E shtunë, 20/04/2024, 10:18
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Hisja e burrit
 
Hisja e burrit
Islami i ka dhënë të drejta secilit, veçanërisht në aspektin e pasurisë dhe ndarjes së trashëgimisë.
E hënë, 23 Mars 2009 16:57




Shkruan: Almedin Ejupi



Islami kohëve të fundit ka filluar me të madhe të sulmohet dhe të akuzohet për shumë çështje. Prej sulmeve dhe akuzave të cilat i drejtohen Islamit është edhe çështja e trashëgimisë, duke thënë se Islami i ka dhënë mashkullit hise sa për dy femra, ku shumë prej tyre orvaten të krijojnë huti në mesin e muslimanëve përmes shkrimeve të ndryshme. Ndër to është edhe shkrimi i gazetarit Enver Robelli, i publikuar në gazetën Koha Ditore më 20.03. 2009, i cili "diskuton me arsye të shëndoshë dhe me urti" për disa formulime në Kuran, për të cilat siç shprehet "mund të kenë qenë të zakonshme për kohën kur janë shkruar, por nga perspektiva e sotme duken në kundërshtim me ecjen e botës", por unë do të kufizohem vetëm tek çështja e trashëgimisë në jurisprudencën islame. Sa i përket "hises së burrit" ai citon ajetin kuranor "Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra". Ai thotë se formulimi për trashëgiminë është diskriminues, nuk përshtatet në kohërat e sotme, është i padrejtë dhe i pavend. Debatit mbi barazinë mes gjinive, Robelli thotë se teologët islamë në Kosovë e gjetiu në Ballkan kryesisht i ikin.

Islami i ka dhënë të drejta secilit, mashkullit dhe femrës në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në aspektin e pasurisë dhe ndarjes së trashëgimisë. Karakteristikë e veçantë e Islamit është se ai është i qartë, aktual, i përshtatet të gjitha kohërave, është i drejtë dhe gjithmonë pajtohet me natyrshmërinë dhe asnjëherë nuk vjen në kundërshtim me të. Sistemi islam i trashëgimisë para se gjithash, është sistem i matur dhe shumë i drejtë. Ai ka sqaruar kush janë trashëgimtarët e ligjshëm dhe u ka dhënë pozitën që u takon, varësisht afërsisë së pasardhësve dhe pozitës së tyre shoqërore në jetë. Islami barazon ndërmjet mashkullit dhe femrës aty ku barazia është e logjikshme dhe e natyrshme dhe bën dallimin mes tyre aty ku dallimi është i natyrshëm dhe i arsyeshëm. Prej sferave më të rëndësishme ku bën dallim ndërmjet tyre është në ndarjen e trashëgimisë. Allahu i Lartësuar, në këtë kontekst thotë: "Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra."[1] Akuzuesit e Islamit thonë se përse është bërë kjo ndarje, ku qëndron barazia gjinore? Ku qëndron drejtësia në këtë rast?

Para se të zgjerohemi në dhënien e përgjigjes në këtë çështje, le të shohim shkurtimisht sistemin e trashëgimisë tek disa qytetërime të lashta. Në shumicën e shoqërive të hershme, e drejta për të trashëguar pasurinë e të vdekurit shpesh i është dhënë djalit më të madh apo meshkujve të afërm të familjes. Femrave të farefisit u është dhënë më pak e drejtë për të trashëguar, ku në shumicën e rasteve e drejta e tyre është mohuar.

Tek persianët burri linte trashëgimi gruas më të dashur tek ai, kurse të tjerat i privonte ashtu siç i privonin nga trashëgimia nënën, motrën dhe vajzën. Çifutët konsideronin se trashëgimtari i vetëm i babait është djali mashkull. Arabët e injorancës mendonin se gruaja nuk meriton asgjë nga të afërmit e saj. Edhe në qytetërimet më moderne, Ligji Anglez nuk i ka dhënë të drejtë grave, për të zotëruar pasuritë e tyre deri më 1880. Dekreti i pasurisë së gruas së martuar është aprovuar nga parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm në vitin 1882, për të shfuqizuar ligjin e mëparshëm, i cili përcaktonte se gruaja e martuar nuk mund të zotëroj asnjë pasuri veçmas prej burrit të saj. E njëjta situatë po ndodhte edhe në Francë, ku kjo e drejtë është njohur vetëm në vitin 1930. Kjo do të thotë sesi shoqëritë e lashta e administronin çështjen e trashëgimisë, ku trajtimi ishte në favor të burrave, ndërkohë gratë trajtoheshin si krijesa të dorës së dytë.

Nëse thellohemi në ajetin fisnik vërejmë se Allahu ka urdhëruar për çështjen e trashëgimisë fëmijët, pastaj ka sqaruar se mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave. "Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra". Në origjinë, urdhëri është për fëmijët, ndërsa për mashkullin hise sa për dy femra është vetëm rast prej njëzet e katër rasteve të trashëgimisë dhe se kjo ndarje nuk zbatohet në të gjitha rastet e trashëgimisë.

