Këshilla që ndihmojnë besimtarin dhe besimtaren në uljen e shikimit
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Vëllezër dhe motra, a e njihni dhuntinë më të madhe që kemi nga Allahu i Lartësuar, që është shikimi? Me këtë dhunti Allahu i Lartësuar i nderoi krijesat e Tij kur tha: "Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl: 78)
"Ai është që ua krijoi të dëgjuarit, të parit dhe të kuptuarit e juaj; sa pak jeni mirënjohës.” (Muminun: 78)
"Thuaj: "Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse pak po falënderoni." (Mulk: 23)
Falënderimi për këtë dhunti është nga obligimet më të mëdha për robin e Allahut subhanehu ve teala, sepse nuk ka mundësi që veprat e ditës e natës, edhe nëse janë ato për 500 vite, të peshojnë sa kjo dhunti. Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: "Para pak kohe doli nga unë Xhibrili, që më tha: "O Muhamed, Allahu ka një rob që e ka adhuruar Atë 500 vite në një kodër që ishte e rrethuar me det. I nxori atij një burim të pijshëm në masën e gishtit, nga i cili pinte dhe një pemë shege, që për çdo natë nxirrte nga një shegë, me të cilën ushqehej. Kur binte terri, ai zbriste dhe merrte abdest, pastaj ngrihej falej dhe luste Allahun që t’i merrte shpirtin duke qenë ai në sexhde dhe të mos i mundësoj asgjëje që gjendet në tokë që t’i prishë rrugën e tij derisa të ringjallet duke qenë në sexhde. Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe ne kur zbritnim dhe ngriheshim lart, kalonim pranë atij robi dhe se ai do të ringjallet Ditën e Gjykimit dhe do të qëndrojë para Allahut të Lartësuar dhe Allahu do të thotë: "Futeni në xhenet me mëshirën Time”, kurse ai do të thotë: "Jo, me veprën time o Zot.” Atëherë Allahu i urdhëron engjëjt e Tij duke u thënë: "Peshojani robit Tim dhuntitë e Mia dhe veprën e tij. Pasi të krahasohen do të gjejnë dhuntinë e shikimit që ka përfshirë adhurimin e 500 viteve që ka bërë dhe mbetet dhuntia e tërë trupit shtesë. Atëherë Ai tha: "Futeni në ferr!” Robi i Tij thërret: "O Zot, me mëshirën Tënde!” Atëherë Allahu tha: "Kthejeni atë!” Dhe vendoset para Tij dhe i thotë: "Kush të krijoi kur ti s’ishe asgjë?” Ai tha: "Ti, o Zot”. Allahu i tha: "A ishte kjo nga ti apo nga Mëshira Ime?” Ai tha: "Nga Mëshira Jote.” Atëherë Allahu tha: "Futeni në xhenet me Mëshirën Time!” (Shënon Hakimi në Musned dhe të tjerë)
Vëllëzër dhe motra, nëse kemi parasysh këtë do na vijë keq apo do të turpëroheshim nga Dhuruesi i kësaj dhuntie (shikimit) dhe do të kishim parasysh se Ai na përcjell në çdo situatë dhe si rezultat i kësaj nuk do të bënim mëkate sepse në një afërme të afërt do të qëndrojmë para Tij. Do të nënshtronim shikimin vetëm në atë që e kënaq Allahun sepse kemi parasysh se një ditë do të japim përgjigje për atë që kemi shikuar. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk kë njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (Isra: 36)
Dispozita e shikimit
Allahu i Lartësuar në lidhje më shikimin thotë: "Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet... ” (Nur: 30-31)
Ky urdhër i Krijuesit është urdhër i përgjithshëm që përfshin burrat dhe gratë në uljen e shikimit në atë që ka ndaluar Allahu i Lartësuar. Ibën Tejjmije, Allahu e mëshiroftë, në lidhej më citatin ka thënë: "Allahu ka urdhëruar në librin e Tij që të ulim shikimin dhe aty përfshin dy llojet e saj: uljen e shikimit nga avreti i tjetrit dhe uljen e shikimit nga vendet që nxisin epsh. Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Mos të shikojë burri në avretin e burrit dhe as gruajë në avretin e gruas”, kurse lloji i dytë është më i rrezikshëm sesa i pari (Fetava Ibn Tejmije 414).
Vëlla musliman!
Dije se moskontrollimi i shikimit është sprova më e madhe. Sa e sa persona të devotshëm janë prishur si shkak i shikimit dhe sa janë thyer nga shikimi, edhe pse dikur ishin të devotshëm. Sa e sa persona si shkak i saj kanë rënë në amoralitet, Allahu na ruajttë.
