Islami, fe të cilën Allahu e ka zgjedhur për robërit e Vet
Çdo fe apo besim jashtë Islamit është i refuzuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." (Ali Imran, 85)
Allahu nuk pranon fe tjetër përveç asaj me të cilën ka dërguar të Dërguarin e Tij. Ai thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami." (Ali Imran, 19)
Çdo gjë i është nënshtruar Allahut Fuqiplotë me dëshirë apo pa të, e si i drejtohet robi dikujt tjetër përveç Tij apo merr ndonjë fe tjetër përveç fesë së Allahut? Ai thotë: "A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së Allahut, ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir dhe tek Ai do të kthehen të gjithë?!" (Ali Imran, 83)
Allahu ka mohuar të ketë ndonjë fe më të mirë e cila ka bashkuar sinqeritetin dhe pajtimin e punës sipas sheriatit. Ai thotë: "Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit?" (Nisa, 125) Allahu i Lartësuar ka nxitur që të shfaqet Islami dhe të krenohet njeriu me të. Ai thotë: "E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: "Unë, me të vërtetë jam musliman.” (Fussilet, 33)
Allahu i Lartësuar udhëzimin e ka bërë peng me Islamin. Ai thotë: "Nëse ata të kundërshtojnë ty (o Muhamed) thuaju: "Unë i përulem vetëm Allahut, e po ashtu edhe ata që më pasojnë mua”. Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri si dhe analfabetëve: "A i përuleni Allahut?” Nëse e pranojnë Islamin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. Por, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen. Allahu i vrojton robërit e Vet." (Ali Imran, 20)
Gjithashtu thotë: "Thoni: "Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”. Nëse ata besojnë në atë që besoni edhe ju, atëherë janë në rrugën e drejtë. E, nëse ia kthejnë shpinën asaj, atëherë sigurisht që do të përçahen. Por Allahu të mjafton ty (Muhamed si mbrojtës) kundër atyre. Ai i dëgjon dhe i di të gjitha." (Bekare, 136-137)
Allahu i Lartësuar udhëzimin e ka kufizuar në atë që ka zbritur si shpallje. Ai thotë: "Thuaj: "Udhëzimi i Allahut është i vetmi udhëzim i drejtë! Ne jemi të urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve." (En'am 71)
Allahu i Lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij që të shfajësohet nga adhurimi i tjetërkujt përveç Allahut. Ai thotë: "Thuaj (o Muhamed!): "Mua më është ndaluar të adhuroj atë që adhuroni ju, përpos Allahut, pasi më kanë ardhur prova të qarta prej Zotit tim e më është urdhëruar që t’i nënshtrohem Zotit të botëve.” (Gafir, 66)
Gjithashtu thotë: "Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë." (Lukman, 22)
Dhe: "S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka." (Bekare, 256)
Allahu i Lartësuar ka lajmëruar për përsosmërinë e kësaj feje të zbritur nga Ai dhe se pikërisht këtë fe e ka zgjedhur për robërit e Tij. Ai thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (Maide, 3)
Allahu ka lajmëruar se atij që ia hap zemrën për ta pranuar Islamin, atë e ka udhëzuar në të vërtetën dhe ai në jetë ecën sipas udhëzimit. Ai thotë: "Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë." (En'am 125)
Gjithashtu thotë: "A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!" (Zumer, 22)
Allahu i ka urdhëruar robërit e Vet që të jenë të përqendruar në Islam derisa të ndahen nga kjo botë. Ai thotë: "O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!" (Ali Imran, 102)
Allahu i Lartësuar lajmëron për nderin që u ka dhënë muslimanëve kur i quajti ata kësisoj. "Ai ju ka quajtur juve muslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!" (Haxh-xh, 78)
Nuk ekziston kurrfarë ndërmjetësimi ndërmjet së vërtetës me të cilën e dërgoi të Dërguarin e Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe së kotës, e cila pasqyrohet në çdo rrugë kundërshtuese ndaj rrugës me të cilën ka ardhur i Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të. Allahu thotë: "E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?" (Junus, 32)
Gjithashtu thotë: "E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës." (Kasas, 50)
Gjithashtu thotë: "Thuaj: "O ju mosbesimtarë! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni." (Kafirun, 1-2)
Përktheu: Almedin Ejupi
|