Mirësitë e Vdekjes
Sipas dijetarëve (ulemave), vdekja nuk është asgjësim, dhe me të nuk mbaron çdo gjë, por vdekja është vetëm shkëputje dhe ndarje e shpirtit me trupin, pra është një ndryshim gjendjeje dhe transferim nga një vend në një vend tjetër.
Nga: Imam Xhelaluddi Es-Sujuti
Na rrëfen Ebu Esh-Shejhu në "Tefsirin” e tij si dhe Ebu Nuajmi nga Bilal bin Sead i cili i këshillonte njerëzit me këto fjalë: "O banues të amshueshmërisë, o banues të përhershmërisë, ju nuk jeni krijuar për t’u zhdukur e as për t’u asgjësuar, por u krijuat për amshueshmëri dhe përhershmëri, andaj vërtetë do të kaloni (transferoheni) nga një shtëpi në një shtëpi tjetër (nga dunjaja për në Ahiret).”
Ebu Nuajmi tregon se po kështu i këshillonte njerëzit edhe halifi i drejtë i muslimanëve Omer bin Abdulazizi.
Transmeton Ibën El-Mubareku në librin e tij "Ez-Zuhd”, Taberaniu në "El-Kebir”, Hakimi në "El-Mustedrek” dhe Bejhekiu në "Shuabul Iman” nga Abdullah bin Amër r.a.se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kishte thënë: "Dhurata e besimtarit është vdekja!”
Të njëjtin hadith e transmeton edhe Dejlemiu në musnedin e Firdevsit nga Xhabiri r.a.
Po ashtu transmetohet nga Husejn bin Alij r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Vdekja për besimtarin është si një bimë aromatike”.
Na ka përcjellur Imam El-Bejhekiu në "Shuabul Iman” ku njëherit e cilëson si hadith të dobët, e po ashtu edhe Dejlemiu nga Hz. Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Vdekja është përfitim (dobi, levërdi), kurse mëkati fatkeqësi (mjerim). Varfëria është qetësim (rehati), ndërsa pasuria dënim (ndëshkim). Mendja është dhuratë nga i Madhi Allah, kurse injoranca (padija) është humbje. Padrejtësia (zullumi) është pendim (keqardhje), ndërsa bindja (ndaj Zotit) kënaqësi e syrit. Të qajturit nga frika e Allahut është shpëtim nga zjarri, kurse të qeshurit (e tepërt) është shkatërrim i trupit dhe ai që pendohet nga mëkatet është si ai që nuk ka mëkate fare”!
Transmeton Imam Ahmedi dhe Seid bin Mensuri në "Sunenin” e tij me sened të vërtetë nga Mahmud bin Lebid r.a. se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Dy gjëra i urren biri i Ademit. E urren vdekjen, e vdekja është më e mirë për të se sa fitneja (sprovat e ndryshme), dhe e urren pakësimin e pasurisë, e pasuria e paktë ka llogari të paktë”!
Hadith të ngjashëm na transmeton edhe Imam El-Bejhekiu në "Shuabul Iman” nga Zurate bin Abdullahu se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Njeriu e don jetën (të jetojë gjatë), mirëpo vdekja për të është shumë më e mirë. Gjithashtu njeriu dëshiron të ketë shumë pasuri, por pasuria e pakët do të ketë llogari të pakët”!
Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi nga Ebu Katadeh r.a., i cili kishte thënë: "Përderisa një xhenaze kaloi pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai tha: "I rehatshëm (i qetë) dhe të rehatshëm (të qetësuar) prej tij”. E pyetën: "O i Dërguar i Allahut, çfarë don të thotë i rehatshëm dhe të rehatshëm prej tij? U përgjigj: "Kur vdes besimtari, është i rehatshëm dhe i qetë nga hiset (fatet, risket, të mirat dhe të këqijat) e kësaj bote, kurse me vdekjen e robit të keq (të shfrenuar) është i qetë i tërë qyteti, njerëzit, kafshët dhe bimët”!
