E premte, 10/01/2025, 06:05
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

El-Afuvvu ( Mëkatfalësi )
El-Afuvvu ( Mëkatfalësi )
 
 
Emri që do të trajtojmë në këtë temë, ka lidhje të forta me një nga netët më të dashura tek Zoti, natën e Kadrit. Ky emër, është emri El afuv-vu
 
Madje, profeti alejhi selam na ka mësuar që këtë natë, të lutemi me lutjen:”O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”
Emri i Zotit El afuv-vu, është përmendur pesë herë në Kuran. Katër herë shoqërohet me ermin El-Gafur dhe një herë me emrin Elkadir. Thotë Zoti në Kuran:”Me të vërtetë që Zoti është Mëkat falës dhe Gjithëfalës.” (Nisa 43)
Kurse ajeti ku përmendet i shoqëruar me emrin Elkadir, është:” All-llahu është Mëkatfalës dhe i Plotfuqishëm.” (Nisa 149)

Kjo temë do të përqendrohet në katër pika kryesore:

Kuptimi i emrit El-afuv-vu.

Ndryshimi mes emrit El-afu-vu (Mëkatfalës) dhe El-Gafuru (Gjithëfalës) dhe disa emrave të përafërt në
kuptim.

Ç’lidhje ka ky emër, me natën e Kadrit?

Si ta përjetojmë këtë emër në jetën tonë?

Le të fillojmë me kuptimin e emrit El-afuv-vu. Ai rrjedh nga folja "Afa” e cila ka dy kuptime kryesore: Kuptimi i parë është që t’i japësh dikujt, me vullnet të lirë, nga pasuria jote hallall, pa të kërkuar. Ky është qëllimi me fjalën "tepricë” në ajetin e mëposhtëm:

"Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: "Tepricën!” (Bekare 219)

Kuptimi i dytë i foljes "Afa” është fshirja, zhdukja dhe eleminimi i gjurmëve. Kështu emri i Zotit El-afuv-vu do të thotë, Ai që i fshin gjynahet, shenjat dhe gjurmët që lënë këto gjynahe. Në të njëjtën kohë, Ai është i kënaqur dhe të jep nga të mirat e Tij, pa ia kërkuar.

Ndryshimi mes emrit El-afu-vu (Mëkatfalës) dhe El-Gafuru (Gjithëfalës) dhe disa emrave të përafërt në
kuptim. Emri El-afuv-vu është më gjithëpërfshirës sesa emri El-Gafuru.
Kur folëm mbi emrin e Zotit El-Gafuru, thamë që është Ai që t’i mbulon gjynahet dhe të metat në këtë botë, t’i mbulon në Botën tjetër dhe nuk të ndëshkon për këto gjynahe. Kjo, edhe pse këto gjynahe janë vepruar dhe janë të regjistruara në regjistrat e veprave të tua.

Kurse kur flasim për emrin El-afuv-vu është njëlloj sikur nuk ke vepruar gjynahe dhe sikur nuk ke asnjë të metë. Kjo pasi të është falur dhe të është fshirë nga regjistri i veprave, njëlloj sikur të mos kishte ekzistuar më parë. Kështu Zoti ua mbulon të metat disa prej robërve të Tij dhe nuk i ndëshkon në Botën tjetër. Kurse disa robërve të tjerë, Ai ua fal këto të meta dhe ua fshin nga Regjistrat e veprave, sikur të mos ekzistonin më parë. Kjo, edhe nëse dikush mund të ketë vepruar nga gjynahet e mëdha.

