Pyetja:
Selam alejkum! Unë jam një motër muslimane, i fal 5 kohët e namazit që 4 vite. Kam menduar që të mbulohem edhe më herët, mirëpo shkaku i familjes nuk kam mundur ta bëj dhe siç dihet do të më përjashtonin nga shkolla po të mbulohesha dhe për këtë shkak e kam lënë deri në këtë kohë. Tanimë kam përfunduar shkollën e mesme dhe dëshiroj të mbulohem. Kam bindjen e plotë, mirëpo familja më pengojnë tej mase, se më kanë thënë se do të më rrahin dhe do të më përzënë nga shtëpia nëse mbulohem, kështu që unë s’di çfarë të bëj, a të mbulohem apo të më rrahin e të më përzënë nga shtëpia apo të pres momentin ndoshta u ndryshon mendja ndonjë herë. Çfarë të bëj? Dua përgjigje të prerë ju lutem: o të mbulohem e të më rrahin e të më poshtërojnë e përzënë nga shtëpia, o të rri siç kam ndenjur deri tani e ndoshta është kismet ndonjë herë në ardhtë ajo ditë që të mbulohem pa problem. Çfarë të bëj...? Allahu ju shpërbleftë dhe ju nderoftë! Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqen tonë. Na gëzon fakti se jeni një muslimane e cila tenton të jetë praktikuese e mësimeve islame. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju forcojë edhe më shumë në këtë rrugë dhe t’ju japë çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër! Edhe pse kemi një numër pyetjesh që nuk u kemi dhënë përgjigje ende dhe krahas kësaj (përgjigjeve ndaj pyetjeve të lexuesve) kemi edhe obligime të tjera, mendojmë se problemi juaj kërkon më shumë se përgjigje. Kërkojmë falje nga lexuesit e tjerë që kanë bërë pyetje, pasi do të zgjerohemi në këtë shtjellim pak, çka do të vonojë përgjigjen për ndonjë lexues tjetër. Ky problem ka rëndësi pasi është një gjë që i preokupon shumë femra, të cilat jetojnë në të njëjtën gjendje. Ajo që kërkohet nga ju në këtë gjendje është të hulumtoni metodat dhe format me të cilat do të arrini ta praktikoni mbulesën në familje duke tentuar që familja juaj t`ju pranojë ashtu. Fillimisht duhet ta keni parasysh ju, por edhe secili musliman, se çështja e mbulesës nuk është një punë e thjeshtë, por një obligim i Allahut për çdo femër e cila arrin moshën e pjekurisë. Për këtë kemi argumente të shumta, të cilat përmenden kur shtjellohet kjo problematikë, por ne tani nuk do t`i sjellim ato. Nga këndvështrimi ynë është e rëndë që t`ju definojmë se cila është rruga më e drejtë që ju të ndërmerrni, pasi nuk i kemi të qarta rrethanat dhe se në ç’përmasa arrin kundërshtimi i familjes, por do të përmendim disa nga metodat të cilat mund t`ju shërbejnë për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk do të thotë se të gjitha këto forma përputhen me gjendjen tuaj, sikurse nuk janë të vetmet, prandaj prapë ju mbetet juve që të vendosni se cila është rruga më e mirë për të arritur të mbuloheni.
-Nëse familja juaj apo prindi ka respekt për ndonjë hoxhë me autoritet në rrethinën tuaj apo më larg dhe mendoni se fjala e tij ka peshë te familja, atëherë mundohuni që këtë hoxhë ta takoni me ta. Kështu ai ua sqaron çështjen e mbulesës dhe në këtë formë familja merr njohuri dhe largon paragjykimet që ka në lidhje me mbulesën. Nuk e kemi shumë të qartë gjendjen e familjes dhe nivelin e njohurive islame të pranishme në rrethin tuaj, por në përgjithësi te ne mbretërojnë disa paragjykime që lidhen me mbulesën, prandaj një informim i drejtpërdrejtë dhe një qasje e qëlluar mundëson që familja të pranojë mbulesën tuaj. Nëse fjala dhe këshilla vjen nga dikush më i respektuar, atëherë kjo është edhe më e pranueshme. Në këtë formë ju krahas mbulesës arrini që edhe familja juaj të përmirësojë botëkuptimin e gabuar që ka në lidhje me Islamin.
- Është më se e mundur që ndonjë i afërm i juaji (xhaxhai, halla, tezja, daja, fëmijët e tyre apo edhe dikush më i largët) të jetë praktikues i fesë dhe i shkon fjala në familjen tuaj apo së paku ka kontakte me ta. Atëherë edhe ai mund t’ju ndihmojë për mbulesën tënde. Pra, mundohuni që të ndihmoheni nga ai gjatë refuzimit të familjes, që kundërshtimi të jetë më i përmbajtur.
- Kështu mund të veproni edhe me anëtarët e familjes, si p.sh. me vëllanë më të madh apo motrën më të madhe, që nuk janë praktikues, por kanë respekt ndaj qëndrimeve tuaja dhe vendimit tuaj për t’u mbuluar, qoftë edhe nëse kundërshtojnë, por nuk janë shumë rigorozë. Tentoni që nëpërmjet tyre të mbroheni nga kundërshtimi i prindit.
- Nëse këto nuk arrijnë sukses dhe e shihni se duhet të jeni më e vendosur, atëherë tentoni edhe ju vetë të flisni me prindërit dhe t’i sqaroni se ky është vendim i juaji dhe le të kuptohet se këtë hap do ta ndërmerrni.
- Disa motra të cilat e kanë pasur këtë problem kanë provuar edhe metodë më të vendosur dhe kjo ka sjellë rezultate, edhe pse ndoshta në fillim janë ballafaquar me probleme dhe sprova, siç i përmendni ju; dalja nga shtëpia, hidhërimi i prindërve, etj. Por pas një kohe ata e kanë pranuar bijën e tyre me mbulesë. Prandaj nuk e përjashtojmë edhe këtë mundësi, pasi kërcënimi i prindërve ndonjëherë është i pamatur dhe pas një kohe pendohen.
Këto ishin disa nga format të cilat arritëm t`i përmbledhim në këtë ngut, por në fund ju këshillojmë me një gjë që është më e rëndësishme se të gjitha këto që u cekën. Mbështetuni tek Allahu i Lartësuar, pasi në Dorën e Tij është çdo gjë. Ndoshta me një lutje tuajën të sinqertë, të cilën e bëni në një kohë që nuk refuzohen lutjet, Allahu i Plotfuqishëm ndryshon zemrën e prindit tuaj. Keni parasysh se ai i cili i dorëzohet Allahut dhe e pason Atë duke iu mbështetur atij, Allahu ia hap rrugën atëherë kur mendon se ka përfunduar çdo gjë. Allahu i Lartësuar thotë: “E kush ka frikë Allahun (u përmbahet dispozitave të Tij), atij Ai (Allahu) i hap rrugë.” (Talak, 2). Gjithashtu thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën.” (Talak, 4)
Alaudin Abazi
|