Transmeton Ibën El-Mubareku dhe Taberaniu nga Abdullah bin Amër bin As e ky nga Pejgamberi a.s. që kishte thënë: "Dunjaja është burg dhe shterpëzim (e pavlerë) për besimtarin. Kur del nga kjo botë (kur të vdes), del nga burgu dhe shterpëzimi”!
Prap transmeton Ibën El-Mubareku nga Abdullah bin Amri i cili kishte thënë: "Vërtetë dunjaja është xhennet (parajsë) për jobesimtarin, kurse burg për besimtarin. Shembulli i besimtarit kur i del shpirti i tij është si shembulli i një të burgosuri i cili del (lirohet) nga burgu dhe nga kënaqësia fillon të shëtit nëpër tokë duke shijuar ditët e lirisë”.
Me pak ndyshime shënon edhe Ibën Ebi Shejbeh në veprën e tij "El-Musannif” nga Abdullah bin Amri i cili kishte thënë: "Dunjaja është burg për besimtarin, kurse xhennet për jobesimtarin. Kur vdes besimtari, i duket sikur ka dalur nga burgu dhe fillon të shëtit nëpër xhennet kah dëshiron ai”.
Na përcjell Ebu Nuajmi nga Ibën Omeri r.a. se Pejgamberi s.a.v.s., i kishte thënë Ebu Dherrit: "O Ebu Dherr, vërtetë dunjaja është burgu i besimtarit, varri është prehja e tij dhe xhenneti është përfundimi i tij. O Ebu Dherr, vërtetë dunjaja është parajsë për jobesimtarin, varri është ndëshkimi i tij dhe zjarri është përfundimi i tij”!
Transmeton En-Nesaiu, Taberaniu dhe Ibën Ebi Ed-Dunja nga Ubadete bin Es-Samit r.a. i cili kishte thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Nuk ka shpirt mbi sipërfaqen e tokës që vdes e që dëshiron të kthehet në dunja edhe sikur të ketë tërë begatitë dhe të mirat e dunjasë më përjashtim të shehidit (martirit) , ai dëshiron të kthehet prap në dunja dhe të bie shehid përsëri për shkak të mirave që ka përgatitur Allahu në xhennet për të (shehidin)”!
Na ka treguar Ibën Ebi Shejbeh në veprën e tij "El-Musannif”, Merveziu në "El-Xhenaiz” si dhe Taberaniu nga Abdullah Ibën Mes’udi r.a. i cili kishte thënë: "Ka shkuar pastërtia (e mira) e dunjasë dhe nuk ka mbetur vetëm turbullira (e keqja) e saj, atëherë vdekja është dhuratë për çdo musliman”.
Transmeton EL-Merveziu, Ibën Ebi Ed-Dunja dhe El-Bejhekiu në "Esh-Shuab” nga Ibën Mes’udi r.a. i cili kishte thënë: "Sa të bukura dhe sa të këndshme janë dy gjëra që njerëzit i urrejnë, ato janë: varfëria dhe vdekja”.
Tregon Ibën Ebi Shejbeh dhe El-Merveziu nga Tavusi i cili kishte thënë: "Nuk e ruan fenë e njeriut vetëm gropa e tij (varri)”.
Transmeton Ibën Ebi Shejbeh, Ibën El-Mubareku në "Ez-Zuhd” dhe El-Merveziu nga Er-Rebi’ bin Hajthem i cili kishte thënë: "Nuk ka diç më të mirë që e pret besimtari se sa vdekja”.
Na ka përcjellur Ibën Ebi Ed-Dunja nga Malik bin Migvel i cili kishte thënë: "Më kanë treguar se gëzimi i parë që hynë tek besimtari është vdekja, për shkak të dhuratave dhe shpërblimeve që ka përgatitur Allahu për të”.