Le të sjellim vetëm tre shembuj ku femra është e barabartë me mashkullin, ndërsa shembuj ka edhe më shumë se këto që do t'i përmendim:

a). Nëse i vdekuri ka lënë fëmijët, babanë dhe nënën. Prindërit, respektivisht babai dhe nëna marrin 1/6 e pasurisë pa dallim ndërmjet burrërisë së babait dhe feminitetit të nënës, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "... për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë"[2].

b). Nëse i vdekuri ka lënë vëllanë dhe motrën nga nëna dhe këta të dy nuk ka kush i pengon nga trashëgimia, atëherë secili prej tyre merr 1/6, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:
"...po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta"[3],

c). Nëse i vdekuri ka lënë dy e më tepër vëllezër nga nëna dhe dy e më tepër motra nga nëna, atëherë vëllezërit bashkërisht trashëgojnë 1/3, gjithashtu motrat trashëgojnë 1/3. Pra, pa dallim mashkull ose femër duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar:
"e në qoftëse se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë)"[4].

Le të sjellim dy shembuj kur femra merr shumëfish më tepër sesa mashkulli kurse shembuj kemi edhe më shumë se këto:

1). Nëse gruaja e vdekur ka lënë bashkëshortin dhe një vajzë. Në këtë rast vajza e së vdekures trashëgon gjysmën e pasurisë kurse babai i saj, respektivisht bashkëshorti i së vdekurës trashëgon një të katërtën. Prandaj, në këtë rast femra trashëgon dyfishin e asaj që trashëgon mashkulli.

2). Nëse i vdekuri ka lënë bashkëshortën, dy vajza dhe një vëlla të tij. Në këtë rast bashkëshortja merr të tetën e pasurisë, vajzat dy të tretat ndërsa çka të mbetet ajo i takon xhaxhait të vajzave respektivisht vëllait të të vdekurit. Kësisoj, seciles prej tyre u takon më shumë sesa që i takon axhës. D.t.th. seciles i takon kuota 8/24 ndërsa axhës 5/24.

Ndarja e trashëgimisë në jurisprudencën islame nuk bëhet për shkak të burrërisë apo feminitetit por për shkak të detyrave të cilat i bën secili. Gjithashtu kihet në konsideratë edhe nevoja e trashëgimtarit, lloji i lidhjes ndërmjet tij dhe pasarëdhësve. Pra, çështja absolutisht është ekonomike. Kemi vërejtur se ka raste kur femra trashëgon njëjtë si mashkulli, ndërsa ekzistojnë raste të tjera kur ajo trashëgon më tepër se mashkulli.

Situata të cilat ligji islam i ka dhënë më tepër mashkullit sesa femrës nuk është thjesht pa dobi, por për shkak të pozitës së tij sa i përket shpenzimit familjar. I zoti i shtëpisë merr përsipër mbikqyrjen dhe shpenzimin për familjen e tij. Nëse është i pamartuar me rastin e martesës e jep mehrin (pajën e nusërisë), siguron vendbanimin, orenditë etj. Atij i obligohet mbikqyrja materiale ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. Për të gjitha këto gjykata e obligon burrin ndërsa nuk e obligon me asgjë prej këtyre femrën. Nëse llogarisim atë që merr burri me sistemin llogaritës pas shpenzimeve do të na bëhet e qartë se ai është i barabartë me atë që merr gruaja apo ndoshta edhe më pak.

Sistemi bashkëkohor më saktësisht ai amerikan bën ndarjen e trashëgimisë sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet bashkëshortëve para vdekjes. S'ka dyshim se në këtë sistem ka padrejtësi ngase ai nuk i merr parasysh detyrat individuale për të dy gjinitë.

Mund të privohet dikush që është më parësor në trashëgimi ose nuk mund të ketë fare marrëveshje ndërmjet dy partnerëve.

Ndërsa kush thotë se pozita e femrës ka ndryshuar pasi ajo në të kaluarën ka qenë amvise sot është nëpunëse, themi se çfarëdo të jetë pozita e saj ajo nuk obligohet me mbikqyrjen materiale ndaj fëmijëve e as ndaj bashkëshortit. Sipas ligjit islam:

a) Për një femër të pamartuar, sigurimi i jetesës duhet të sigurohet nga babai i saj. Në mungesë të babait, meshkujt e afërm, duke përfshirë vëllezërit, gjyshin dhe xhaxhallarë. Ata janë përgjegjës për furnizimin e mbajtjes së saj.

b) Furnizimi për mbajtjen e një gruaje të martuar është përgjegjësi e plotë vetëm e burrit të saj; burrit i kërkohet të paguaj mehrin për gruan e tij sipas martesës, "Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit"[5]

Ky mehër zotërohet i gjithi nga vetë gruaja dhe burri nuk ka asnjë të drejtë t'ia marri atë, edhe nëse divorcohen, "Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t'ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?"[6]

c) Gruaja nuk ka asnjë obligim financiar. Çfarëdo që ajo fiton apo trashëgon është thjesht pasuri e saj personale. Ajo është e lirë ta shpenzojë pasurinë e saj në mënyrën që ajo dëshiron dhe burri nuk ka të drejtë t'i marrë, vetëm nëse ajo e dëshiron këtë. S'ka dyshim se kësisoj ruhet nderi dhe respektohet liria e saj. Islami ka caktuar përgjegjësin e saj për shpenzim prej lindjes e deri në vdekjen e saj.