Që ta sqarojmë më mirë ndryshimin mes këtyre dy emrave, le të marrim një shembull:

Le të imagjinojmë një fletë të mbushur me gjynahe dhe të meta dhe në krah të secilit prej tyre, ndodhet ndëshkimi që Zoti ka caktuar për këdo që vepron atë gjynah. Në fund të kësaj flete shkruhet:”Personi që ka vepruar këto gjynahe, nuk do të ndëshkohet për ato që ka vepruar.” Por kjo fletë është prezente dhe të kujton ato që ke vepruar, edhe pse Zoti t’i mbuloi dhe nuk të ndëshkoi për to. Ky është emri i Zotit, Egafuru. Në një fletë tjetër, janë të gjithë gjynahet që ke vepruar dhe në krah të tyre ndëshkimi për secilin. Ajo që ndodh është se kjo fletë, riciklohet dhe kthehet e bardhë siç ishte më parë, duke fshirë të gjithë gjynahet që ndodheshin të regjistruara. I tillë është emri i Zotit El-afuv-vu.

Kushdo që punon në institucione shtetërore apo kompani private, e din se sa herë të mungosh pa arsye apo të vonohesh pa arsye, këto quhen shkelje dhe regjistrohen në dosjen tënde përkatëse. Edhe pse eprorët e tu mund të t’i falin, ekzistenca e tyre në dosje të shqetëson dhe të streson. Ajo që do të të bënte të ndiheshe i qetë, është vetëm kur eprori të marrë shkrepsen dhe të djegë fletët ku janë regjistruar shkeljet dhe gabimet e tua.

Për këtë, kur Aisheja e pyeti profetin a.s:”Me çfarë të lutem, nëse e arrij Natën e Kadrit?” ai iu përgjigj:”Thuaj:” O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Po të shohim në historinë e Jusufit a.s, do të gjejmë që vëllezërit e tij janë fajtorë për vuajtjet e tij. Në fund të historisë, pasi Jusufi a.s bashkohet përsëri me vëllezërit, u thotë:

"Ai tha: "Sot nuk ka qortim kundër jush, All-llahu ju faltë! Ai është më mëshirues i mëshiruesve!” (Jusuf 92) Ky ajet tregon që Jusufi a.s nuk i qortoi dhe nuk u hakmorr për sjelljet e vëllezërve ndaj tij. Por kjo nuk tregon se ai e harroi atë që kishin vepruar vëllezërit dhe e konsideroi sikur të mos kishte ndodhur. Këto fjalë nuk tregojnë se Jusufi a.s e konsideronte të harruar atë që kishte ndodhur. Kurse në fjalët e mëposhtme, duket qartë diçka e tillë:"O babai im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve u solli nga shkretëtira, pasi djalli pat futur përçarje mes meje dhe vëllezërve të mi.” (Jusuf 100)

E veçanta e këtij ajeti, qëndron në atë se Jusufi a.s nuk flet mbi pusin ku e hodhën vëllezërit e tij, por flet mbi burgun. Këtë e bën me qëllim që të mos i lëndojë. Ai e konsideronte një kapitull të mbyllur dhe të harruar atë që kishte ndodhur mes tij dhe vëllezërve.
Diçka e tillë pothuajse i ndodh secilit prej nesh. Ka raste kur e falim dikë për një faj që ka bërë, por nuk ia harrojmë të keqen. Ka raste të tjera, kur fajin dhe gabimin e tij, e konsiderojmë të harruar dhe nuk e përmendim kurrë, sikur të mos ekzistonte fare.

Si i fal dhe i fshin Zoti i Madhëruar gjynahet dhe të metat tona?

Kjo, duke të bërë ty dhe melekëve që ta harroni gjynahin që ke vepruar. Gjynahi që veprove, fshihet përfundimisht nga regjistri i veprave dhe e harron dhe meleku i krahut të djathtë. Ditën e Kijametit, Zoti nuk të pyet dhe nuk të kërkon llogari për atë gjynah. Është njëlloj sikur të mos e kishe vepruar.

