Pyetje:
E nderuara redaksi!
Allahu ju shpërbleftë për punën që po bëni! Jam një motër myslimane, fali pesë kohët e namazit (edhe në vendin ku punoj), punoj nga ora 8 deri në orën 17. Kam një pyetje. Elhamdulilah, kam tre fëmijë. Dëgjoj ligjërata të ndryshme në Radio-Pendimi. Emocionohem shumë prej ligjëratave të hoxhallarëve, zakonisht kur dikush ka mëshirë ndaj jetimëve, kur dikush ka bërë ndonjë gjest human, emocionohem dhe qaj edhe kur dëgjoj ezanin arabisht, ilahi, ndodh shpesh kur jam duke u falur, kur i drejtohem Allahut të Madhëruar me lutjet e mia. Nga leximet e shumta e di se me qarë për Allahun është diçka e mirë, por edhe në disa raste kam lexuar se loti sjell kob. Në jetën e përditshme nuk qaj lehtë, jam më e fortë në përballimin e sfidave të ndryshme. Prindërit i kam të vdekur, Allahu i pastë shpërblyer me xhenetin Firdeus. Ata kanë falur 5 kohët e namazit që nga mosha 11 vjeçare. Kanë vdekur duke na lanë amanet namazin. Mirëpo as në vdekjen e tyre nuk kam qarë. Desha ta lidhi d.m.th. me atë se kam qenë më e fortë përkundër dhimbjes shpirtërore kurse këto ngjarje po më emocionojnë më tepër. A thua, vallë, është edhe realizimi i duasë time ,,Allah, zbutma zemrën me ëmbëlsi imani, zbutmi sytë me lotin e besimit''? Eselam alejkum ve Rahmetullah!
Përgjigje:
Alejkumus selam ve Rahmetullahi ve berekatuh!
Allahu ju forcoftë në të Vërtetën dhe në përfilljen e obligimeve ditore e vjetore të Allahut, në edukimin e mirë të fëmijëve tuaj, në arritjen e diturisë së dobishme, në solidarizimin e mëtejshëm me jetimët, të varfrit e të vobektit, në spastrimin e shpirtit nga çdo sëmundje etj.! Po ashtu Allahu ju shpërbleftë për duanë tuaj për punën tonë!
Jo motër, loti i cili del nga frika ndaj Allahut, dhe nga dëshira dhe mallëngjimi për t’u solidarizuar me nevojtarët është lot i dobishëm që e do Allahu. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Nuk ka diç më të dashur për Allahun se dy pika dhe dy gjurmë: njëra pikë është loti nga frika ndaj Allahut dhe tjetra gjaku i derdhur në rrugën e Allahut, kurse dy gjurmët janë: gjurmë që mbetet nga (lufta në) rruga e Allahut dhe gjurmë që mbetet nga ndonjë obligim fetar (si namazi, abdesi, agjërimi etj.)" (Sahih, Tirmidhiu)
Abdullah Ibën Omeri ka thënë: "Të qaj një herë nga frikrespekti ndaj Allahut është më e dashur për mua sesa të jap sadaka një mijë dinarë (të artë)". I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Dy lloj sysh nuk do t'i prekë zjarri i xhehenemit: Syrin i cili qau nga frika e Allahut dhe syri i cili nuk pushoi gjatë natës, që i ruajti luftëtarët." (Sahih, Tirmidhiu)
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po ashtu ka thënë: "Shtatë kategori njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut, ditën kur nuk ka hije pos hijes së tij: ... dhe njeriu i cili e përkujtoi në vetmi Allahun dhe i lotuan sytë." (Buhariu dhe Muslimi)
Në disa transmetime thuhet se i Dërguari e ka lutur Allahun që ta ruajë nga syri i cili nuk loton për hir të Allahut.
Loti nga përkujtimi i madhërisë së Allahut dhe respektit ndaj Tij, është lot i dëshirueshëm dhe i shpërblyer. Ky lloj loti aspak nuk është kob, por është ibadet dhe përkushtim ndaj Krijuesit të gjithësisë.
Allahu na bëftë të lotojmë kur e përkujtojmë Atë! Amin!
Muhamed Dërmaku
|