Pyetja:
Selam alejkum!
Falli a është shirk?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Në disa shkrime dhe përgjigje të mëhershme, në të cilat kemi trajtuar magjinë, kemi shpjeguar edhe për fallin dhe kemi thënë se magjia, falli dhe astrologjia janë veprat më të këqija që mund të bëjë njeriu dhe këto praktika janë ato të cilat e rrënojnë besimin e muslimanit.
Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj se falli a është shirk e kufër, themi se ekzistojnë forma dhe metoda të ndryshme me të cilat parashikohet e ardhmja dhe disa nga këto mënyra i kemi sqaruar në temën:”Parathëniet e Nostradamusit nga këndvështrimi islam”, (kliko http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1769).
Por për nga praktikimi, parashikuesit apo fallxhorët ndahen në dy grupe kryesore:
1. Ata që kanë kontakte me xhin; inspirohen, marrin informacione prej tyre dhe kështu i parashikojnë gjërat nga informacionet që marrin prej xhinëve. Këta arrijnë të marrin këto lajme nga xhinët dhe si kompensim ata kryejnë rite që u kërkojnë atyre xhinët. Prandaj ky grup është më i rrezikshëm sepse ai përmban mëkatin e rëndë të shirkut dhe kështu paraqesin një fitne (sprovë) të madhe për njerëzit, si për muslimanët ashtu dhe për jo muslimanët.
2. Ata që në fakt nuk kanë kurrfarë lidhje me botën e xhinëve, por bindjet e tyre i ngrenë mbi mësime të kota, si shenjat e duarve, mbeturinat në filxhanin e kafesë, zogjtë që fluturojnë apo ulen në vende të caktuar, lëvizja dhe pozitat e caktuara të yjeve, kjo e fundit bën pjesë në shkencën e astrologjisë që në terminologji quhet horoskop. Këta, në fakt janë manipulues të cilët bëjnë një numër ritualesh pa kuptim para klientëve dhe pastaj thonë hamendje të përgjithshme (të menduara më parë). Disa prej hamendjeve të tyre, për shkak se janë të përgjithshme, dalin të vërteta. Shumica e njerëzve priren për të kujtuar ato pak thënie që dalin të vërteta dhe shpejt harrojnë shumicën që nuk del e vërtetë.
Të mësuarit e llojit të parë pa kurrfarë dyshimi është kufër, madje disa nga dijetarët kanë thënë se edhe të mësuarit e magjisë për ta kundërshtuar atë konsiderohet kufër, prandaj sipas tyre nuk duhet t’i afrohemi në asnjë mënyrë këtij falli pasi që nuk ka fare dallim nga magjia.
Sa i përket llojit të dytë të parashikimit të fatit, dijetarët kanë disa mendime për këtë çështje; disa e ndalojnë dhe e konsiderojnë atë pjesë të kufrit. Ca të tjerë fillimisht ndalen nga një gjykim i tillë, nëse njeriu i mëson këto gjëra për t’i kundërshtuar apo për kuriozitet duke mos i besuar dhe duke mos punuar me to. Por që të dy palët në fund janë të pajtimit, se ai që i mëson këto lloj kotësish duke i besuar, apo duke punuar sipas mësimeve të tyre, apo edhe vetëm duke i mashtruar të tjerët vetëm që të përfitojë prej tyre, edhe pse mund të mos i besojë ai vetë, ky lloj njeriu del nga Islami dhe konsiderohet qafir. Lind pyetja: pse të konsiderohet qafir, kur ai vetë nuk i beson ato gjëra? Themi se nuk na intereson besimi i tij i fshehtë; neve na intereson se ai me punën e tij është duke i nxjerrë të tjerët nga Islami dhe po bëhet shkaktar për fesat në tokë.
Me fjalë të tjera i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur thotë: "Kush shkon te parashikuesi dhe beson në atë që ai thotë, vetëm se ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit”, tregon se personi i cili shkon te fallxhori dhe i beson atij, i tilli bën mosbesim, atëherë pa dyshim ai i cili është shkaktarë (fallxhori) për këtë mosbesimin duhet të jetë edhe më i keq. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|