"E do të vijë secili njeri e bashkë me të edhe grahësi edhe dëshmitari.” (Kaf 21)
Edhe vetë meleku nuk do e kujtojë dot atë që ke vepruar, nëse ta ka falur dhe ta ka fshirë El-afuv-vu. Nëse do të supozonim se dikush do përpiqej t’ia kujtojë melekut, se ky njeri ka dhe një gjynah tepër të rëndë, melekut nuk do i kujtohej, pasi Zoti e ka fshirë nga regjistri i veprave dhe nga kujtesa e melekëve.

Ditën e Kijametit do të ketë njerëz të cilët do të vijnë me regjistrat e veprave të bardhë si bora. Kjo pasi Zoti ua ka falur dhe ua ka fshirë të gjithë gjynahet që kanë vepruar që nga dita që lindën dhe deri ditën që vdiqën.
Nata e Kadrit është një natë, në të cilën të jepet një mundësi e tillë. Në këtë natë, ke mundësi që regjistrin e punëve ta fillosh nga fillimi, nga zeroja.

"Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin 65) Nëse Zoti t’i fal dhe t’i fshin gjynahet, ti do të përjashtohesh nga ky ajet.
Ditën kur të ringjallen të gjithë krijesat, edhe ti o vëlla do të ringjallesh dhe do të pajisesh me të gjitha organet që ke pasur në këtë botë. Do të të jepet dhe kujtesa dhe do të kujtosh gjithçka që ke vepruar në këtë botë, përveç atyre gjynaheve që t’i ka falur Zoti dhe t’i ka fshirë. Edhe pse ti i ke vepruar dhe ke vuajtur nga këto gjynahe, nuk i kujton tashmë, pasi të janë fshirë nga regjistri i veprave dhe gjithashtu të janë fshirë nga kujtesa jote. Një fshirje e tillë e gjynaheve, mund të ndodhë për shkak se ti e arrite natën e Kadrit, e adhurove Zotin dhe Ai t’i fali gjynahet.

Ashtu siç është Nata e Kadrit, natë e faljes dhe fshirjes së gjynaheve, është dhe Dita e Arafatit. Fudejl ibn Ajjad, në këtë ditë e luste Zotin me përkushtim që ta falë dhe t’ia fshijë gjynahet. Është zakon që me të ardhur mbrëmja e asaj dite, njeriu të gëzohet pasi shpreson në faljen dhe mëshirën e Zotit. Kurse Fudejl ibn Ajjad me të ardhur mbrëmja filloi të qajë. Kur e pyetën mbi shkakun, ai u tha:”Më vjen turp nga Zoti për ato gjynahe që kam vepruar, edhe nëse mi ka falur dhe mi ka fshirë Zoti.”
Padyshim që të arrish një gradë të tillë, ku të falen dhe të fshihen gjynahet sado të rënda të kenë qenë, ka si kusht kryesor pendimin nga këto gjynahe.

Beduinët e shkretëtirës, kur caktojnë vendin ku do të ngrehin çadrat e tyre për një periudhë kohe, bëjnë disa gërmime, kalale dhe gropa, për sistemimin e çadrave dhe mallrave. Kur vjen koha për t’u larguar drejt një vendi të ri, ata nuk i mbushin gropat dhe nuk i sheshojnë kodrat e dheut, por i lënë ashtu siçjanë. Po të vish në të njëjtin vend pas një viti, do të shohësh se të gjithë gropat dhe kodrat janë sheshuar nga rëra e shkretëtirës. Në të njëjtën mënyrë, Zoti i fshin gjynahet dhe të metat e robërve të Tij të mirë. Ashtu siçvë në lëvizje erërat, të cilat mbushin gropat e hapura nga beduinët, ashtu Zoti fshin dhe mbulon të metat e robërve të Tij.

