Allahu i Lartësuar thotë:
"Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten...” (Enfal, 2)
Ibni Omeri tregon nga i Dërguari i Allahut se ka thënë:
"Islami qëndron mbi këto pesë shtylla: të dëshmosh fjalën "LAILAHE IL-LALLAH” (nuk ka Zot e të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe Muhamedi salallahu alejhi ve selem është i Dërguari i Tij); falja e rregullt e pesë kohëve të namazit; dhënia e zekatit; kryerja e haxhit; agjërimi i muajit Ramazan.” (Buhariu)
Shpjegim:
Allahu i Lartësuar i njofton besimtarët se të tillë janë ata që kur përmendet Allahu, zemrat e tyre dridhen e lëkunden, punojnë at që Allahu ka urdhëruar dhe ndalohen nga ndalesat e Tij. Kur besimtarët ndonjëherë tentojnë të bëjnë ndonjë gjynah dhe u tërhiqet vërejtja me fjalët "ki frikë Allahun”, tërhiqen nga mëkati duke pasur frikë Allahun. Kur lexohet Kurani, imani i tyre ngulitet edhe më tepër dhe rritet. Ata kanë besim të fortë dhe nuk i luten askujt tjetër pos Allahut dhe i mbështeten vetëm Atij.
Të mos harrojmë se Islami ynë mbështet në shtylla të forta. Ndër më kryesoret është ajo e besimit, siç tregon edhe radhitja, shehadeti: "LAILAHE IL-LALLAH” (nuk ka Zot e të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe Muhamedi sal-lallahu alejhi ve selem është i Dërguari i Tij).
Dobi:
1. Kur përmendet Allahu, zemrat dridhen, kur lexohet Kurani, imani shtohet.
2. Shtylla kryesore e Islamit është shehadeti: LAILAHE IL-LALLAH.
3. Pesë shtyllat e Islamit janë jetike për çdo besimtarë.
4. Besimtarët e denjë i mbështeten vetëm Allahut të Madhërishëm.
Allahu im!
Më forco, më shto besimin dhe më bëj të mbështetem vetëm te Ti!