Pyetja:
Selam alejkum! Allahu jua shpërbleftë për punën që bëni e na mëshiroftë të gjithë ne muslimanët kudo që të jemi! Doja të më jepnit disa argumente nga Kurani apo Suneti rreth ndalesës së përkujtimit të ditëlindjes sepse shumë besimtarë nuk shohin te ky përkujtim diçka që bie ndesh me fenë e Allahut për shkak të mungesës së dijes. (Me përkujtim të kësaj dite nënkuptoj thjesht përmendjen e saj si pak më ndryshe se të tjerat e jo festimet e ekzagjeruara që bëjnë disa.) Zoti jua shpërbleftë me xhenetin Firdeus!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Festimi i ditëlindjes së njeriut dhe organizimi i ahengjeve për të nuk është nga udhëzimi i fesë sonë dhe kjo është një risi, pa marrë parasysh a bëhet festimi i ditëlindjeve të të Dërguarve, të dijetarëve, të mbretërve, të udhëheqësve apo edhe vetë ditëlindjet e njerëzve për shkak se kjo praktikë nuk ishte e njohur së pari nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, nga i cili merret praktika e fesë sonë. Gjithashtu kjo nuk ishte e njohur as nga muslimanët e parë (sahabët), për të cilët jemi urdhëruar t`i pasojmë dhe të ecim rrugës së tyre. Parimi i sipërpërmendur është thelbësor për muslimanin dhe këtu qëndron edhe fshehtësia e mos devijimit të grupit të shpëtuar të muslimanëve, për të cilin ka premtuar Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se do të jenë të vetmit që do të shpëtojnë nga zjarri prej të gjitha grupeve të tjera. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Fjala më e mirë është libri i Allahut (Kurani), udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të), kurse gjërat më të këqija janë risit në fe. Çdo risi është bidat dhe çdo bidat është humbje...” Gjithashtu thotë: “Kush vepron në çështjen tonë atë që nuk është nga ajo, ajo është e refuzuar.” Buhariu dhe Muslimi. Pastaj kremtimi dhe përkujtimi i ditëlindjes është vepër dhe praktikë e jomuslimanëve, kurse ne jemi urdhëruar të mos i pasojmë traditat dhe veprimet e jomuslimanëve. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Kush i ngjason një populli, ai është nga ata.” Gjithashtu transmetohet nga Saidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Do t’i pasoni traditat e popujve para jush pëllëmbë pas pëllëmbe dhe bërryl pas bërryli (hap pas hapi) edhe nëse ata hyjnë në birën e hardhucës, do t’i ndiqni.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut, çifutët dhe të krishterët?” Tha: “E kush tjetër?” Shënon Buhariu, 3269 dhe Muslimi, 2669. Këto ishin disa nga citatet të cilat aludojnë për ndalesën e festimit të ditëlindjes. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|