Diçka tjetër e veçantë e emrit El-afuv-vu është se Ai jo vetëm që t’i fal dhe t’i fshin gjynahet, por është dhe i kënaqur me ty.
Një shembull tjetër për të kuptuar ndryshimin e emrit El-afuv-vu dhe Elgaffaru, është se Ditën e Kijametit, do të vijë një besimtar dhe do të paraqitet para Zotit. Me tu afruar pranë, Zoti do lëshojë një perde, me qëllim që njerëzit e tjerë të mos e dëgjojnë bisedën mes Tij dhe robit të Tij. Zoti do e pyesë robin:”A e kujton filan gjynahu? Po filan gjynahu?....” Njeriu do përgjigjet me "Po” për çdo pyetje, derisa të mendojë se është nga të humburit me gjithë gjynahet e përmendura. Por në fund, Zoti do i thotë:”Unë t’i mbulova këto gjynahe në dynja dhe unë t’i mbuloj dhe t’i fal ato në këtë botë. Një falje e tillë ka të bëjë me emrin Elgaffaru. Kurse do të ketë njerëz të tjerë që Zoti do u thotë:”O filan, Unë jam i kënaqur me veprat e tua në dynja, prandaj shko dhe hyr në xhenetin që kam përgatitur për ty.” Cilën prej këtyre do të zgjedhësh ti o vëlla?

El-Gafuru, mund të t’i falë gjynahet, por nuk është i kënaqur me ty. Kurse El-afuv-vu, t’i fal gjynahet, t’i fshin ato dhe është i kënaqur me ty. Është njëlloj si një gotë e cila është e papastër dhe e palarë. Ti e merr, e lan mirë dhe e mbush me mjalt ose diçka të ëmbël. E gjitha kjo, pasi ti o njeri je krijesa më e dashur tek Zoti. Ai e krijoi xhenetin, për kënaqësinë dhe lumturinë tënde. Zoti e krijoi tokën dhe gjithçka në të, e nënshtroi për dobitë e njeriut. Si është e mundur që Zoti të don, kurse ti o njeri largohesh prej Tij?! Si është e mundur që Zoti kërkon miqësinë tënde, kursi ti i kthen shpinën?! Si është e mundur që Ai të fal dhe t’i fshin gjynahet, kurse ti nuk e adhuron dhe nuk i bindesh?!

Sufjan Eltheuri, thotë:”Lutja më e pëlqyeshme për mua natën e Kadrit, është ajo me të cilën na porosit i dërguari i Zotit. Gjatë gjithë kësaj nate, unë përsëris lutjen:”O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”
Sulejman Eldarimij, thotë:”Nëse Zoti do më pyesë mbi gjynahet e mia Ditën e Kijametit, unë do i kërkoj faljen dhe mëshirën e Tij. Kjo, pasi nuk kam rrugë tjetër, përveçse t’i kërkoj faljen.”

Ç’lidhje ka ky emër, me natën e Kadrit?
Para se të flasim mbi lidhjet e këtij emri, me natën e Kadrit, le të flasim mbi lidhjet që ka ky emër, me emrin e Zotit El-Tevvab (Pranues i pendimit).

çdo njëri prej nesh bën gabime dhe gjynahe. Besimtari dhe njeriu i mirë, sa herë që vepron gjynahe, pendohet dhe i kërkon Zotit falje. Ajo që ndodh, është se sa më shumë të veprosh gjynahe dhe të pendohesh, fillon të të vijë zor që t’i kërkosh Zotit falje dhe mëshirë për gjynahet. Fillon të krijohet një barrierë dhe pengesë, e cila të bën të të vijë turp që të pendohesh dhe t’i kërkosh Zotit falje. Fillon të krijohet një barrierë mes teje dhe Zotit e cila të bën ta braktisësh pendimin.