Syri është pasqyrë e zemrës, pra nëse e ulim shikimin, edhe zemra do të ulë epshin dhe dëshirën e saj, por nëse nuk e kontrollojmë shikimin, atëherë edhe zemra nuk do t’i kontrollojë këto të dyja (epshin dhe dëshirën), por do të ngulisë ato pamje që ka shikuar dhe do të merret me to duke anashkaluar punët e mira që do t’i duhen në Ditën e Gjykimit.
Derisa shikimi ka një pozicion të tillë në zemrën e njeriut, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që besimtari të ulë shikimin në mënyrë që të mos e godasë ajo që vjen pas saj.
Shikimi dhe rrezikshmëria e tij
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, në lidhje më këtë thotë: "Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që të urdhërojë besimtarët për uljen e shikimit dhe ruajtjen e organeve të tyre gjenitale dhe t’i mësoj ata që Allahu i sheh veprat e tyre: "Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.” (Gafir, 19)
Derisa çdo gjë fillon nga shikimi, atëherë Allahu urdhëroi për uljen e shikimit para se të kërkohej ruajtja e organeve gjenitale nga njerëzit, sepse të gjitha ndodhitë pikënisjen e tyre e kanë nga shikimi.
Pastaj tha: "Shikimi është baza e çdo ngjarjeje që godet njeriun. Të shikuarit lind ndjenjën, pastaj ndjenja lind të menduarit, pastaj të menduarit lind epshin, pastaj epshi lind dëshirën dhe pastaj forcohet ajo dëshirë dhe behët këmbëngulje e si rezultat i saj do të ndodhë ajo vepër, nëse nuk ka ndonjë ndalesë që e ndalon atë.
Thëniet profetike për sprovën e shikimit
1- I Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Nuk kam lënë pas meje sprovë më të dëmshme për burrat sesa gratë.” (Mutefekun alejhi)
2- Gjithashtu tha: "… ruajuni nga kjo botë dhe ruajuni nga gratë, sepse sprova e parë tek beni israilët ishin gratë.” (Shënon Muslimi)
3- Xhabir ibn Abdilahu thotë: "E pyeta të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, për shikimin e papritur dhe ai më urdhëroi që të ulja shikimin.” (Shënon Muslimi)
4- Në një hadith tjetër ka thënë: "O Ali, mos e paso shikimin me shikim tjetër, sepse e para është për ty, kurse e dyta është kundër teje.” (Shënon Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Albani e konsideron hadithin hasen)
5- Në një hadhith tjetër ka thënë: "Dy sytë bëjnë amoralitet dhe amoraliteti i tyre është shikimi.” (Mutefekun alejhi)
Ibni Abasi për fjalën e Allahut të Lartësuar: "Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra”, (Gafir, 19), ka thënë: "Është për qëllim personi i cili është me një grup dhe kur kalon një grua pranë tyre ai mundohet që ata ta shohin se ai e ul shikimin nga ajo grua, kurse në momentin kur i mundësohet që mos ta shohë askush, e shikon atë. E nëse frikësohet se po e vërejnë, e ul shikimin, por harron se Allahu i Lartësuar e di atë që mban ai në zemrën e tij dhe se ai shpreson të shikojë në avretin e saj.”
Dënimi si rezultat i shikimit në haram
Dije vëlla i nderuar se shikimi në haram sjell pikëllim dhe dhimbje të madhe sepse ai sheh diçka që nuk e posedon, por në të njëjtën kohë edhe nuk mund ta përballojë, pra ky është dënimi më i madh i mundshëm.
Nga dënimet që vijnë si rezultat i shikimit në haram janë:
1- Prishja e zemrës: Shikimi mund të ndikojë në zemër ashtu siç mund të bëjë shigjeta e ngulitur nëse nuk e vret të qëlluarin, të paktën e plagos atë.
2- Ndikon në harresën e diturisë: Transmetohet se një dijetar kishte harruar nxënien përmendsh të Kuranit si rezultat i një shikimi!
3- Është shkak i zbritjes së sprovave: Amër ibn Merreh thotë: "Kam shikuar një grua e cila më pëlqeu dhe si rezultat i saj u bëra i verbër, shpresoj që të mbetet vetëm kjo si dëmin për këtë.
4- T’i asgjëson adhurimet: Transmeton Hudhejfeja: "Kush paramendon një grua të zhveshur, e ka prishur agjërimin e tij!
5- E bën njeriun të pakujdesshëm ndaj Allahut dhe Ditës së Gjykimit: Nëse zemra është e zënë me gjëra të ndaluara ajo shpie në përtaci ndaj përkujtimit të Allahut dhe kryerjes së ibadeteve.
