E enjte, 09/01/2025, 22:15
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Islami është jetë
                                          Islami është jetë

                              

 
Islami është sistem gjithëpërfshirës për të gjitha çështjet e jetës dhe sjelljet e njeriut. Muslimanit, përfundimisht nuk i lejohet t’i tolerojë jashtë Islamit t’ia rregullojë qoftë edhe një aspekt të vetëm të jetës së tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja” (Bekare, 85)

Muslimani patjetër duhet t’i dorëzojë tërë qenien dhe të gjitha çështjet e tij Allahut të Lartësuar, Krijuesit të tij. Allahu i Madhërishëm thotë: "Thuaj: "Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (En’am, 162-163)

Muslimani mundet ta bëjë tërë jetën e tij për Allahun, madje edhe çështjet e kësaj bote; ushqimin, pijen, veshjen, lojën, argëtimin, punën, martesën dhe çështje të tilla si këto dhe i mëson të tjerët se çështjet e kësaj bote i shndërron nga zakoni në adhurim duke kërkuar shpërblimin e Allahut në çdo veprim, me kusht që ky veprim të jetë i ligjshëm. Ai ushqehet me nijetin e të forcuarit për adhurimin e Allahut; luan me nijetin e çlodhjes së ligjshme të shpirtit; martohet me nijetin e formimit të pasardhësve të sinqertë që do ta adhuronin Allahun pas vdekjes së tij; punon madje përpiqet dhe mundohet në punë me nijetin e përparimit dhe zhvillimit të umetit të tij si dhe ndërtimin e vendit të tij; arsimohet dhe i mëson njerëzit me nijetin që ta adhurojnë Allahun me mendjemprehtësi dhe kështu të shpëtojnë nga dënimi i Allahut në Ditën e Gjykimit; jep lëmoshë dhe shpenzon duke iu afruar Allahut të Lartësuar; i përmbahet moralit të lartë dhe mirësjelljes dhe largohet nga gjërat e urryera me nijetin e pasimit të zotërisë së njerëzimit Muhamedin, paqja e Zotit qoftë mbi të. Nëse vështron në cilindo këndvështrim të jetës së tij e gjen Islamin se i ka rregulluar atij këtë këndvështrim në pajtueshmëri me legjislacionin e urtë të tij. Një prej të krishterëve çuditet duke i thënë Selman Farisiut, kënaqësia e Allahut qoftë me të: "Po çuditem me Profetin tuaj, ju mëson çdo gjë, madje edhe mënyrën e kryerjes së nevojës ashtu siç u mëson ajetet nga Kurani”

Ky fakt, nëse dëshmon për diçka, argumenton për universalizmin e Islamit, i cili trajton gjithë jetën e muslimanit. Allahu i Plotfuqishëm thotë: "Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë” (En’am, 38)

Në Islam kemi shumë norma rreth kryerjes së nevojës të vërtetuara në Sunetin e saktë. Nëse çështja është kësisoj, atëherë si qëndron puna me çështjet madhore?!

Sa i përket aspektit ekonomik, Islami ka rregulluar solidarizimin shoqëror, zekatin, lëmoshat dhe mjetet tjera të shpenzimit në rrugën e Allahut si dhe ka paralajmëruar dhe ndaluar nga zotërimi i pasurisë në formë të paligjshme si kamata e të ngjashme si ajo. Gjithashtu, ka ndaluar grumbullimin e kapitalit si dhe ka rregulluar rrugët e fitimit dhe transaksionin ligjor për muslimanin larg çdo dyshimi të ndaluar.

Sa i përket të drejtës familjare, Islami i ka sqaruar kriteret për të cilat përzgjidhet femra për bashkëshorte, e ato janë; pasuria, bukuria, prejardhja dhe fetaria. Kush e zgjedh fetarinë ai ka fituar, për faktin se feja është ajo që mbetet dhe përfiton prej saj besimtari me veprën e mirë në botën tjetër, ndërsa çështjet tjera ato do të zhduken, madje e tërë kjo botë do të zhduket. Islami ka shpjeguar sesi muslimani të gëzohet me martesën e tij, ka shpjeguar llojet e argëtimit të lejuar; larg bisedave të kota dhe larg dukurive të shthurura dhe të paturpshme.

Me qëllim që bashkëshorti mos ta e dëmtojë bashkëshorten e tij e as gruaja të mos tregohet neglizhuese ndaj burrit të saj, Islami ka shpjeguar të drejtat e ndërsjella. Me qëllim që të dal një brez musliman i edukuar me edukatë të lartë dhe moral të pastër, Islami ka shpjeguar metodologjinë e edukatës islame, që patjetër duhet të pasohet, që nga momenti i kontaktit seksual ndërmjet bashkëshorteve e deri në lindjen e të porsalindurit, më pas, mënyrën e edukimit deri sa të arrijë moshën e pjekurisë me kujdesin dhe këshillimin.

Islami kujdeset për individin me kujdes të gjerë, ka shpjeguar mënyrën e përgatitjes së burrave të së nesërmes dhe ardhmërinë e umetit islam, ata që do ta bartin flamurin e thirrjes dhe luftës në rrugën e Allahut të Lartësuar sipas metodologjisë profetike, të cilën e ka ndjekur Profeti i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me këtë kategori.

Në fushën e bashkëveprimit me jomuslimanët Islami na ka udhëzuar në mënyrën e trajtimit të atyre që janë nën mbrojtjen e muslimanëve, çfarë të drejta dhe obligime kanë, cili është ligji që zbatohet me ta nëse shkel ose thyen dikush prej tyre ndonjë obligim të caktuar për ta ose ka kryer ndonjë krim të caktuar, cilat janë kufijtë ligjor në bashkëveprim ndërmjet tyre dhe muslimanëve në fushën e martesës, shitblerjes, ushqimit, pijes dhe gjëra të tjera.

Sa i përket fushës së sundimit dhe politikës, Islami ka shpjeguar bazat e sundimit dhe politikës, cilat janë obligimet e shteteve fqinje dhe se prej faktorëve më të rëndësishme gjatë sundimit dhe politikës janë drejtësia, barazia dhe konsultimi.

Allahu i Plotfuqishëm është i Vetmi që posedon të drejtën e ligjshmërisë, të drejtën e rregullimit të çështjeve të robërve të Tij, sepse Ai është Krijuesi. Ai thotë: "E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (Mulk, 14)

Islami ka shpjeguar se fanatizmi ndaj një shtrese, ngjyre ose kombësie nuk është prej cilësive të muslimanit. Kriteri, në bazë të të cilit Allahu i dallon robërit e Vet është devotshmëria dhe frika ndaj Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13) Ndërsa i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Lëre atë (fanatizmin) se ajo është shumë e keqe!”

Përgjithësisht, vetëm Islami është ai që është i përshtatshëm për t’i sistemuar raportet ndërmjet individëve me njëri-tjetrin, ndërmjet individëve dhe qeverive të tyre, ndërmjet qeverive dhe qeverive të tjera, ndërmjet shteteve dhe shteteve të tjera. Nuk ekziston fe jashtë Islamit që është e përshtatshme për t’u praktikuar nga njerëzimi, madje Allahu i Plotfuqishëm nuk pranon fe tjetër. Ai thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Ali Imran, 85)

Allahu i Lartësuar e ka përsosur fenë, i ka plotësuar misionet dhe profetët i ka përfunduar me Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. Allahu i Madhërishëm thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj” (Maide, 3)

 

 

 

Almedin Ejupi

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (07/07/2010)
Klikime: 1101 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2025