E premte, 19/04/2024, 03:30
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Komentimi i kaptinës “En-Nas”

Komentimi i kaptinës “En-Nas”


Komentimi i kaptinës “En-Nas”
قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاس .مَلِكِ النَّاسِ. إِلَهِ النَّاسِ. مِنْ شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ.
الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ. مِنْ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ
1. “Thuaj” Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!
2. Sunduesin e njerëzve
3. Të adhuruarin e njerëzve
4. Prej së keqes së përshpëritësit që fshihet
5. i cili pëshpërit në zemrat e njerëzve
6. qoftë ai pëshpëritësi (për të keq) nga exhinët ose nga njerëzit”
(En-Nas, 1-6)
Kaptina “En-Nas” është kaptinë mekase-medinase, e zbritur pas asaj “El-Felek” dhe ka gjithsej 6 ajete. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 114, do të thotë është e fundit.
Hasen el Basriu, Atai dhe Ikrimja, me mendimin e të cilëve pajtohen edhe shumica e dijetarëve si Ibn Xherir et Taberiu, Muhamed Abduhu, Muhamed Reshid Ridaja, Sejjid Kutbi, Muhamed Ali Sabuni etj., thonë se kjo sure është mekase, ndërsa Ibn Abbasi, Katadeja dhe një grup i konsiderueshëm i dijetarëve, përfshirë këtu edhe Ibn Merdevijen, Fahru Rraziun, Ibn Kethirin, Ebu Bekr el Xhezairiun etj, ashtu siç kemi theksuar te surja “El-Felek”, konsiderojnë se kjo sure ka zbritur në Medinë.
Emërtimi i kësaj kaptine
Kjo kaptinë është emërtuar “En-Nas”, sepse fjala “En-Nas-Njerëzit” është përmendur 5 herë në këtë sure. Kjo sure dhe ajo “El-Felek” quhen ndryshe edhe “El-Muavedhetejn”, pastaj “El-Mukashkishetan” etj., sepse janë kaptina që e pastrojnë besimtarin nga hipokrizia-dyfytyrësia, do të thotë janë kaptina që orientojnë drejt besimtarin se kujt duhet t’i drejtohet për ndihmë dhe mbrojtje-pra Allahut xh.sh. kundër njerëzve të ligj, magjistarëve, falltorëve apo shejtanit, të cilët simbolizojnë të keqen dhe anën e errët të kësaj bote.
Vlera dhe shkaku i zbritjes së kësaj kaptine Lidhur me vlerën e pakontestueshme të kësaj sureje dhe të asaj paraprake “El-Felek”, si dhe shkakun e zbritjes, kemi folur më gjerësisht gjatë komentimit të kaptinës “El-Felek”, andaj nuk e shoh të udhës të përsëris po ato konstatime. Do të na mjaftonte të shtoja vetëm një transmetim, të cilin nuk e kemi përmendur tek komentimi i sures “El-Felek” e të cilin e transmeton Ibn Merdevije nga Muadh bin Xhebeli të ketë thënë: “Isha me të Dërguarin e Allahut në një udhëtim, pastaj e falëm namazin e sabahut, në të cilin ai i lexoi: (Kul eudhu bi rabbil felek…) dhe (Kul eudhu bi rabbi-n-nas…), dhe pastaj më tha: O Muadh, a i dëgjove? – Po, ia ktheva unë, thotë Muadhi. Atëherë i Dërguari i Allahut më tha: “Njerëzit kurrë nuk kanë lexuar diçka të ngjashme me këto”.[1]
Lidhja e kësaj kaptine me atë paraprake (“El-Felek”) Kjo kaptinë ka një lidhje shumë të ngushtë me atë paraprake (“El-Felek”) dhe është një vazhdim tematik e kuptimor, në të cilin tash kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga intrigat e shejtanit dhe nga intrigat e njerëzve, të cilët shpifin e i përçajnë të tjerët.
