Mësimi i 4 Degët e imanit
Allahu i Lartësuar thotë: "Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, librin dhe Profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun." (Bekare, 177)
Ebu Hurejra r.a. tregon nga Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë: "Imani (besimi) përbëhet nga gjashtëdhjetë e ca degë dhe turpi është degë nga degët e besimit." (Buhariu)
Shpjegim:
Qëllimi final është respektimi i Allahut dhe kryerja e obligimeve të fesë, kjo është mirësia dhe besimi. Mirësia ndërtohet mbi bazën e besimit në Allahun, Ditën e Gjykimit, melaiket, librin e shpallur, Pejgamberet e dërguar. Mirësi nënkupton gjithashtu edhe bamirësia për jetimët, të varfrit, të afërmit dhe kategoritë e tjera të lartpërmendura në ajet. Mirësi është edhe përmbushja e premtimeve. Pra, imani ka degët e veta që shtrihen gjithandej dhe më së miri këtë na e bën të qartë hadithi i lartpërmendur, se imani ka mbi gjashtëdhjetë degë.
Dobi:
1. Imani përbëhet nga dhjetëra degë. 2. Mirësia shtrihet në dy rrafshe: rrafshi vertikal (besimi në Allahun, Ditën e Fundit, etj.) dhe horizontal (bamirësia ndaj të afërmit, jetimëve, etj.). 3. Besimtarët e vërtetë janë ata që kanë frikë Allahun. 4. Turpi është një degë nga degët e imanit.
Allahu im! Më dhuro mirësinë Tënde, o i Gjithëmëshirshëm! Të lutem më zbukuro me degën e imanit, turpin!
Përgaditi: Ulvi Fejzullahu
|