Mësimi i shtatë: Ëmbëlsia e imanit
Allahu i Lartësuar thotë:
"Thuaju (o Muhamed): "Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë." (Aliimran, 31)
"Thuaj: "Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur." (Tevbe, 24)
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë:
"(Betohem) për Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im! Asnjë prej jush nuk do të ketë Iman (të plotë) derisa të jem unë më i dashur tek ai sesa babai i tij dhe fëmija e tij." (Buhariu) Enesi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë:
"(Betohem) Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im! Asnjë ri prej jush nuk do të ketë iman (të plotë) derisa të jem unë më i dashur për të se babai i tij, se fëmija e tij dhe se të gjithë njerëzit bashkë." (Buhariu)
Shpjegim:
Dashuria për Muhamedin salallahu alejhi ve selem është ndjekja dhe pasimi i mesazhit islam që ai predikoi. Dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij duhet të dominojë mbi çdo dashuri, përndryshe pason dënimi i Allahut. Askush nuk mund të pretendojë për dashurinë për Të duke mohuar apo mos pranuar mësimin e tij mbi fenë e Allahut, Islamin. Falja e Allahut dhe dashuria e Tij arrihet vetëm duke e pasuar atë. Dy hadithet e lartpërmendura i tregojnë shumë qartë çdo besimtari se Muhamedi salallahu alejhi ve selem duhet të jetë më i dashur se çdokush tjetër.
Dobi:
1. Dashuria për Allahun është të pasosh Pejgamberin e Tij. 2. Dashuria për Allahun sjell faljen e gjynaheve. 3. Duaje Muhamedin salallahu alejhi ve selem më shumë se familjarët e tu. 4. Iman i plotë është dashuria e plotë për Muhamedin salallahu alejhi ve selem.
Allahu im! Më shto dashurinë ndaj Muhamedit salallahu alejhi ve selem!
Përgaditi: Ulvi Fejzullahu
|