Këshilla rreth të përmendurit të Allahut ( Dhikrit ) dhe lutjeve ( Duave )
Shpeshtoje përmendjen e Allahun (dhikrin duke thënë Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, La ilahe il-lall-llah etj.) vazhdimisht, në vete dhe me zë dhe ruaju nga pavëmendja, duke harruar që ta përmendësh Allahun!
- Prezanto në tubimet e dhikrit (aty ku përmendet Allahu), ngase ato llogariten prej kopshteve të Xhenetit!
- Kurrsesi mos merr pjesë në ato tubime ku nuk përmendet Allahu, e as nuk shprehen salavate ndaj të Dërguarit [alejhis-salatu ves-selam]!
- Kur të ngriheni nga ndonjë tubim apo mbledhje, këndoni lutjen në vijim: "Subhánekell-llahumme ve bihamdike, Esh-hedu En Lá Iláhe Il-la Ente, Estagfiruke, ve Etúbu ilejke” (O Allah, Ti je i patëmeta. Ty të takon falënderimi. Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton adhurimin me të drejtë, përveç Teje. Të kërkoj falje dhe tek Ti kthehem)!
- Përkushtohu ndaj dhikrit - të përmendurit respektiv - të Allahut pas çdo namazi[1]!
- Lute([2]) Allahun kur jeni në sexhde, pas çdo namazi dhe në pjesën e tretë të natës!([3])
- Përmende Allahun në vende të pavëmendjes, në vende ku më së paku përmendet emri i Tij, siç janë tregjet, vendet e biznesit, e të ngjashme me to!
- Nga Allahu kërko që t’i falë mëkatet, ta ruajë fenë dhe besimin tënd, të të japë shëndet të mirë në këtë botë dhe të të ruajë nga zjarri në ahiret!
- Ki mendim të mirë për Allahun e Madhërishëm dhe mos u dëshpëro nëse përgjigja e Allahut të vonohet, por çdo gjë dorëzoja Atij, i Madhëruar qoftë!
- Bëj du’a duke qenë i koncentruar me zemër dhe duke ia pasur frikën Atij dhe mos iu lut me zemër të papërqendruar!
- Gjatë lutjeve këndoni du’atë (lutjet), të cilat janë nëpër tekstet kur’anore dhe thëniet profetike, sepse ato janë më të vlefshme!
- Lutjen filloje me falënderim ndaj Allahut dhe me përshëndetje [salavate] mbi të Dërguarin e Allahut [alejhis-salatu ves-selam], dhe më pas përfundoje me të, para se të thuash Amin!
- Lutu për vëllanë tënd fshehurazi dhe kërko nga ai që të lutet për ty. Asnjëherë mos u lut kundër vëllait musliman!
- Kërko falje nga Allahu (bëj istigfar) gjatë natës, e sidomos para kohës së agimit!
- Dërgo sa më shumë salavate mbi të Dërguarin e Allahut [alejhis-salatu ves-selam], veçmas në vigjilje të (natën e) së premtes dhe gjatë ditës së saj!
Përktheu nga gjuha arabe:
Mr. Fehim Dragusha
________________________________________
[1]) Duke lexuar Estagfirullah tri herë dhe Allahumme entes selam ve minkes selam..., pastaj Ajetul Kursinë, suret El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas, 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulil-lah, 33 herë Allahu Ekber etj. (Sh. P.)
[2]) Duaja apo lutja është mënyra lidhëse në mes robit dhe Zotit të tij, ajo që e lidh muslimanin me Krijuesin. Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem...” (Gafir, 60) Allahu e ka kushtëzuar përgjigjen që vjen nga Ai me kërkesën që bëhet nga ana e robit. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit, alejhi selam, se "Duaja (lutja) është adhurim”. Transmeton Tirmidhiu 2370. (Sh. P.)
[3]) Namazi i natës fillon me të falur të namazit të jacisë dhe zgjat deri kur të hyjë koha e namazit të sabahut. "Namazi i natës është rruga e njerëzve të mirë që ishin para jush, të afron te Allahu i Lartësuar, t’i shlyen mëkatet, të largon nga e keqja, ta largon sëmundjen nga trupi.” (Sahih, transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu).
Shpërblimet e këtij namazi janë të panumërta e sidomos kur ky namaz falet në pjesën e thellë të natës, në veçanti gjatë 1/3 së fundit të natës. Është adresa e njerëzve të devotshëm. Ky namaz është të vetmohesh me Allahun dhe të bën ta ndiesh ngrohtësinë e lidhshmërisë me Krijuesin e gjithësisë. Allahu ndryshe këta njerëz i quan edhe dijetarë ku thotë: "A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin) ?! Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm të mençurit i pranojnë këshillat!” (Zumer, 9) (Sh. P.)
|