Këshilla nga shtrati i vdekjes
Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë! Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Gjykimi i Tij është i pakthyeshëm dhe vendimi i Tij është i prerë. Ai, subhanehu ue te’ala nuk pyetet për atë që bën ndërsa njerëzit janë ata që do të merren në përgjegjësi.
Allahu e ka caktuar vdekjen si fund i pashmangshëm i jetës në këtë botë dhe ka thënë: "Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 30)
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut bujar, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij... Të nderuar vëllezër myslimanë. Sa e vështirë është biseda për vdekjen. Sa e vështirë është për shpirtin i cili mundohet të na kthej mbrapa dhe orvatet pa u lodhur, që ta harrojmë këtë të vërtetë hyjnore, këtë caktim të prerë-vdekjen. Besimtari i vërtetë ndalet dhe e kujton këtë të vërtetë, me sinqeritet mediton rreth saj duke u munduar të përfitojë. Vëlla i dashur në librin e urtësisë dhe divanin e këshillës shkruan: Vdekja është dera e ahiretit. Hasan el Basriu thotë: nuk kam parë një të vërtetë aq të padyshimtë, njerëzve tu ngjajë si një dyshim i pabazë sikur vdekja. Një tjetër ka shkruar: Njerëzit në këtë botë u ngjajnë caqeve drejt të cilëve janë nisur shigjetat e vdekjes. Ai që është larguar sikur nuk ka qenë i pranishëm, ai që ka vdekur sikur nuk është lindur fare. Arabët kanë thënë:
do të tërhiqesh drejtë të pashmangshmes. Ibën el Mu’tezi ka thënë: vdekja është sikur shigjeta e cila udhëton në drejtimin tënd prej ditës kur të është frymëzuar shpirti. Një tjetër ka thënë: Vdekja vjen edhe tek ata që kanë rroje dhe hyn pa marr leje.(Et Temthiil uel Muhadare, 1/84)
I Lartmadhëruari thotë: "Një pengesë do të vendoset midis tyre dhe asaj që dëshironin…” (Sebe’, 54) prandaj shpejto vëlla i dashur dhe shpëtoje veten që të mos pengohesh nga të mirat e xhenetit. Në vijim do të përmendim disa këshilla të njerëzve në shtatin e vdekjes, këshilla që kanë dalur nga zemra e atyre që kishin dëshirë që tu zgjatet jeta dhe të punojnë vetë me këshillat e tyre. Vasieti i parë: devotshmëria dhe namazi Vasieti më i madh është vasieti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, kjo këshillë me të cilën e porositi umetin e tij deri në ditën e Gjykimit. Ky vasiet është anija e shpëtimit, toka e sigurt dhe receta e shpëtimit për ata që kapen për të. Në çastin e ndarjes prej kësaj bote ai tha: Kini frikë prej Allahut për namazin dhe për ata që i keni në dorë. Ummu Selete rrëfen: E tha këtë fjalë dhe vazhdoi me përsëritjen e saj. (Ahmedi dhe Buhariu në Edebul Mufred. Dijetari i njohur Albani e ka valorizuar si hadith autentik-sahih).
Vasieti i dytë: Ti qëndrosh besnik të vërtetës
Zubejd ibën El Harithi tregon: Kur Ebu Bekrit, radijallahu anhu, iu afrua vdekja e thirri Omerin, radijallahu anhu, e emëroi kalif pas vete dhe i tha: Po ta jap këtë vasiet, prandaj mbaje mend. Ndaj Allahut kemi obligime natën që Ai nuk i pranon nëse kryhen ditën dhe ndaj Tij kemi obligime ditën që Ai nuk i pranon natën. Allahu nuk e pranon veprën vullnetare nëse nuk kryhen farzet. Ajo me të cilën, me të drejtë, do të rëndohen taset e së mirës në peshoren e ditës së Gjykimit është pasimi i së vërtetës. Është i detyruar tasi i peshores të rëndohet kur në të vendohet e vërteta (hakku). E kota (batili) nuk ka peshë në peshoren e ditës së Kiametit. (Libri Zuhd i Ebu Davudit nr. 28)
Vasieti i tretë: Mos u mashtro me lëvdatat e njerëzve
Pas plagosjes në xhami Ibën Abbasi, radijallahu anhuma, hyri te Omeri, radijallahu anhu, dhe i tha: Gëzohu o prijësi i besimtarëve, e pranove Islami në kohën kur njerëzit e përgënjeshtruan të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, luftove krah më krah me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe ai nga kjo botë u largua duke qenë i kënaqur me ty. Askush nuk kishte dilemë se ti je ai që më së shumti e meriton hilafetin dhe ja tani po ndahesh nga kjo botë si shehid. Omeri, radijallahu anhu, tha: I mashtruar është ai që mashtrohet me lëvdatat e njerëzve. Do e shpenzoja tërë pasurinë e kësaj bote, të bardhën e saj dhe të verdhen, për ta shpaguar tmerrin e fillimit (të jetës së ahiretit). (Sahih Ibën Hibban 15/314)
Vasieti i katërt: Të vërtetat që nuk duhet harruar
Kur Othmani, radijallahu anhu, u vra nga dora e zullumqarit, në thesarin e tij e gjetën të shkruar këtë porosi: Othman ibën Affani dëshmon se Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet dhe dëshmon se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, është robi dhe i dërguari i Tij. Dëshmoj se xheneti është hak, dhe xhehenemi është hak dhe dëshmoj se ata që janë brenda varreve do të ringjallen në ditën në të cilën nuk ka dyshim. Dëshmoj se Allahu do ta çojë në vend premtimin e Tij. Me këto fjalë kam jetuar, duke i besuar këto fjalë po vdes dhe me këto fjalë shpresoj të ringjallem me lejen e Allahut. (Er Rijad En Nedire fi menakibil ashere, 1/229)
Vasieti i pestë: Kini frikë Allahun dhe bëni vepra të mira Kur ibën Mulxhimi e goditi Aliun, radijallahu anhu, e dërguan në shtëpi ku e humbi vetëdijen dha pasi u zgjua i thirri Hasanin dhe Husejni dhe u tha: Ju porosis me devotshmëri ndaj Allahut dhe lakmim kah të mirat e ahiretit. Mos u brengosni nëse humbni diçka prej dynjasë, bëni vepra të mira. Jini armiq të zullumqarit dhe ndihmës të atij të cilit i bëhet padrejtësi. (El Xheuhere fi nesebi Nebijj ue as’habihi el ashere, 1/309) Vëlla i dashur këto ishin perla të zgjedhura prej këshillave nga shtrati i vdekjes. Ishin fjalët e të zgjedhurit të njerëzimit dhe të zgjedhurve të këtij umeti. Analizoji këto fjalë, ndjek shëmbëlltyrat më të mira dhe vepro duke e lutur Allahun të takohesh më ta në kopshtet e xhenetit.
I falënderuar qoftë Allahu në fillim dhe në fund.
Përktheu: Talha Kurtishi
|