Me emrin e Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut të madhëruar, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira qoftë mbi të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem, mbi familjen dhe shokët e tij e të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Tregohet për një njeri, të cilit i ra një sëmundje së cilës nuk po ia gjente ilaçin. Kudo që shkonte, njerëzit i thoshin: "O njeri, a nuk e vëren kundërmimin (erën e keqe) që del prej teje, përse nuk pastrohesh”? Ndërsa disa e ofendonin, disa e tallnin dhe disa edhe e përqeshnin.
Prandaj, i ndodhur në këtë hall, ai nuk la vend pa shkuar dhe pa u kontrolluar. Vizitonte ordinanca të ndryshme duke bërë ekzaminime të llojllojshme, duke filluar nga goja, grykët, stomaku, mëlçia, zorrët etj., etj., por rezultati gjithmonë ishte i njëjtë: "nuk ekziston asnjë mjekim i natyrës organike për këtë fenomen kundërmues”.
Bënte dush disa herë në ditë, lante dhëmbët me lloj-lloj pastash aromatike, parfumohej me aromat më të këndshme, por prapë se prapë nuk mundi ta largojë kundërmimin dhe erën e keqe. I lodhur nga të gjitha këto dhe i mërzitur deri ne vdekje, më në fund u izolua tërësisht nga njerëzit. Ishte kthyer në një varr kundërmues, të cilin nuk e vizitonte as miku e lëre më armiku.
Duke qenë në këtë pikëllim të madh, dëgjoi për një plak të urtë, dhe u nis për tek ai me shpresën se mbase ai do ta ndihmonte. Pasi ia shpjegoi tërë hallin dhe situatën në të cilën ndodhej, plaku i urtë i tha: "O djalë, ky nuk është kundërmimi i trupit tënd, por është kundërmim i veprave tuaja.” Plaku i urtë i tregoi gjithashtu, se kjo është puna e Zotit dhe Zoti e sprovon kë të dojë. Dhe, me sa duket, Allahu i Plotfuqishëm, është treguar i Mëshirshëm ndaj teje dhe të dëshiron hajrin (të mirën), sepse Ai dëshiron që të të tregojë nëpërmjet kësaj, rrugën e pendimit dhe kthimit."
Djali, me kokë të ulur dhe plot turp pranoi dhe tha: "Është e vërtetë, unë jetoj vërtetë një jetë të papastër; vjedh, mashtroj, ha kamatën, bëj zina (kurvëri), konsumoj alkool, jap kredi për interes personal, fyej, shaj të tjerët, përgojoj, dhe, më e keqja, thur intriga dhe bëj shpifje ndaj të pafajshmëve..."
Plaku i urtë i tha: "E kuptova këtë, prandaj edhe të thashë se kjo është era e keqe e veprave të tua." Djali pyeti: "A mund të ketë zgjidhje për këtë?" Plaku i urtë iu përgjigj: "Natyrisht që po, ndaloje bërjen e mëkateve, pendohu sinqerisht tek Allahu dhe fillo një jetë me të cilën Allahu është i kënaqur."
Dhe vërtetë, njeriu u pendua sinqerisht, ndërpreu veprat e këqija, por akoma era e keqe nuk iu shmang. Duke mos gjetur zgjidhje në asnjë vend tjetër, erdhi përsëri tek plaku i urtë duke qarë me lot.
Plaku i urtë i tha: "Përmirësimi i veprave të tua ishte një gjë e mirë, por akoma nuk i ke përmirësuar veprat e këqija që ti ke bërë në të kaluarën.” Djali e pyeti: "E si t’ia arrij kësaj dhe si t’i përmirësoj veprat e kaluara?" Plaku i urtë i tha: "Allahu tregon ne Kuran: ‘Fale namazin në një pjese të ditës dhe në një pjesë të natës, sepse veprat e mira i fshijnë të këqijat. Kjo është këshillë për ata që e duan këshillën (që të shpëtojnë).”Hud, 114. Prandaj fillo që të falesh, të japësh lëmoshë (sadaka) dhe dëshira jote për të dhënë lëmoshë (sadaka) të jetë më e madhe se gëzimi i atij që e merr lëmoshën (sadakanë) prej teje. Pastaj kryeje haxhin si duhet dhe duke qarë me sinqeritet për mëkatet e bëra, drejtohu Allahut."
Dhe njeriu ashtu bëri, menjëherë filloi që të falej, të jepte lëmoshë, shkoi në haxh dhe duke qarë kujtonte mëkatet e kaluara. Por edhe pas këtyre veprimeve, kundërmimi ishte i rëndë, saqë edhe qentë dhe derrat largoheshin prej tij.
Filloi të mallkojë veten dhe jetën e tij. Duke mos ditur se ku të shkojë dhe se çfarë të veprojë, u nis për në varreza dhe u shtri, duke pritur një zgjidhje nga Allahu i Madhërishëm. Meqë ishte i lodhur e zuri gjumi. Në ëndërr pa se si trupat e të vdekurve ngriheshin duke marrë qefinët e tyre dhe duke ikur prej tij. U ngrit i trishtuar dhe filloi të qajë me zë.
Dhe sa ishte në këtë gjendje iu paraqit plaku i urtë, i cili kishte dalë që ta kërkonte... dhe i tha:
"E qara jote nuk është e sinqertë, sepse zemra jote është përplot kryelartësi dhe fodullëk, sepse ti nuk po qan duke kritikuar veten, por po qanë duke vënë në pyetje drejtësinë e Allahut ndaj teje."