6- Mosvlerësimi i atij syri që shikon qëllimisht në shtëpitë e të tjerëve nga ana sheriatike: Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Nëse dikush shikon në shtëpinë tënde duke mos pasur leje nga ti dhe ti e godet me guralec dhe si rezultat i saj humb syrin, nuk do të kesh për një gjë të tillë mëkat.” (Mutefekun alejhi)
Dobitë në uljen e shikimit
Vëlla musliman:
Në uljen e shikimit ka dobi të shumta, shumë prej të cilave i ka numëruar Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë. Disa prej tyre janë:
1- Shpëtimi i zemrës nga dhimbjet e pikëllimit. Pra, kush nuk e kontrollon shikimin e tij, nuk do të lirohet nga pikëllimet.
2- Rezulton me sjelljen e dritës në zemër dhe shfaqjen e asaj drite më pas në sytë, fytyrën dhe të gjithë trupin e robit të Allahut të Lartësuar, kurse e kundërta sjell të kundërtën.
3- Ruajtja e shikimit sjell mprehtësi, sepse ajo (mprehtësia) është fryt i dritës që posedon robi i Allahut të Lartësuar. Shuzha Elkermani thotë: "Kush ndërton pamjen e tij në pasimin e Sunnetit, ka në kujtesë vazhdimisht përcjelljen e Allahut të Lartësuar, ruan shikimin e tij nga gjërat e ndaluara, ndalon veten e tij nga epshet dhe ha vetëm nga të lejuarat, nuk do të gabojë asnjëherë mprehtësia e tij”.
4- Ajo hap diapazonin e të kuptuarit dhe rrugët e arritjes apo kërkimit të diturisë sepse edhe kjo është si rezultat i dritës që posedon ky rob i Allahut.
5- Sjell fuqi, qëndrueshmëri dhe trimëri në zemrën e njeriut. Disa hoxhallarë kanë thënë: "Njerëzia kërkojnë krenarinë përmes udhëheqjes, por nuk e gjejnë atë pos në respektimin e Allahut të Lartësuar.
6- E bën të kënaqur, të qetë dhe të hareshme zemrën më shumë sesa kënaqësia që arrihet përmes shikimit. Kënaqësia e pastërtisë është më e madhe sesa kënaqësia e mëkatit.
7- Ajo e pastron zemrën nga robëria e epshit sepse skllav i vërtetë është ai që është peng i epshit dhe egos së tij.
8- Ajo e mbron robin nga dyert që e çojnë në ferr. Vërtet shikimi është derë e epshit, që si rezultat i saj e çon robin të bjerë në mëkat, por në të kundërtën, kur ruan shikimin e tij, ai është i mbrojtur nga pësimi në mëkat. Kur nuk e kontrollin shikimin e tij, shkatërrimi i tij është më afër.
9- Ajo e bën mendjen e fuqishme dhe të qëndrueshme sepse vetëm mendjelehtët nuk e kontrollojnë shikimin e tyre.
10- Kontrollimi i shikimit e mbron zemrën nga përkujtimi i epsheve dhe nga pakujdesia sepse ai që nuk ruan shikimi e tij është i pakujdesshëm ndaj Allahut të Lartësuar dhe Ditës së Gjykimit.
11- Ulja e shikimit rezulton në shtimin e dashurisë për Allahun e Lartësuar. Elhasen ibn Muxhahidi ka thënë: "Ulja e shikimit nga gjërat e ndaluara sjell dashuri për Allahun subhanehu ve teala.”
12- Si rezultat i uljes së shikimit është edhe arritja e urtësisë. Ebu Elhusein Elverak ka thënë: "Kush e ruan shikimin e tij nga gjërat e ndaluara, Allahu e furnizon atë me urtësi në gjuhën e tij dhe e bën atë udhëzues të drejtë.”
Ibn Elxhevzi thotë: "Vëlla i nderuar, kuptoje drejt këshillën time dhe dije se shikimi është dhunti nga Allahu i Lartësuar për ty dhe mos i bëj mëkat Atij me dhuntinë e Tij, pra ktheje këtë dhunti me ruajtjen e shikimit nëse dëshiron të fitosh dhe ki kujdes të mos e humbësh shikimin duke u dënuar nga Ai që ta dhuroi.
Ebu Bekër Elmeruzi ka thënë: "I tregova Ahmed ibn Hanbelit se një njeri është penduar, por kishte thënë: "Nëse në bini me kamxhik në shpinën time nuk do të më çoni të bëj mëkat, por ai nuk ruan shikimin e tij!” Ai tha: "Çfarë pendimi na qenka ky?!”
Shkaqet e mosuljes së shikimit
Vëlla musliman!
Shkaqet e mosuljes së shikimit janë të shumta, por më të rëndësishmet janë:
1- Pasimi i epshit dhe respektimi i djallit të mallkuar.