Sikur të imagjinonim se Islami e ka obliguar femrën me shpenzim ndaj shtëpisë me këtë rezulton se e obligon të dalë dhe të fitojë, gjë e cila e fut familjen në konflikte në të cilat ka rënë shoqëria perëndimore, mirëpo Islami deshi ta respektojë femrën duke ia siguruar furnizimin në mënyrë që të jetë e qetë si dhe të jetë e përsosur në edukimin e brezave dhe kujdesin ndaj shtëpisë.

Në të njëjtën kohë i ka siguruar lirinë ekonomike kur i hapi asaj mundësinë e punës dhe këtë vullnetarisht ndërsa për këtë e obligoi burrin. Nëse femra fiton pasuri ajo është ekskluzivisht e saj dhe nuk i takon askujt t'i marrë përveçse me dëshirën e saj.

Trashëgimia është çështje e llogarisë e jo çështje ndjenjash e pretendimesh. Femra merr një të tretën që të shpenzojë vetëm për veten e saj kurse mashkulli dy të tretat që të shpenzojë fillimisht për bashkëshorten, pastaj për familjen dhe fëmijët e tij. Pra, kush merr më tepër me logjikën e llogaritjes dhe logjikën e numrave? Ekzistojnë edhe raste të pazakonshme për mashkullin, i cili tërë pasurinë e shpenzon për veten, nëse nuk martohet dhe nuk krijon familje, mirëpo ato janë raste të rralla. Kjo sa i përket çështjes së pasurisë së trashëguar pa u lodhur. Ndarje e drejtë nga ana e Allahut të Lartësuar, i Cili u jep "secilit sipas nevojës", kurse peshorja e nevojës këtu nënkupton detyrimet e obliguara të secilit prej tyre. Ndërsa sa i përket pasurisë së fituar me të gjitha format e saj si shpërblimi për punën, fitimin në tregti nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës ngase këtu peshohet me peshore tjetër e ajo është barazia ndërmjet angazhimit dhe shpërblimit.

Gjysma e asaj që merr mashkulli më tepër se femra në disa raste është thelbi i drejtësisë ngase pasuria e mashkullit do të pakësohet përmes mehrit dhe shpenzimeve familjare ndërsa pasuria e saj do të rritet me mehr dhe investim nëse ajo investon.

Shumica e vendeve skandinave akoma vazhdojnë të bëjnë dallim në trashëgimi ndërmjet mashkullit dhe femrës. Mashkullit i japin më tepër sesa femrës përkundër barazisë së tyre në obligime dhe përgjegjësive materiale.

Femra në Islam të drejtën trashëgimore e meritoi pa kryengritje dhe pa konferenca përderisa femrat në Perëndim këtë e arritën si rezultat i grevave dhe konferencave të shumta.

Shembull: sikur me një kompani drejtori i merr 1000 euro, zëvendësdrejtori 800. drejtori është mashkull ndërsa zëvendësdrejtor femra, ndarja konsiderohet e drejtë. Gjithashtu nëse drejtor është femra kurse zëvendësdrejtor mashkulli atëherë ndarja është e drejtë ngase pasuria këtu ndahet sipas angazhimit dhe përgjegjësive. Prandaj, nuk është çështja e burrërisë dhe e feminitetit, mirëpo varësisht nga pozita dhe përgjegjësitë të cilat i bart secili prej tyre.

Islami, pra refuzon dhe lufton parimin e privimit të femrës nga trashëgimia thjesht për shkak të feminitetit të saj ose për shkaqe të cilat i përmendëm më sipër. Islami i ka caktuar asaj kuotën në të gjitha rastet e trashëgimisë. Islami kundërshton edhe parimin e barazisë absolute ndërmjet asaj dhe mashkullit në trashëgimi. Ai në këtë drejtim ka vënë rregulla, prej të cilave nuk duhet të dalim.




 


[1]Kur'an, Nisa, 11.
[2] Kur'an, Nisa, 11
[3] Kur'an, Nisa, 12
[4] Kur'an, Nisa, 12
[5] Kur'an, Nisa, 4
[6] Kur'an, Nisa, 21,22

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (11/09/2009)
Klikime: 715 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024