Statistikat |
Gjithsejt online: 1 Vizitorë: 1 Anëtarë: 0 |
|
Më jepni disa mendime për situaten time
Pyetja: Jam një muslimane e cila dua të pyes për veshjen për shkak se burri im i cili rjedh nga një familje muslimane, por që nuk falet nuk do në asnjë mënyrë që unë të mbulohem as të vesh të gjata, duke e bërë problem të madh këtë gjë, duke ia hedhur fajin dhe vëllait tim i cili është musliman dhe gruaja e tij është e mbuluar. Ai thotë se beson, por nderin nuk e bën veshja. Momentalisht ndodhem në USA dhe s’kam asnjë lidhje me asnjë motër. Lutem që Zoti të ndryshojë këtë gjendje në familjen time! Po patët mundësi të më jepni disa mendime për situaten time dhe a do të dënohem unë po qe se vdes tani për keëtë faj? Jam përpjekur shumë herë për të folur me të, po nuk do të dëgjojë, bile sa vjen nga puna hap muziken dhe ka humbur komunikimi në mesin tonë. Allahu jua shperbleftë për këtë mundësi të pyetje-përgjigjje!
Përgjigja: Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Motër e nderuar! Lus Allahun e Lartësuar t’ju forcoj në këtë rrugë deri në vdekje, t’ju japë sukses në jetë dhe t’ju jap urtësi të gjeni formën dhe metodën më të qëlluar për t’i tejkaluar këto probleme! Problemi nga i cili ankoheni ju, pothuajse tani është bërë një fenomen tek të gjithë ato familje që kanë nivel të ultë rreth njohurive islame dhe janë fanatike, e që nga mesi i tyre dalin vajza që i kthehen Islamit dhe dëshirojnë që jetën e tyre të mbetur në këtë botë ta bëjnë konform ligjeve islame, pasiqë një pjesë të jetës së tyre e kanë kaluar duke qenë larg këtyre dispozitave. Ky transformim i tyre, nëse mundem ta quajmë ashtu, u shkakton probleme të njëpsanjëshme me rrethin dhe familjet e tyre. Shpeshherë, nëse njeriu është në këto rrjedha, dëgjon raste që arrijnë edhe shkallën e konfliktit ndërmjet këtyre vajzave dhe familjeve të tyre. Për fat të mirë, shumë nga këto raste përfundojnë mirë, pasi familjet e tyre pas një kohe arrijnë të kuptojnë këtë realitet posaçërisht kur shohin se vajzat e tyre, së bashku me ndryshimin e modelit të veshjes, bëjnë ndryshime edhe në sjelljet e tyre me prindërit, familjen dhe rrethin në përgjithësi. Për fat të keq, ekzistojnë edhe disa raste që përfundojnë edhe me largimin e vajzës nga shtëpia, por këto raste me falenderimin e Allahut janë të pakta dhe kjo ndodh vetëm me ato familje që kanë botëkuptime të këqia rreth Islamit dhe nuk njohin kulturë dhe respekt të ndërsjelltë. Nëse femra është e martuar, atëherë rasti është edhe më i ndërlikuar, pasi ajo tani duhet të ballafaqohet me të njejtat probleme, por duke ia shtuar kësaj se ajo tani është në një mjedis të huaj, ku ndryshon nga natyra e familjes së saj, pastaj ka edhe burrin me të cilin ndan shumë gjëra të përbashkëta. Prandaj edhe vendimet e saj janë varur edhe me pëlqimin e burrit. Duke e pasur parasysh këtë realitet të përgjithshëm ne do të mundohemi të të ndihmojmë me disa këshilla me të cilat ju mund të shërbeheni, por dijeni se ajo që e njeh më saktë realitetin tuaj jeni ju, pastaj edhe ajo që do ta zgjedh atë me ndihmën e Allahut jeni ju. 1.