Zoti, duke dashur që t’i të pendohesh dhe të kërkosh falje gjithmonë, të bën një dhuratë të shtrenjtë, e cila do i thyejë të gjitha barrierat mes teje dhe Zotit. Kjo dhuratë është nata e Kadrit dhe falja e gjynaheve në këtë natë. Të arrish këtë Natë, do të thotë që të të fshihen të gjithë gjynahet e vepruara më parë dhe të thyhen barrierat që të pengonin të pendoheshe. Kështu emri i Zotit El-afuv-vu të udhëheq sërish drejt emrit El-Tevvab (Pranues i pendimit). Ka njerëz që jetojnë me dhjetëra vite larg Zotit dhe nuk u shkon mendja që të pendohen për gjynahet dhe të fillojnë një faqe dhe jetë të re. Zoti ua mundëson fshirjen e të gjitha gjynaheve, vetëm për një natë, atë të Kadrit. Duke ditur që në këtë natë të falen dhe të fshihen të gjitha gjynahet, udhëzohesh drejt pendimit dhe pendohesh për gjithçka ke vepruar.

Sado të mëdhaja qofshin gjynahet e tua, sado e gjatë të jetë periudha të cilën e ke jetuar të mbushur me gjynahe dhe ke jetuar larg Zotit, nëse Natën e Kadrit e kalon me adhurim, lutje, istigfar, pendim… të gjithë gjynahet të falen dhe të fshihen. Thuaj sa më shumë në këtë Natë:”O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Shumë herë, kur përmenden gjynahet e mëdha në Kuran, përmendet dhe falja e Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Dhe kur i premtuam Musait (ti japim Teuratin) për dyzet netë, ju adhuruat viçin, duke qenë të padrejtë. Më pas ju falëm me qëllim që të falenderoni.” (Bekare 50-51) Pra gjynahu që kishin bërë, kishte nevojë për faljen e Zotit.

”Me të vërtetë që ata që lanë (fushën e betejës) atë ditë kur u takuan dy ushtritë, ishte shejtani ai që i shtyu për shkak të gjynaheve që kishin bërë, por Allahu ua fali atyre gabimin.” (Al Imran 155)
Gjynahet e mëdhaja dhe telashet në të cilat e ke futur veten, kanë nevojë për emrin e Zotit, El-afuv-vu që t’i falë dhe t’i fshijë përgjithmonë.
Edhe nëse je konsumues droge apo alkoli, edhe nëse ke kryer imoralitet… nëse pendohesh, e lut Zotit të të falë, përkushtohesh, thua shpesh:”O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!” të jesh i sigurtë se Zoti t’i fal këto gjynahe, madje i fshin përgjithmonë nga regjistri i veprave, sikur të mos ekzistonin fare.
Thotë Zoti në Kuran:”çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.” (Esh-shura 30)

Një e veçantë tjetër e Natës së Kadrit, është se ajo është nata në të cilën caktohen të mirat dhe fatkeqësitë që do i ndodhin secilit prej nesh, për një vit. Sa gjë e bukur është që në natën që zbulohet për melekët, caktimi i atyre që do të ndodhin në tokë për një vit, të të falen dhe të të fshihen gjynahet e kaluara!

Falja dhe fshirja e gjynaheve të robërve të Zotit, përveçse bëhet nga dashuria e Zotit për njerëzit, bëhet dhe
për një shkak tjetër të rëndësishëm. Duke ditur që njeriu është përgjegjës për mbarëvajtjen e rregullit në tokë, ai ka nevojë për ripërtëritje të besimit, energjive dhe lidhjeve të tij me Zotin. Një njeri që jeton vetëm me gjynahe, është një njeri i lodhur dhe i pa aftë për të kryer këtë rol. Nata e Kadrit është një natë në të cilën umeti musliman, përtërin energjitë e tij për vitin e ardhshëm.

Duke u lutur:” O Zot ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!” ti nuk lutesh vetëm për veten tënde, por lutesh për të gjithë umetin musliman.

Tani le të përmendim disa hadithe kudsij, që flasin mbi faljen e Zotit:
"Çdo ditë deti i kërkon leje Zotit duke i thënë: O Zot, më lejo që ta përmbys njeriun pasi ai ushqehet nga furnizimi Yt dhe falenderon dikë tjetër. