Mësimi 2. Haxhi detyrim
Allahu i Lartësuar thotë:
"E kryenie haxhin dhe umrenë për hir të All-llahut,..." Bekare-196
"dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd."(Aliimran, 97)
"Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta." Haxh-27
Resulullahu sallallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit." (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi)
Pejgamberi, sallallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: "shpejtoni për në haxh, ngase asnjëri prej jush nuk dinë se çka do ti ndodhë". (transmeton Ahmedi)
Transmeton Ibni Abasi e që thotë: " Gjatë një fjalimi të vet Resulullahu sallallahu alejhi ve sel-lem mes tjerash tha: "O ju njerëz, haxhi është caktuar për ju, e ju veproni ashtu, shkoni në haxh." Në ndërkohë u ngrit Akrea, djali i Habisit dhe e pyeti: "A për çdo vit, o i Dërguari i Allahut?" Pejgamberi sallallahu alejhi ve sel-lem iu përgjegj: "Nëse ju them po, do t’ ju obligoj, e nëse ju obligoj, nuk do të veproni ashtu e as që do të keni mundësi përherë. Haxhi duhet të bëhet njëherë, e ai që e përsërit disa herë, e bën këtë nga dëshira dhe vullneti i tij." (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Shpjegim:
Haxhi është një prej pesë kushteve të Islamit. Obligohet muslimani i cili ka mundësi, të shpejtoje shkuarjen në haxh që të mos bie në mëkat. Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrim atë një herë në jetë. Dhe haxhi për myslimanët ka dobi të shumta si fetare dhe jetësore.
Dobi:
1. Haxhi detyrim për atë që mundet.
2. Është njëra ndër shtyllat e Islamit.
3. Është detyrim një herë në jetë.
Përgaditi: Ulvi Fejzullahu - Bujanoc