Ka shënuar Imam Ahmedi në veprën e tij "Ez-Zuhd” dhe Ibën Ebi Ed-Dunja nga Ibën Mes’udi r.a. i cili kishte thënë: "Besimtari nuk ka rehati derisa ta takoi Allahun xh.sh.”.
Ka shënuar Ibën Ebi Shejbeh në "Musannifin” e tij, Abdurrezaku në "Tefsirin” e tij, Hakimi në "El-Mustedrek”, Taberaniu dhe Merveziu në "El-Xhenaiz” se Ibën Mes’udi r.a. kishte thënë: "Nuk ka njeri që vdes qoftë i mirë apo i keq e që vdekja të mos jetë për të më e mirë se jeta në këtë botë, sepse nëse ka qenë i mirë, Allahu thotë në Kur’an: "...e për të mirët më e dobishmja është ajo që është tek Allahu”, por nëse ka qenë i keq, Allahu thotë në Kur’an: "Të mos mendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që të shtojnë edhe më shumë mëkatet, se ata i pret dënim nënçmues”.
Transmeton Ibën El-Mubareku dhe Ahmedi në "Ez-Zuhd” nga Hajjan bin Xhebleh i cili thotë se Ebu Dherri dhe Ebu Ed-Derda r.a. i kanë këshilluar njerëzit me këto fjalë : "Keni lindur për të vdekur, keni ndërtuar për shkatërrim, po lakmoni në ato gjëra që janë të përkohshme dhe kalimtare, kusre po i braktisni ato që janë të përhershme dhe nuk kanë fund, vërtetë sa të mrekullueshme janë tri gjëra që njerëzit i urrejnë shumë, ato janë: vdekja, sëmundja dhe varfëria”.
Transmeton Ibën Sa’di në "Et-Tabekat” dhe El-Bejhekiu në "Esh-Shuab” nga Ebu Ed-Derda r.a. i cili kishte thënë: "E dua varfërinë në shenjë modestie ndaj Zotit tim; e dua vdekjen nga malli i madh për tu takuar me Zotin tim; dhe e dua sëmundjen për t’u pastruar nga gjynahet e mia”!
Ka shënuar Imam Ahmedi në "Ez-Zuhd” dhe Ibën Ebi Ed-Dunja se Ebu Ed-Derda r.a. ka thënë: "Selami (përshëndetja islame) ka qenë dhurata më e mirë për mua që më ka dhuruar një vëlla musliman, dhe lajmi më i mirë që kam dëgjuar për të ka qenë momenti kur ka ndërruar jetë”.
Transmeton Ibën Ebi Ed-Dunja nga Muhammed bin Abdulaziz Et-Tejmi i cili kishte thënë: "E kanë pyetur Abdula’la Et-Tejmiun se çfarë dëshiron më së shumti për vetveten dhe familjen tënde, e ai iu kishte përgjigjur: Vdekjen.”
Transmeton Et-Taberaniu nga Ebi Malik El-Esharijj r.a. e ky nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili kishte bërë këtë lutje: "O Zoti im, ia bën të dashur vdekjen atij që e din me të vërtetë se unë jam i Dërguari Yt”!
Tregohet se kur meleku i vdekjes erdhi tek Ibrahimi a.s. për t’ia marrë shpirtin, ky i tha: "O melek i vdekjes, a ke parë ti që ndonjë mik t’ia merr shpirtin mikut të vet? Pastaj meleku i vdekjes pasi u ngrit në qiell tek Allahu xh.sh, Zoti i tha: "Thuaj Ibrahimit se a e ke parë ti ndonjë mik që e urrenë takimin me mikun e vet? Meleku u kthye tek ai dhe i tregoi se çfarë i kishte thënë Allahu, kurse ai ia ktheu: "Atëherë më merr shpirtin menjëherë”! (transmeton Imam Ahmedi 419/2)
Transmeton El-Asbehani në "Et-Tergib” nga Enes ibën Maliku r.a. se Pejgamberi s.a.v.s., i ka thënë: "Nëse nuk e harron porosinë time, atëherë nuk ka asgjë më të dashur për ty se sa vdekja”!