Sa i takon lidhjes së kësaj kaptine me atë “El-Felek”, Fahru Rraziu na sjell një mendim shumë interesant, duke thënë se në suren “El-Felek” kërkimi i mbrojtjes nga Allahu, i Cili është përmendur vetëm një herë: “Thuaj: I mbështetem Zotit të agimit!”, është nga tri gjëra: nga dëmi i errësirës, nga ata që fryjnë në nyja me qëllim të magjisë, dhe nga zilia (smira), kurse në suren “En-Nas”, janë përmendur tri cilësi të Allahut, me të cilat kërkohet mbrojtje: (Rabb, Melik dhe Ilah), dhe kërkimi i mbrojtjes është vetëm nga vesvesja-intriga e shejtanit. Sipas Rraziut, në kaptinën “El-Felek” rreziqet nga të cilat duhet të mbrohemi duke kërkuar mbrojtje dhe strehim tek Allahu, janë dukuri të jashtme, do të thotë se armiqësia mund të na kanoset vetëm nga jashtë, dhe si të tilla na jepet mundësia që t’i parandalojmë me kohë - ose nëse tashmë na kanë kapluar, mund t’i largojmë, kurse në këtë sure (“En-Nas”), rreziku është kryesisht nga brenda, do të thotë nga brendia jonë shpirtërore-psiko-fizike[2], sepse kemi të bëjmë me vesveset-intrigat e shejtanit, i cili na sheh ne, përderisa ne nuk mund ta shohim atë siç na tregon Allahu xh.sh. në Kur’an: “…Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk e shihni.” [3]
Se lidhja mes sureve në Kur’an prej fillimit e deri në fund, është hyjnore, dëshmon edhe lidhja në mes sures së fundit (“En-Nas”) dhe asaj të pares (“El-Fatiha”), sepse vërejmë se në ajetin e 4 –t të saj kërkohet ndihmë vetëm prej Allahut xh.sh. (Ijjake na’budu ve ijjake nestein-Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë), ndërsa krejt në fund të radhitjes të sureve në Mus’haf, në të dy suret e fundit (“El-Felek” dhe “En-Nas”), Allahu xh.sh. na urdhëron po ashtu të kërkojmë ndihmë e mbrojtje vetëm prej Tij, nga shumë të liga dhe të këqija të kësaj bote, të dukshme e të padukshme, prej të ligave të njerëzve dhe të exhinëve.
Koment:
قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاس .مَلِكِ النَّاسِ. إِلَهِ النَّاسِ
1. Thuaj” Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!
2. Sunduesin e njerëzve
3. Të adhuruarin e njerëzve
Në fillim të kësaj kaptine fisnike janë përmendur tri cilësi të Allahut xh.sh., të cilat dëftojnë për madhështinë e Tij: (Zot i njerëzve, Sundues i njerëzve dhe I adhuruar i njerëzve). Këto tri cilësi të Allahut janë të përmendura po ashtu edhe në suren e parë të radhitjes së Mushafit-(“El-Fatiha”) , në ajetet e para: (Elhamdu lil-lahi rabbil alemin, er-Rrahmani Rrahim, maliki jevmi din), që tregon edhe një herë për një lidhje të përkryer hyjnore të këtyre sureve, që nga fillimi e deri në fund.
Në të njëjtën kohë, cekja e këtyre tri cilësive hyjnore dëshmon për një nderim të veçantë ndaj njeriut si një krijesë e dashur e Allahut. Vetë veçimi si “Zot, Sundues dhe I adhuruar i njerëzve”, megjithë faktin se Allahu është Zot i botëve dhe i tërë asaj që shohim dhe nuk shohim, shpreh lidhjen e ngushtë, e cila duhet të ekzistojë në mes njeriut dhe Zotit të madhërishëm, si dhe fisnikërimin e nderimin që i është bërë njeriut nga ana e Krijuesit.
Fjala “Rabb” do të thotë Zot, zotëri, kujdestar, edukues, etj., me të cilën nënkuptojmë se vetëm Allahut, i Cili na ka krijuar, na edukon dhe na mbikëqyr, duhet t’i drejtohemi për ndihmë e mbrojtje nga shejtani dhe nga çdo e keqe.
Fjala “Melik”, do të thotë Sundues, zotërues, posedues etj. Po ashtu edhe kjo fjalë shpreh dallimin dhe veçimin e njeriut, i cili duhet ta konsiderojë Allahun xh.sh. si sundues të tij, ani pse Ai është Sundues i botëve dhe i Ditës së Gjykimit.
Në nocionet tona fjala “melik” shpreh edhe kuptimin “mbret”, por mbretëria njerëzore herët a vonë do t’i nënshtrohet shkatërrimit, kurse mbretëria hyjnore e Zotit është e përhershme, siç na dëfton Vetë Allahu xh.sh.
“I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I All-llahut, i Atij që është një, i Fuqiplotit (është përgjigjja)!” (Gafir, 16)
Prandaj, ky Zot, Sundues e zotërues, është i Vetmi që meriton të adhurohet nga njerëzit dhe nga të gjitha krijesat e tjera, sepse sundimi i vërtetë i takon vetëm Allahut, i Cili në Kur’an thotë:
“I Tij është pushteti në qiej e në Tokë, Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, dhe Ai ka fuqi për çdo send.” (El-Hadid, 2)
Dhe në fund Allahu xh.sh. përmend termin “Ilahin-nas”-I adhuruar i njerëzve”, ani pse Ai është i adhuruari i të gjitha krijesave. Komentatorët këtu kanë tërhequr një paralele duke thënë se me dy cilësitë e para mund të cilësohen edhe njerëzit, si fjala vjen “rabbul bejt-zot i shtëpisë”, apo “melikul bilad-sundues-mbret i një populli a vendi”, por është e pamundur që dikush, përveç Tij, të ketë cilësinë e të adhuruarit me të drejtë “Ilahin-nas”, sepse Ai është që krijoi gjithçka nga mosqenia, dhe vetëm Atij i takon adhurimi.
