Muzika, zëri i shejtanit
Shkruar nga Rashit Zylfiu
Allahu i Madhërishëm thotë: "Po ka nga njerëzit që sakrifikojnë për tregime boshe me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë argumentet e Allahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.” (Lukman, 6)
O musliman, o muslimane! Ajetet kur’anore dhe hadithet profetike aludojnë për muzikën dhe instrumentet muzikore, duke tërhequr vërejtjen për to. Allahu Lartësuar ka shpjeguar se përdorimi i tyre është nga shkaqet e humbjes dhe marrjes së argumenteve kuranore për tallje.
Shumica e dijetarëve, prej tyre edhe sahaniu i mirënjohur, Abdullah Ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kanë komentuar se fjalët "tregime boshe” (lehvel hadithe) të përmendura në ajetin e si përshënuar kanë për qëllim muzikën dhe instrumentet muzikore dhe çdo zë që ndalon nga e vërteta. Muzika është sprovë për zemrën, e cila e shpie njeriun drejt të keqes dhe e largon nga e mira. Allahu i urren tregimet boshe dhe është dhënë premtimi se ai i cili merret me to, do të ndëshkohet me dënime të rënda. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
"Do të ketë nga umeti im grupe njerëzish që do ta lejojnë amoralitetin (zinanë),mëndafshin, alkoolin dhe muzikën.'' (Shënuar nga Buhariu)
Elmeazif - muzika, që është përmendur në hadith është muzika dhe instrumentet muzikore. Hadithi aludon për ndalimin e tyre sikurse ka qortuar atë që e lejon alkoolin dhe amoralitetin. Është gjë e ditur se nëse njeriu dëgjon muzikë dhe anon nga ajo, i pakësohet logjika, i pakësohet turpi, i largohet morali, i ikën personaliteti, i dobësohet imani, i bëhet Kur’ani i rëndë për ta dëgjuar apo lexuar, gëzohet me të shejtani dhe ia zbukuron atij mëkatet dhe gjërat e fëlliqura.
A ke menduar o rob i Allahut? A ke menduar o robëreshë e Allahut për vdekjen? Vdekja është realitet, në të cilin nuk bën dobi mashtrimi për ta penguar atë, as s'bën dobi dëshpërimi kur vjen ajo. Largoje nga vetja lëvozhgën e të pakujdesshmëve, se ti do të qëndrosh para Allahut, i Cili di për shikimin me cep të syve dhe për atë që fshihet në zemra ku thotë: "Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret i juaji.” (El-Hakka, 18)
Kini kujdes nga muzika, sepse ajo e dobëson fenë, logjikën e turpin dhe e shkatërron moralin, pengon për ta përmendur Allahun, pengon nga namazi dhe pronarin e saj e pret dënimi nga Allahu i Madhëruar!
Është pyetur Kasim Bin Muhamedi, Allahu e mëshiroftë, për muzikën dhe është përgjigjur: "Kur Allahu do ta veçojë në Ditën e Gjykimit të vërtetën dhe të kotën, në cilën anë do të jetë muzika?” Pyetësi ka thënë: "Nga e kota.” Atëherë, Kasim bin Muhamedi, Allahu e mëshiroftë tha duke lexuar ajetin:
”... Pas së vërtetës nuk ka tjetër pos humbje (lajthitje)...” (Junus, 32)
|