Lidhja në emër të Allahut
Vëllezër dhe motra në Islam. A keni menduar ndonjëherë se po të mos ekzistonte etja a do të ndjenim aq shumë shijen dhe ëmbëlsinë e ujit?!
Mëshira e Allahut, elhamdulilah, njëra nga begatitë e panumërta është edhe afërsia me motra dhe vëllezër në Islam. Lidhje shumë e veçantë aq sa shpeshherë as që shpjegohet me fjalë. Të miqësohesh për hir të Allahut është njëjtë si të shuash etjen nga burimet e kristalta...
Nëse ende nuk jeni të afruar me vëllezër dhe motra në Islam, jeni shumë më të "varfër”, më të mbyllur dhe më të mangët.
"Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi. (Atyre besimtarëve, që ishin shoqëruar për hir të Zotit, u thuhet): "O adhuruesit e Mi, sot nuk ka as frikë për ju, e as që do të jeni të pikëlluar!” (Ez-Zuhruf: 67-68)
Transmetohet prej Omer Ibën Hattabit, se ka thënë: "I Dërguari i Allahut ka thënë: "Ka disa njerëz, të cilët nuk janë as të dërguar e as dëshmorë, por në Ditën e Gjykimit do t’ua kenë lakmi të dërguarit dhe dëshmorët për pozitën e tyre te Zoti.” Shokët i thanë: "O i dërguar i Allahut, na trego kush janë ata?” Ai u përgjigj: "Ata janë njerëzit të cilët janë dashur mes veti në emër të Zotit, pa pasur lidhje fisnore mes vete, e pa pasur ndonjë interes material të përbashkët. Betohem në Allahun, fytyrat e tyre me të vërtetë janë dritë, ata janë mbi dritë, nuk frikohen kur frikohen njerëzit, e as që dëshpërohen kur dëshpërohen njerëzit.” Dhe e lexoi ajetin: "Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje.” (Junus, 62) /Transmeton Ebu Davudi/
Dhuntitë e miqësisë, selame të shumta, komunikime të lirshme, syçka e buzëqeshje të çiltra, pjekuri, këshilla të sinqerta, afërsi, plotësim i vetvetes. Bile, kur ju flet, nganjëherë aq afër ndihesh, thuajse i pëshpërit vetvetes. Të mbushur jetë, gjallëri, optimizëm, reflektime tejet pozitive. Me të vërtetë, kjo është vetëm dhe vetëm mëshira e Allahut.
Shkruar nga Burbuqe Rexha
|