. مِنْ شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ.الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ. مِنْ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ
4. Prej së keqes së përshpëritësit që fshihet
5. i cili pëshpërit në zemrat e njerëzve
6. qoftë ai pëshpëritësi (për të keq) nga exhinët ose nga njerëzit”
Që të trija këto ajete, në përgjithësi flasin rreth intrigave dhe cytjeve të shejtanit, i cili mbjell huti e dyshime në zemrat e njerëzve.
Fjala “El-Vesvas” këtu aludon shejtanin, ndërsa fjala “vesvese” nënkupton pëshpëritjen, fjalën e folur me zë shumë të ulët, kurse fjala “El-Hannas” do të thotë diçka që fshihet dhe humb shpejt, që po ashtu aludon shejtanin, i cili në momentet kur besimtari e përmend Allahun, fshihet dhe largohet me të shpejtë, kurse kur besimtari harron dhe nuk e përmend Allahun, ai kthehet dhe i pëshpërit njeriut në mendjen dhe zemrën e tij mendime të dëmshme, të cilat e largojnë nga adhurimi i Allahut xh.sh.
Për këtë ka treguar i Dërguari i Allahut kur thotë: “Shejtani qëndron mbi zemrën e njeriut; kur njeriu e përmend Allahun, ai (shejtani) tërhiqet (zmbrapset), ndërsa kur njeriu e harron (Allahun), ai (shejtani) i pëshpërit mendime të këqija”.
Allahu xh.sh., qysh me kohë na ka paralajmëruar për rrezikun e madh që na kanoset nga shejtani, meqenëse ai xhelozoi dhe bëri smirë edhe ndaj babait tonë të pare, Ademit a.s., duke e mashtruar dhe shtyrë në gabimin e parë, dhe duke mos përfillur porosinë e Krijuesit, ra në grackën e shejtanit dukë hëngër nga pema e ndaluar në Xhennet.
Allahu xh.sh. na ka treguar qartë se shejtani është armiku ynë i përbetuar, kur për të në Kur’an thotë: “O bijt e Ademit, po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni (pasoni) djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?” (Jasin, 60).
Megjithëse njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë armiqësi të djallit, e cila do të vazhdojë e tillë deri në fundin e kësaj bote, shumica e njerëzve nuk çajnë kokën për këtë burim të përhershëm të rrezikut, i cili rezulton me dobësimin e imanit, e në raste të shpeshta edhe me humbjen e tërësishme të tij. Ky pra është shejtani i mallkuar, i cili vepron fshehurazi, dhe në mënyrë tinzare gjuan helmin e tij duke pëshpëritur në zemrat tona e duke na cytur për punë të këqija, të cilat janë në kundërshtim edhe me vetë natyrën tonë njerëzore.
Ata njerëz që i ka mashtruar shejtani në këtë botë kur të dalin nesër para Allahut për t’u ballafaquar me veprat e tyre të shëmtuara, do të mundohen që këtë faj t’ia hedhin shejtanit se ai i paskësh mashtruar, por ja se çfarë u thotë të tillëve shejtani: “E pasi të jetë kryer çështja (dhënia e Llogarisë) djalli (u mban xhehennemlinjve ligjëratën e dëshpëruar e), u thotë: “Vërtet, All-llahu ju pat dhënë premtim të vërtetë. Edhe unë ju pata premtuar, por ju tradhtova. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t'ju detyroja), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m'u përgjigjët; atëherë, pra, mos më fajësoni (qortoni) mua, po fajësojeni veten tuaj. Unë nuk mund t'ju shpëtoj (ndihmoj) ju, e as ju nuk mund të më shpëtoni (ndihmoni) mua. Unë e mohoj shoqërimin tuaj që më bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)”. S'ka dyshim, pabesimtarët kanë dënim të dhembshëm.” (Ibrahim, 22).
Ndikimet e shejtanit Zemra dhe mendja e njeriut janë fushëbetejë në të cilën zhvillohen dyluftimet e ashpra në mes së mirës dhe së keqes. Këto të dyja janë ato që sulmohen më së tepërmi nga shejtani, me qëllim të shtrirjes së ndikimit të tij helmues, me të cilin ky i mallkuar fut dyshime dhe huti. Fjalët, cytjet dhe pëshpëritjet e tij janë të kobshme për atë që u nënshtrohet ndikimeve të tyre, sepse njeriun e shtyjnë në mëkate të pandërprera, në një jetë të shfrenuar e të pamoralshme, e shtyjnë në mosbesim, në mendjemadhësi dhe në çdo gjë të keqe, andaj nuk është e rastësishme që Allahu xh.sh. deshi që njerëzimit në këtë sure, të fundit në radhitjen e Mus’hafit, t’ia tërheqë vërejtjen për rrezikun e madh që i kanoset nga shejtani.
