Pyetja:
Hoxhë i nderuar, jam i martuar që 10 vite, gruan e kam muslimane. Jetoj në perëndim dhe deri para 3 viteve kam pirë nganjëherë alkoolin, nuk kam fal namaz, vetëm xhuma, Bajram apo ndonjëherë. Deshi Allahu dhe tani që 4 vite kam lënë alkoolin, falem dhe me shtohet imani dhe interesi çdo ditë për Islam. Kohën e lirë e kaloj në xhami, ku edhe kam përfituar shumë. Edhe shoqërinë e kam ndërruar, por problemi im është se tani kam shumë probleme në shtëpi prej gruas, sepse ajo nuk me lë të shkoj në xhami, më thotë se diçka nuk është në rregull me ty. Po e tepron edhe shumë e shumë të tjera. Ajo vet nuk falet as nuk do t’ia dijë për atë pune. Jam munduar aq shumë ta bind, por kot dhe kot, edhe pse është myslimane. Tani ka ndryshuar edhe me shumë, bile edhe nuk dëshiron të më vijnë mysafirët, shokët të cilët i kam që 3-4 vjet. Nuk e di, kam bërë shumë dua, po nuk ndryshon asgjë, bile-bile shkon edhe më keq. Të lutem, më ndihmoni si t’ia bëj, më shkon mendja të ndahem prej saj, po kam dy fëmijë. Hoxhën tonë këtu nuk mund ta pyes, se më vjen turp. Inshallah keni ju një përgjigje për mua!
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Falënderoj Allahun e Lartësuar që të begatoi me pendim dhe udhëzim, vërtet vetëm Ai është i denjë për këtë falënderim. Gjithashtu, lus Atë që të na jap neve dhe juve forcë dhe vendosmëri në rrugën e saktë.
Vërtet, për të ekzistuar jetë e lumtur në mes një burri dhe gruaje, padyshim, duhet të kenë të përbashkët shumë gjëra. Afërsia, përputhja, pëlqimi i sjelljeve dhe shprehive te njëri tjetrit janë prodhues të dashurisë dhe respektit të ndërsjellë.
Problemi yt është se pas ndryshimit tënd (kuptohet për të mirë), shumë nga gjërat që nuk i ke praktikuar më herët apo nuk i ke pasur shprehi, tani ke filluar t`i bësh. Kjo ia vështirëson gruas tënde që të të pranojë ty me këto ndryshime. Prandaj edhe ndoshta shpreh frikë se me ty ka ndodhur diçka apo nuk është në rregull, ashtu si e cek në letër.
Gjithashtu, nëse nisem edhe nga perceptimi i gjërave që ju i keni pasur më herët dhe tani, padyshim se, më herët ju për shumë gjëra që nuk keni çarë kokën se si zhvillohen, tani tregoheni më të vëmendshëm dhe më strikt. Nuk do të dëshiroja ta konkretizoja me shembuj, por këto përpikëri që tani i kërkoni, qoftë nga gruaja apo në familje në përgjithësi, i krijon gruas tënde të ndihet se ju tani “cenoni” disa të drejta që i ka pasur më herët, apo edhe nuk jeni si më parë më liberal, qoftë edhe me vete. Natyra e njeriut është që për çdo ndërhyrje, por edhe përmirësim, nëse nuk është i bindur se është e drejtë ajo e shikon me sy të kritikës dhe refuzimit.
Duke i pasur parasysh këto që i thamë më lartë themi se gjëja e parë që ju duhet të ndryshoni tani është që gruaja juaj të vërej tek ju, krahas ndryshimeve që kanë ndodhur tek ju në praktikimin e dispozitave fetare, ndryshim edhe në raportin tënd me të. Me fjalë të tjera të tregoni edhe më shumë interesim për gruan tuaj dhe të keni mirësjellje me të.
Nuk themi se kjo e fundit nuk është nga feja, pasi urdhrat kuranore dhe këshillat profetike janë të mbushura me porosi që burri të ketë sjellje të mira me gruan, të kujdeset dhe të mundohet ta bëj të lumtur, etj. Por, ashtu si vërej nga letra është e mundur që gruaja juaj ta ndiejë veten të tejkaluar, kur ju merreni me gjëra për të cilat më herët nuk keni pasur interesim apo për të cilat tani ju flisni gjatë bisedave. Nuk propozojmë që të ndaloheni nga të këshilluarit e gruas dhe të keni shoqëri me të cilët kaloni një pjesë të kohës, por mundohuni që të vërej gruaja juaj se ju jeni të interesuar për të, keni vëmendjen tek ajo dhe shprehni dashuri në forma dhe sjellje të ndryshme. Të gjitha këto do të lënë mbresa te gruaja juaj dhe, padyshim, do të reflektojnë për të mirë.
Gjithashtu, nga letra kemi vërejtur, por ndoshta edhe gabojmë, se jeni pakëz me personalitet të dobët, ku i jepni hapësirë gruas të demonstroj sjellje më rigoroze. Prandaj themi të jeni më të qëndrueshëm në mendime. Kur të flisni të jeni të qartë se çfarë dëshironi nga ajo dhe të kuptojë se deri ku mund të shkoj ajo.
Së fundi, themi se është herët të mendoni për shkurorëzim, edhe pse mund të jetë solucioni i fundit, por ju duhet të mundoheni të përdorni metoda dhe forma me të cilat do ta bindni gruan për rrugën që keni zgjedhur. Të përdorni metoda me të cilat do ta joshni gruan tuaj që të ketë më shumë respekt ndaj juve. Bëni lutje Allahut gjithmonë dhe jeni të bindur se Ai ka mundësi të bëj çdo gjë, pra mos humbni shpresën dhe assesi mos thuaj e kam lutur Allahun e Lartësuar, por nuk po shoh rezultat.
Alaudin Abazi
|