Është mëse me rëndësi që ju ta riktheni komunikimin e ndërsjelltë që keni humbur me burrin tuaj, prandaj ju duhet të keni kujdes në sjelljet tuaja dhe të mundoheni që ta bindëni atë se keni respekt ndaj tij, e doni dhe të keni vëmendjen në ato gjërat që ai i pëlqen kështu që ju ta përfitoni zemrën e tij. 2.Duke e pasur parasysh realitetin e burrit tënd, por edhe në përgjithësi ata që nuk janë edhe kundërshtarë të haptë të Islamit, ashtu siç sqaroni për burrin tuaj pasi ai pranon se beson, shkaku i refuzimit të këtij lloji disa dispozita të Islamit si mbulesën apo diçka tjetër është se ata janë në mes të dy botëkuptimeve. E para, injoranca që kanë rreth Islamit dhe e dyta, ata janë mëse të ndikuar nga kultura dhe përparimi materialist i përëndimit, gjë që i bënë ata ta konsiderojnë këtë praktikë (mbulesën) si një prapambeturi që duhet lënë anash dhe e shohin se nëse e praktikojmë këtë, atëherë e kemi lënë vetën në bisht të këtij karvani të përparimit dhe progresit. Për këtë përqëndrimi yt duhet të jetë që ti ta thyesh këtë dhe të mundohesh ta bindësh se mbulesa nuk thërret në ngecje, por ajo është ngritje, nderë dhe ruajtje e moralit. Këtë duhet ta bësh duke zgjedhur momente dhe situata të favorshme për ty. 3.Njeriu në natyrën e tij nuk pranon me lehtësi të tërhiqet nga qëndrimi i tij, posaçërisht nëse për atë ka polemizuar dhe diskutuar. Nëse kjo është prezente te njerëzit në përgjithësi, atëherë ajo është edhe më e theksuar ndërmjet burrit dhe gruas, posaçërisht nëse është fjala që burri të tërhiqet nga qëndrimi i tij në favor të gruas. Prandaj edhe reagimet e burrit tuaj janë pothuajse normale, nëse e kemi parasysh këtë që e tham më lartë. 4.Mendojmë se për momentin pushoni së diskutuari çështjen e mbulesës konkretisht, derisa të arrini përtërirjen e raporteve të ndërsjellta, pasi siç po kuptojmë nga letra juaj si duket ai është mërzitur nga insistimet tuaja dhe kjo e bënë atë ta ndërpresë komunikimin e sinqertë me ju dhe shkaku i refuzimit që ju të mbuloheni, ai nuk e bënë nga arsyeja se është kategorik në të, porse e paramendon përulje të tërhiqet nga kjo (ashtu siç sqaruam në pikën para kësaj) dhe ka nevojë për pak kohë që psiqikisht të pushoj së menduari për këtë. Por kohë pas kohe mundohu të hapësh tema që flasin rreth mirësive islame që je i bindur se edhe ai do të pajtohet me to. 5.Çështja e fundit dhe më e rëndësishmja për ju është që të mos harroni në asnjë çast Allahun e Lartësuar dhe fuqinë e Tij, prandaj gjithmonë ju duhet t’i drejtoheni Atij me lutje, posaçërisht gjatë natës pasi lutja në pjesën e fundit të natës është e pranuar tek Allahu i Lartësuar, luteni Atë t’ju ndihmojë në zgjedhjen e problemit. Allahu është i Plotfuqishëm në çdo gjë dhe ka mundësi sa i hap dhe mbyllë sytë, apo edhe me shpejtë ta ndryshoj realitetin tënd, në Dorën e të Cilit jemi të gjithë ne dhe nuk lëvizë një fletë nga pema dhe të bie në tokë vetëmse me dijen dhe urdhërin e Tij, por ishte urtësia e Tij që njerëzit të sprovohen dhe me këtë sprovë të arrijnë bindshmërinë ndaj Tij dhe më në fund shpërblimin në botën tjetër. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: "A menduan njerëzit të thonë: "Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?" Ne i sprovuam ata që shin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t'i dallojë ata që e thanë të vërtetën dhe do t'i dallojë gënjeshtarët.” (Ankebut 2-3) Së fundi, lusim Allahun e Lartësuar t’ju ndihmojë në tejkalimin e këtij problemi dhe t’ju bëjë nga fitimtarët në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi
|
Kategori: Pyetje & Përgjigje | Shtuar nga: shpend-xhelili (08/02/2010)
|
Klikime: 648
| Ranguar: 0.0/0 |
|
|