Ka Shënuar Ibën Seadi nga Hasani i cili tregon: "Kur Hudhejfes ju kishte afruar vdekja, kishte thënë: "Ka ardhur i dashuri (meleku i vdekjes) duke qenë në varfëri. Ai që pendohet (pak para vdekjes) nuk gjenë shpëtim. E falënderoj Allahun i Cili më ruajti nga sprovat e kësaj bote!”
Hajjan ibën El-Esved ka thënë: "Vdekja është urë që lidh të dashurin me të dashurin!”
Ka thënë Ebu Uthmani: "Shenjë e dashurisë (së Zotit) është të duash vdekjen kur je në rehati!”
Disa të tjerë kanë thënë: "Të dashuruarit (ashikët) e ndjejnë ëmbëlsinë e vdekjes gjatë ardhjes së saj. Atyre ju zbulohet (në momentin e vdekjes) se ajo çfarë ka përgaditur Zoti për ta është shumë më e mirë se jeta në këtë botë!”
Transmeton Ibën Asakiri nga Dhunnun El-Misri i cili kishte thënë: "Esh-Sheuku”, dashuria e zjarrtë ndaj Zotit është grada më e lartë dhe mekami (pozita) më e lartë; kur një rob e arrinë këtë gradë, atëherë kërkon vdekjen që sa më parë të takoi dhe të shoh Zotin e tij.”
Tregon Ibën Ebi Ed-Dunja se kur i thanë Utbete El-Hulanit r.a. se Abdullah bin Abdul Meliku kishte ikur me vrap nga kolera, ai tha: "Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi; nuk kam menduar se do jetojë më tepër në këtë botë derisa e dëgjova këtë. A nuk ju kam treguar se si kanë qenë vëllezërit tuaj? E para: Takimi me Allahun ka qenë më e dashur për ta se sa të jetonin gjatë në këtë botë; E dyta: Nuk kanë patur frikë aspak nga armiku, qofshin pak apo shumë në numër; E treta: Nuk kanë patur frikë nga varfëria në këtë botë; E katërta: Nëse është përhapur kolera (sëmundje epidemike) në mesin e tyre, nuk kanë ikur në ndonjë vend tjetër deri në momentin e vdekjes.
Shënon Ebu Nuajmi në "El-Hiljeh” se dikush i kishte thënë Mekhulit: A e do Xhennetin? Ky ia ktheu: Po kush nuk e do Xhennetin? Atëherë duaje vdekjen, sepse nuk mund ta shohësh Xhennetin vetëm pasi të vdesësh – ia ktheu njeriu!”
Transmetohet nga Abdurrahman bin Jezid bin Xhabir se Abdullah bin Ebi Zekerija kishte thënë: "Sikur të më jepej të zgjedhja të jetojë edhe 100 vite në bindje ndaj Zotit, apo të më merrej shpirti sot në këtë çast, do të zgjedhja të më merrej shpirti sot në këtë çast, nga dashuria dhe malli i madh që kam ndaj Allahut, Pejgamberit të Tij dhe njerëzve të mirë!”
Shënon Ebu Nuajmi dhe Ibn Asakiri në "Tarihun” e tij nga Ahmed bin Ebi El-Hivari i cili kishte thënë: "E kam dëgjuar Ebu Abdullah En-Nibaxhiun duke thënë: "Sikur të më jepej të zgjedhja që dunjaja të jetë e imja që nga krijimi i saj dhe të kënaqem me të mirat e saj (që janë hallall) e të mos pyetëm për to ditën e gjykimit, apo të më merrej shpirti në këtë çast (moment), do të zgjedhja të më merrej shpirti në këtë çast. A nuk dëshiron të takosh Allahun xh.sh.?
