E hënë, 30/12/2024, 17:27
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Gruaja, fjalët e së cilës i dëgjoi Allahu i Lartësuar

Ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke nxituar, kurse shenjat e frikës dhe të shqetësimit i vëreheshin në fytyrë. Si të mos jetë kështu kur familja e saj ishte kërcënuar me shkatërrim dhe ndarje, shtëpia e saj ishte rrezikuar me shembje dhe e gjithë kjo pas një fjale në gjendje hidhërimi që i kishte thënë bashkëshorti i saj, i cili ishte gati ta shkatërronte një familje të tërë dhe t’i jepte fund jetës bashkëshortore. Ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut me shpresë që të gjente zgjidhje për problemin e saj, ndërsa derën e tij e gjeti të hapur dhe asnjëherë ndërmjet tij dhe njerëzve nuk ekzistonte perde dhe pengesë. Ajo ishte Haule bint Tha'lebe, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, për të cilën Aishja ka thënë: "Lavdërimi i takon Allahut, dëgjimi i të Cilit i përfshin të gjitha zërat! Ajo grua erdhi tek i Dërguari i Allahut duke iu ankuar për burrin e saj, unë isha në këndin e shtëpisë, e Allahu zbriti në Kuran një sure të tërë për çështjen e saj, të cilën e emërtoi me sure el Muxhadile, e cila fillon me fjalët: "Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka." (Muxhadile, 1)

Librat e komentimit të Kuranit theksojnë shkakun e zbritjes së këtij ajeti fisnik se Haule bint Tha'lebe, gruaja e Evs b. Samit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Mes tyre kishte një mosmarrëveshje, si mes burrit e gruas. Burri i saj ishte njeri që hidhërohej shumë shpejt. Kur ndodhi mospajtimi midis tyre, ai u betua se nuk do t'i afrohej asaj dhe i tha: "Më je bërë si shpina e nënës sime", një formulë që pranohej si deklaratë ndarjeje ndër arabët paganë e që e ndaloi Islami.

Evsi pas një kohe deshi t'i afrohej gruas së tij, por ajo e ndaloi dhe refuzoi t'i përgjigjej derisa të shkonte tek i Dërguari i Allahut dhe ta lajmëronte se çka kishte ndodhur. Mirëpo Evsit i erdhi keq dhe i vinte turp që t'i tregonte të Dërguarit për ngjarjen. I Dërguari i tha asaj: "Ti je e ndaluar për të." Ajo i tha të Dërguarit se burri i saj me ato fjalë nuk kishte për qëllim divorcin e as ndarjen, kurse i Dërguari sërish i tha: "Ti je e ndaluar për të." Kur dëgjoi fjalët e Profetit iu drejtua Allahut duke thënë: "O Zoti im, Ty të ankohem për gjendjen dhe dobësinë time." Më pas filloi të diskutonte me të Dërguarin për ta bindur atë se ajo e donte burrin e saj dhe nuk dëshironte ndarjen prej tij, gjithashtu edhe ai ndien të njëjtën gjë. Mirëpo i Dërguari iu përgjigj edhe herën e tretë: "Ti je e ndaluar për të". Megjithëkëtë ajo nuk i humbi shpresat nga mëshira e Allahut dhe sërish filloi të diskutonte me të Dërguarin me metodën duke u përqendruar në aspektin emocional dhe njerëzor me shpresë se do ta bindte atë për gjetjen e rrugëdaljes nga kjo gjendje e vështirë në të cilën gjendet duke i thënë se unë jam e vetme, nuk kam familje, kam vajzë të vogël, nëse ia lë atij do të dëmtohet, ndërsa nëse e marr unë, do të vdesë urie. Kurse i Dërguari nuk kishte përgjigje tjetër vetëm se duke i thënë: "Ti je e ndaluar për të". Ajo iu drejtua Allahut të Madhërishëm me fjalët: "O Zoti im, zbrit në gjuhën e të Dërguarit Tënd atë që do ta zgjidhte çështjen time".

Allahu menjëherë zbriti fjalën e Tij: "Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka" (Muxhadile, 1). I Dërguari i Allahut pas zbritjes së ajeteve për këtë çështje, sqaroi dispozitën për këtë problematikë. E thirri Evsin dhe i kërkoi atij ta lirojë një rob si shpagim për aktin e tij. Evsi e lajmëroi të Dërguarin se nuk kishte mundësi ta bënte këtë. Atëherë Profeti i kërkoi të agjëronte dy muaj pandërprerë, ai iu përgjigj se nuk kishte mundësi ngase ishte burrë i shtyrë në moshë, kurse agjërimi po e dobësonte. Atëherë Profeti i kërkoi të jepte sadaka (lëmoshë) për gjashtëdhjetë të varfër, por Evsi e lajmëroi të Dërguarin se nuk posedonte pasuri që t'i ushqente të varfrit. Kur e pa gjendjen e tij, i Dërguari dha sadaka për të dhe i tha që të kthehet te gruaja e tij.

Mbi dritën e shkakut të zbritjes së këtij ajeti dhe ajeteve pasuese mund të ndalemi në disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me familjen dhe shoqërinë:

Çështja e parë: Pozita e femrës në Islam dhe se ajo ka të drejta dhe obligime ashtu siç i ka edhe burri përveç atyre që i ka veçuar Allahu i Lartësuar: "Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato" (Bekare, 228). E nuk qëndron fakti siç thonë disa se Islami i ka bërë padrejtësi femrës dhe e ka privuar nga shumë të drejta. Ja, gruaja i ankohet duke iu drejtuar të Dërguarit të Allahut për një çështje familjare, kurse Allahu dëgjon ankesën e saj prej mbi shtatë qiej dhe ka zbritur Kuran për të duke sqaruar rrugëdaljen për çështjen e saj, gjë që vërteton dhënien e së drejtës së plotë të saj në kërkimin e drejtësisë për problematikën e saj, të familjes dhe fëmijëve të saj.

Çështja e dytë: Në këtë tregim ka një mësim praktik për gratë dhe burrat e umetit islam, mësim i cili shpjegon obligimin e femrës në mbrojtjen e interesave të saj dhe interesave të familjes së saj dhe se kjo konsiderohet një e drejtë ligjore e saj që assesi nuk duhet të anashkalohet.
Çështja e tretë: Njohja e asaj që quhet në legjislacionin islam me termin "Edh dhihar", që nënkupton që burri ta ndalojë veten nga kontakti seksual me gruan e tij duke e ngjasuar atë me nënën ose motrën duke i thënë asaj p.sh "Më je bërë si shpina e nënës sime", ose "Më je bërë si shpina e motrës sime". Me këtë rast gruaja i ndalohet burrit të saj dhe nuk trajtohen si bashkëshortë derisa burri të shpaguajë për betimin e tij ashtu siç mësuam nga ky tregim. Allahu di më së miri!


 

Përgatiti: Almedin Ejupi

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (19/04/2010)
Klikime: 1803 | Komentet: 1 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 1
1 eda  
0
pershendetje,kam nje pyetje per ju un jam besimtare e fese islame mirpo nuk besoj ne sehir,a mundet te me jepni nje sqarim per sehirin?ju falemenderit

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024