Ne Emer te Allahut, Meshiruesit, Meshireberesit
Ëndrra ime u realizua
Gazetarja afro-amerikane Angelene McLaren e ka pranuar Islamin para disa vitesh dhe ka marrë emrin islam Sumeje bint Joan.
Ja tregimi i konvertimit të saj.
Qëkur isha vajzë e vogël, gjithnjë kam pasur besim të madh në Zot. Edhe pse u rrita si katolike, bëra gjithçka për të qenë e fokusuar te Zoti dhe të mos hutohesha nga mësimet konfuze të kishës, pasi edhe për një fëmijë si unë ato dukeshin sikur shkonin kundër parimeve. Gjatë kohës së gjimnazit, unë mora një vendim të vetëdijshëm për t’iu dedikuar më shumë fesë sime. Shkoja në meshë dy herë në ditë, shkoja të rrëfehesha të paktën një herë në javë dhe bëja të gjitha praktikat fetare që prifti më thoshte të bëja; të gjitha me qëllim të afrimit pranë Zotit. Por kisha nuk arriti t’u jepte përgjigje pyetjeve të mia më të nevojshme: Kush jam unë, kush dhe çfarë është Zoti, përse jam këtu dhe cili duhet të jetë raporti im me këtë qenie superiore që ka krijuar universin? Si duhet ta jetoj jetën time? Cili është shembulli që duhet të ndjek dhe si duhet ta ndjek? Përse Zoti ka nevojë të ketë bir kur Ai ishte i vetëm në krijimin e Vet dhe nuk kishte nevojë për partner ose ndërmjetësues më parë? Prifti im nuk qe në gjendje të m’i jepte përgjigjet, por vetëm theksonte se duhet të kisha besim dhe se nuk ishte e nevojshme që gjithçka të kishte kuptim për aq kohë sa besimi im ishte i fortë. Kjo nuk më kënaqi dhe pasi mbarova gjimnazin, e lashë kishën dhe i hyra një kërkimi për të gjetur rrugën, besimin dhe fenë e drejtë. Lexova kështu për disa besime fetare, në mënyra që të shpëtoja përgjithmonë nga boshllëku shpirtëror. Praktikova Hinduizmin, Taoizmin, Budizmin dhe disa vite më vonë edhe Magjinë e Bardhë. Tani, shumë njerëz mund ta konsiderojnë këtë gjë si diçka të marrë, por duhet të kuptoni se unë isha duke kërkuar në kuptimin e vërtetë të fjalës, e megjithatë ky kërkim nuk la veçse një zbrazëti që nuk po arrinte të mbushej. Por një ditë motra ime erdhi të më vizitonte dhe ajo që pashë më zuri në befasi. Ajo hyri në shtëpi e veshur me një fustan të gjatë dhe ishte e mbuluar nga koka te këmbët. Flokët i kishte mbuluar me një shami të errët e të padepërtueshme, e cila i shkonte poshtë deri në bel. Pasi e pyeta përse ishte veshur ashtu në mes të verës, kur temperatura jashtë ishte gati 30 gradë celsius, ajo më shpjegoi se ishte muslimane. Edhe pse kisha lexuar për shumë fe, nuk e kisha llogaritur fare Islamin, kryesisht sepse nuk kishte edhe aq shumë informacion të gjetshëm dhe sepse isha e ndikuar nga stereotipat mbi Islamin.
U largova nga familja dhe u vendosa në Kaliforni, ende pa një fe dhe pa një raport të qëndrueshëm me Zotin. Në fillim, stereotipat mbi Islamin më bënë t‘i rrija larg kësaj feje dhe madje për pak kohë e braktisa kërkimin tim dhe vendosa ta lija rrjedhën e jetës të më çonte atje ku donte ajo. Veprova kështu për dy vite dhe megjithëse gjeta dashurinë dhe u fejova me një koleg timin, ende diçka më mungonte. Në brendësi të mendjes sime gjendej gjithnjë ai zë ngacmues që nuk reshte së më thëni se jeta ime ishte e çrregullt. Por unë bëra çmos ta injoroja atë zë, deri në atë mbrëmje fatale. Pak përpara se të largohesha nga Kalifornia dhe të kthehesha së bashku me të fejuarin tim në shtetin ku kisha lindur, që të ndërtonim jetët tona së bashku, pashë ëndrrën më të frikshme të jetës sime. Në këtë ëndërr, dy burra shumë të gjatë të veshur me të bardha po qëndronin në fund të shtratit tim. Teksa i shikoja, mendoja se ose ishin jashtëtokësorë, ose engjëj, nuk isha e sigurt se çfarë ishin, por isha shumë e frikësuar dhe po përpiqesha me çdo kusht që të largohesha prej tyre. Por sa më shumë përpiqesha t’u largohesha, aq më shumë iu afrohesha. Në fund, u gjendëm në majë të një mali tepër të lartë dhe poshtë nesh shtrihej një det i kuq si gjaku dhe i nxehtë si llava. Dy burrat më thanë të shija detin. Ajo që pashë do të qëndrojë me mua derisa të vdes. Deti ishte plot me njerëz lakuriq, të cilët rrotulloheshin si të ishin duke u pjekur në hell dhe bërtisnin: “Na ndihmo, na ndihmo!” Nuk ka shumë nevojë të them se ndjeva sikur po shihja një pamje të ferrit dhe u tmerrova. I tregova të fejuarit tim për ëndrrën, por ai vetëm sa qeshi dhe tha se unë kisha një imagjinatë tepër kreative. Në fakt, unë nuk mund ta hiqja nga mendja aq lehtë. Kur u ktheva në Miçigan, mësova se edhe motra tjetër e imja dhe një kushëri i imi kishin pranuar Islamin gjatë mungesës sime. Kjo më bëri kureshtare, prandaj i kërkova motrës sime të më jepte disa libra dhe një nga të parët që lexova ishte libri Përshkrimi i xhehenemit. Gjithçka që kisha parë në ëndërr gjendej në këtë libër. Mbeta pa fjalë. Pastaj nisa të lexoja e të lexoja, të ndiqja ligjërata dhe të bëja pyetje dhe sa më shumë mësoja për Islamin, aq më shumë mendja dhe zemra më thoshin se kjo ishte ajo që kisha kërkuar prej kohësh. Vendosa të pranoja Islamin, por kisha një problem të vogël- të fejuarin tim. Ai ishte i palëkundur që të mos e pranonte Islamin dhe kështu m’u desh të zgjidhja mes burrit që dashuroja dhe asaj që unë e ndieja në zemër se ishte gjëja e drejtë për t’u vepruar. Allahu i Madhërishëm thotë se nëse beson sinqerisht tek Ai dhe pason të Dërguarin e Tij alejhi selam, Ai do të të sprovojë. E kjo ishte sprova ime. Me gjithë dhimbjen e madhe që më shkaktoi zgjedhja ime në atë kohë, unë zgjodha Islamin mbi të fejuarin tim. Kjo ka ndodhur para më shumë se gjashtë vitesh dhe që atëherë Allahu më ka bekuar me një bashkëshort të mrekullueshëm dhe me një djalë shumë të bukur. Allahu na thotë se Ai do t’i nxjerrë nga errësira në dritë ata që duan të udhëzohen dhe kjo është pikërisht ajo që Ai bëri për mua.
|