Nuk po kuptoj, - tha djali i hutuar.
"A mendon se Allahu ka qenë i drejtë ndaj teje?" Njeriu tha: "Nuk e di!". Plaku i urtë i tha: "Kjo është e vërteta. Drejtësia e Allahut sipas gjykimit tënd, është e dyshimtë dhe e pa qartë, sepse tërë fajin ia ke lënë Allahut dhe veten e mendon si kurban (të pafajshëm) dhe të pagabueshëm. Prandaj edhe pendimi yt nuk ka qenë bërë me zemër të pastër.
Djali iu përgjigj: "Por, unë mendoj se më është bërë padrejtësi." Plaku i urtë i tha: "Sikur të hapej perdja dhe të shihje (se sa gjynahe i ke bërë), do meritoje dënim shumë edhe më të madh, por Allahu është treguar i Mëshirshëm ndaj teje. Prandaj kërko falje me sinqeritet dhe mundohu ta pastrosh zemrën tënde duke iu bindur plotësisht Allahut, sepse deri tani edhe pse ke falë namazin, e ke agjëruar Ramazanin, e ke kryer haxhin dhe ke bërë teube (pendim), ti akoma nuk i je nënshtruar (dorëzuar) tërësisht Allahut."
Njeriu i hutuar pyeti: "A thua unë nuk jam musliman?” Plaku i urtë i tha: "Jo, nuk je, sepse musliman d.m.th.: pranim i plotë i Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut. Pra, muslimani nuk tregohet i tërbuar dhe nuk është kryelartë, kur Zoti e begaton, por njëkohësisht edhe nuk e kundërshton Atë, kur Ai ia cungon (pakëson) diçka. Dije, pa asnjë mëdyshje, se Drejtësia e Allahut nuk mungon. Ai është i Drejtë gjithmonë dhe në çdo moment, Mëshira e Tij është e pakufishme, prandaj thuaj: "La ilahe il Allah” (Nuk duhet të adhurohet (madhërohet) asgjë tjetër përveç Allahut) dhe pastaj bëhu i qëndrueshëm në këtë.
Djali tha: "Po unë në çdo moment them La ilahe il Allah!” Plaku i urtë i tha: "Ti e thua, por e thua me gojë e jo me bindje (zemer), me vepra dhe me sjelljen tënde."
Si?!!! - pyeti djali.
"Ti në brendësinë tënde, polemizon (flet) me Allahun si te ishe i barabartë me Të, duke i thënë: "Të luta të më falje e Ti nuk më fale, unë të bëj sexhde (përulem) e Ti nuk më mëshiron, unë qaj ndërsa Ty nuk të vjen keq për mua, falem, agjëroj, kryej haxhin e Ti nuk më liron nga belatë (fatkeqësitë), ku është drejtësia?"...dhe duke ia vënë dorën mbi supe djalit, plaku i urtë vazhdoi dhe tha:
"Djalë, ky nuk është teuhid (besim në Zotin e Vetëm)! Teuhidi (besimi ne Zotin e Vetëm) është që të pranosh vetëm dëshirën e Allahut, të ndiesh kënaqësi në sprova, t’i kuptosh ato dhe dobitë e tyre, dhe t’i bindesh plotësisht Dëshirës së Tij. Teuhid (besim i pastër) është të thuash: "Dëgjoj dhe bindem, o Zot" dhe të nisesh për t’i kryer urdhrat e Tij, ashtu sikurse meleku (engjëlli), pa pyetur: Pse? Sepse fjala "La ilahe il Allah” – "Nuk duhet të adhurohet (madhërohet) askush tjetër përveç Allahut” do të thotë, se vetëm Ai ekziston dhe ti jo! Prandaj, ashtu sikurse dikush që "nuk ekziston" nuk mund të polemizojë me Atë që ekziston, ashtu pra edhe t’i që "nuk ekziston”, je tërësisht i varur nga Ai që ekziston dhe që është Zoti i drejtësisë absolute. Dhe nëse ti nuk e pranon drejtësinë e Tij, duke ndryshuar brendësinë (përshtypjen) tënde, atëherë kurrë nuk do ta kuptosh drejtësinë e Tij si drejtësi mbi ty, por si padrejtësi.”
Djali filloi të qajë, por kësaj here duke e kuptuar, se deri ne atë moment ai nuk i ka bërë ibadet (adhurim) të vërtetë Allahut. Dhe plaku i urtë, duke e ngushëlluar i tha: "Tani e ke njohur të vërtetën dhe vazhdo kështu pa u hamendur (dyshuar).
Tani mund të thuash: La ilahe il Allah - Nuk duhet të adhurohet (madhërohet) askush tjetër përveç Allahut, por nga brendësia jote."
Dhe nga thellësia e shpirtit të tij, djali e pranoi se asgjë nuk e meriton të adhurohet (madhërohet) përveç Allahut dhe me gojën e tij shprehu: la ilahe il Allah.”
Më vonë njerëzit, çuditeshin me aromën e cila e shoqëronte djalin dhe pyesnin njëri-tjetrin për këtë aromë të Xhenetit (Parajsës) që buronte nga ai, ndërsa plaku i urtë u thoshte atyre: "Ky është djali i cili e njohu Zotin e vet."
Përktheu: Bashkim Selmani
Burimijetes.com
|