamë se turp do të thotë largim nga çdo e keqe, si rezultat i frikës dhe i turpit nga Allahu, ndërsa dobësi do të thotë të tregohesh i dobët, edhe atëherë kur ke të drejtë dhe të largohesh nga shumë të drejta të tua, jo nga turpi prej Zotit, por nga pazotësia dhe mos-guximi që njeriu mund të ketë në vetvete. Kjo na jep të kuptojmë se këto dy gjëra janë në kundërshtim mes tyre dhe asgjë nuk i lidh bashkë. Ta kërkosh të drejtën tënde, nuk do të thotë se je i paturpshëm, por padyshim se kërkimi i të drejtave duhet të jetë në formën më të mirë të lejuar dhe të mundshme. Kështu që Islami e konsideron se këto dy veti dallojnë mes tyre dhe njëra nuk ndërlidhet me tjetrën. Mirëpo ka raste kur njeriu nga dobësia që ka, nuk i kërkon të drejtat e tij e kështu i bëhet padrejtësi nga të tjerët. Një person i tillë padyshim se ato të drejta do t’i marrë nga zullumqari Ditën e Gjykimit, ku si rrjedhojë e kësaj kuptojmë se dobësia e të tjerëve, nuk duhet të shfrytëzohet për interesa personale, sepse diçka e tillë është e ndaluar.

Besimtari duhet të ketë kujdes të mos jetë i turpshëm për të pyetur rreth fesë së Allahut e as për t’u përgjigjur dhe për t’i mësuar të tjerët rreth saj. Mu për këtë Allahu në Kuran thotë:

"Allahu nuk turpërohet të sjellë si shembull qoftë edhe mushkonjën.” (Bekare, 26). 

 "Allahu nuk turpërohet nga e vërteta.” (Ahzab, 53).

Kurse Aisheja, radijallahu anha, thotë: "Sa gra të mira ishin ato të ensarëve, të cilat nuk i pengonte turpi që të pyesnin për çështje të fesë së tyre.” (Muslimi).

Kjo nënkupton që në gjërat fetare nuk duhet të kemi turp, qoftë për të pyetur, mësuar, praktikuar, thirrur në to etj., për ndryshe do të konsiderohet dobësi.

(revista AlbIslam nr. 82

Maj 2010)

 

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (30/06/2010)
Klikime: 1162 | Ranguar: 5.0/1
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2025