Shënon Ebu Nuajmi dhe El-Bejhekiu në "Shuabul-Iman” nga Enesi r.a. i cili thotë: Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s., : "Vdekja është shpagim për çdo musliman”. Ibnul Arabiu thotë se është hadith i vërtetë (sahih). Ndërsa Imam Kurtubiu thotë se vdekja është shpagimi për shkak të fatkeqësive dhe dhembjeve që përjeton njeriu në momentin e vdekjes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., thotë: "Nuk ka musliman të cilin e godet ndonjë pakënaqësi (e keqe, fatkeqësi) qoftë edhe ndonjë gjemb apo diç më e vogël se ajo e që Allahu mos t’ia mbulojë me të gabimet dhe të metat e tij!” (Buhariu 111/10) dhe (Muslimi 2571). Kur për një të keqe të vogël Allahu i falë mëkatet e muslimanit, atëherë çfarë mendon për vdekjen dhe agonitë e saj që janë më të vështira dhe më të rënda se 300 goditje me shpatë?!.
Ibën El-Mubareku përmend në librin e tij "Ez-Zuhd” dhe Ibën Ebi Ed-Dunja nga Mesruki i cili kishte thënë: "Nuk kam patur lakmi askënd, përveç një besimatar në varrin e tij, sepse ai është i mbrojtur nga dënimi i Allahut dhe i qetë nga fatkeqësitë dhe hallet e kësaj bote!”.
Kurse Ibën Ebi Shejbeh e tregon në këtë version: "Nuk ka diç më të mirë për besimtarin se varri i tij. Aty do jetë i qetë nga hallet, problemet, brengat dhe fatkeqësitë e kësaj bote dhe do jetë i mbrojtur nga dënimi i Allahut!”
Ibnul Mubareku transmeton nga El-Hejthem bin Malik i cili kishte thënë: " Ishim tek Ejfa bin Abd duke biseduar e tek ai kishte qëlluar Ebu Atijje El-Medhbuhi. Ndër të tjerash ata bisedonin për të mirat dhe begatitë. Dikush pyeti: Kush është njeriu më i pasur? Thanë për fulanin e fulanin, kurse Ejfa duke u drejtuar kah Ebu Atijje thotë: Po ti çfarë thua o Ebu Atijje? Ai tha: "Njeriu më i pasur dhe më i begatshëm është trupi i besimtarit në varr që është i sigurtë dhe i mbrojtur nga dënimi i Allahut xh.sh.!”
Muharib bin Dithar tregon e thotë: "Më pyeti Hajthemeh se a më bën vdekja të kënaqur dhe të gëzuar, e unë i thashë jo, atëherë ai ma ktheu: "Nuk njoh askënd që nuk e gëzon vdekja vetëmse atë që është i mangët dhe me të meta!” Në një version tjetër thuhet: "Kjo, vërtetë është një e metë e madhe për ty!”
Shënon Ibën El-Mubareku nga Ebu Abdurrahmani se njëri në mexhlisin e Ebi El-A’ver Es-Sulemiut kishte thënë: "Pasha Allahun, nuk ka krijuar Allahu diç më të dashur për mua se sa vdekjen. Atëherë Ebu El’A’veri tha: "Të jem si ti është më e dashur për mua se sa të kem një serë bagëtish!”.
Ibën Ebi Ed-Dunja përmend prej Safvan bin Selim: "Vdekja është rehati për besimtarin nga fortunat e kësaj bote edhepse është e mërzitshme dhe pikëlluese.!”
Muhammed bin Zijad tregon se një i urtë kishte thënë: "Vërtetë vdekja është më e lehtë për njeriun e mençur se gabimi i alimit indiferent.!”
Tregon Sufjani se është thënë nga dikush: "Vdekja është rehati për abidët (adhuruesit e sinqertë).!”
Marre nga libri me titull "Sherhus-Sudur fi sherhi halil meuta vel kubur” i dijetarit te madh, Imam Xhelaluddin Es-Sujuti (Allahu e meshirofte).
Perktheu nga arabishtja: Enes Koshi