2- Injoranca e pasojave të mosuljes së shikimit, si afrimi i robit në amoralitet e ndoshta mund të ndodhë që ta çojë robin edhe në braktisje të fesë (rideh), ashtu siç tregohet tregimi i atij muezinit i cili kishte shërbyer për 40 vite si muezin xhamie dhe një ditë prej ditësh duke u ngritur që të thërriste ezanin, nuk e uli shikimin dhe pa në një oborr nga oborret përreth xhamisë një vajzë. Si pasojë e mosuljes së shikimit ai u dashurua me të. Pasi e kishte helmuar ai shikim zemrën e tij, ai nuk mundi të duronte dhe një ditë prej ditësh shkoi dhe trokiti në derën e saj dhe i kërkoi asaj që të pranonte të martohej me të. Ajo tha se nuk mund ta bënte një gjë të tillë pasi nuk i përkiste po së njëjtës fe. Kur pa ngulmimin e këtij të shkretit, ajo i kërkoi atij ta braktiste fenë e tij dhe të martohej me të dhe ashtu ndodhi. Një ditë prej ditësh, pasi kishte pirë verë, ky person u rrëzua nga një lartësi në shtëpinë e saj dhe vdiq. Pra, ky person si rezultat i mosuljes së shikimit përfundoj si një i krishterë.
3- Mbështetja e tepruar në faljen dhe mëshirën e Allahut duke anashkaluar frikën nga Ai apo duke mos pasur parasysh se dënimi i Tij është i madh.
4- Shikimi i filmave, serialeve dhe fotografive që nxisin epsh nga femrat e zbuluara në kanale televizive apo në revista pornografike.
5- Neglizhimi i martesës, kurse i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i ka urdhëruar të rinjtë që kush ka mundësi, të martohet sepse ajo është më mirë për ruajtjen e shikimit dhe të organit.
6- Frekuentimi i vendeve ku janë përzier burra e gra, si tregjet.
7- Prania e ndjenjës së një kënaqësie të pavërtetë tek njeriu që shikon haram, edhe pse ajo është si rezultat i pakujdesisë dhe mosmadhërimit të Allahut në zemrën e tij. Po të gjendej në zemrën e tij madhërim i Allahut, nuk do të kënaqej duke i bërë mëkat Atij.
8- Zhveshja e femrave në rrugë dhe tregje. Me këtë zhveshje ato synojnë zbulimin e bukurisë së tyre që të joshin të dobëtit duke i shikuar ato.
9- Nxitja e disa femrave në këtë mëkat, pra duke i shikuar ato fillimisht meshkujt në mënyrë që të marrin të njëjtën përgjigje nga meshkujt.
10- Kontaktimi i shpeshtë me femra pa marrë parasysh se ajo ndodh gjatë shitblerjes apo gjatë orarit të punës apo diçka tjetër.
Shkaqet që mundësojnë uljen e shikimit
Për uljen e shikimit ka shkaqe të shumta, si:
1- Devotshmëria dhe frika nga dënimi i Allahut të Lartësuar.
2- Largimi nga të gjitha shkaqet që çojnë në mosuljen e shikimit, që përmendëm më lart.
3- Vetëdijesimi se me mosuljen e shikimit njeriu goditet me pikëllim, ashtu siç tha Elhasen: "Kush s’e kontrollon shikimin e tij, i zgjat pikëllimi.”
4- Vetëdijesimi i besimtarit se shikimi në haram është amoralitet (zina).
5- Praktikimi real i falënderimit, sepse nga plotësimi i falënderimit të dhuntisë është që të mos i bëhet me të mëkat Atij që ta ka dhuruar atë dhunti.
6- Agjërimi është një shkak i fuqishëm në uljen e shikimit normal pas martesës.
7- Paramendimi i asaj që urren nga femrat, si: urinimi, kryerja e nevojës apo edhe nuhatja e erës së keqe që mund t’u vijë atyre. Abdullah ibn Mesudi ka thënë: "Kujt i pëlqen ndonjë femër, atëherë le të kujtojë gjërat e këqija që ka ajo.”
8- Lutjet dhe kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga kjo sprovë ashtu si bënte edhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i cili thoshte: "O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e dëgjimit, nga e keqja e shikimit, nga e keqja e gjuhës time dhe nga e keqja e zemrës sime.” (Shënon Ebu Davudi dhe në sahihun e shejh Albanit).
9- Frika nga përfundimi i keq.
10- Shoqërimi i të mirëve dhe largimi nga të këqijtë. Është plotësisht normale që njeriu merr nga cilësitë e atyre me të cilët shoqërohet, ashtu si na këshilloi edhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, kur tha: "Njeriu është në fenë shokut (mikut) të tij, atëherë le të keni kujdes se kë po shoqëroni.”
Përgatiti: Fatmir Raçi
|