Shejtani e diti se arma më e fortë e tij kundër njerëzve është mbjellja e dyshimit dhe e kuptoi se kjo arrihet më së lehti duke futur vesvese, pëshpëritje dhe cytje në zemrat e tyre. Dhe, vërtet, shejtani i hyri vendosmërisht këtij misioni të tij që në zemrat e besimtarëve të mbjellë dyshime ndaj fesë së tyre dhe ndaj çdo gjëje tjetër me vlerë, dhe mund të themi se ai në shumë raste ka pasur sukses të plotë.[4]
Shejtani i mallkuar e ka mundësinë që tek njeriu të ndikojë drejpërdrejtë nëpërmjet sistemit nervor, duke ndikuar që personi i atakuar nga ai, të humbë arsyen e shëndoshë dhe të mos logjikojë drejt. Në lidhje me këtë ndikim të tij, ka treguar edhe i Dërguari i Allahut xh.sh., i Cili ka thënë: “Vërtet shejtani (djalli) qarkullon nëpër njeriun sikur gjaku që qarkullon nëpër dej (damarë)”.
Por nuk janë vetëm exhinët e djallëzuar dhe djajtë ata që fusin intriga e huti në mesin e njerëzve. Fatkeqësisht këtë rol destruktiv e luajnë edhe disa njerëz, që shpirtin e kanë të lig. Detyra dhe roli i i tyre është që të fusin përçarje në mesin e njerëzve të tjerë, duke u bërë në këtë mënyrë krah i djathtë i shejtanit. Mbase ky ngatërrestar dhe shpirtlig prej njerëzve, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se edhe vetë shejtani, sepse ky në dallim nga ai, vepron haptazi, dhe të përgatit kurthe e komplote, dhe kjo gjoja duke të këshilluar për të mirë. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj të tillëve, sepse Allahu xh.sh. na ka tërhequr vërejtjen që të kërkojmë ndihmën e Tij edhe prej njerëzve të këqij kur këtë sure po edhe krejt Kur’anin e përfundon me këtë këshillë për të kërkuar mbrojtjen dhe ndihmën e Allahut: “Prej së keqes së përshpëritësit që fshihet, i cili pëshpërit në zemrat e njerëzve, qoftë ai pëshpëritësi (për të keq) nga exhinët ose nga njerëzit.”
Porosia e kësaj sureje
- Në këtë sure, Allahu xh.sh. i bëri një nderim të veçantë gjinisë njerëzore, kur Veten e quajti Zot i njerëzve, Sundues i njerëzve dhe I Adhuruar i njerëzve, ani pse Ai është Zot, Sundues dhe I Adhuruar i të gjitha krijesave të këtij Universi.
- Domosdoshmëria e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu xh.sh. prej dëmeve të shejtanit, dhe prej atyre njerëzve shpitkëqij, të cilët janë po aq të rrezikshëm sa edhe vetë shejtani, sepse shejtani duke të pëshpëritur fshehurazi, të ngacmon me mendime të këqija, kurse njeriu i keq, i cili të paraqitet si këshillues i mirë, të armiqëson haptazi me të tjerët, duke futur dyshime në mendjen tënde për të tjerët.
- Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga ndikimet e liga të shejtanit, është të përmendurit e Allahut dhe të mbështeturit tek Ai, sepse në momentet kur njeriu e përmend Allahun, shejtani nuk mund të ndikojë, ndërsa kur ai e harron Krijuesin e tij, ai e ngacmon.
Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: O Zoti im, e kërkoj ndihmën Tënde për të më mbrojtur nga ngacmimet e shejtanit, O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde edhe nga prania e tyre (shejtanëve) tek unë.” (El-Mu’minun, 97-98)
dhe:
“Nëse shejtani të godet me ndonjë ves të keq, atëherë kërko ndihmën (mbrojtjen) e Allahut…” (El-A’ëraf, 200)
- Allahu xh.sh. na ka paralajmëruar se shejtanit i ka lënë në dorë mundësinë që të largojë sa më shumë njerëz nga rruga e drejtë, por në anën tjetër Allahu i Plotfuqishëm, gjithashtu na ka treguar se, nëse besimtari ka në dorë armën me të cilën e ka pajisur Ai – Imanin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit, atëherë shejtani është i pafuqishëm ndaj tij dhe nuk mund t’i sjellë kurrfarë dëmi:
“Vërtet ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.” (En-Nahl, 99), sepse fuqia e Imanit është një digë e fortë mbrojtëse përballë intrigave të shejtanit.

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/10/2009)
Klikime: 849 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024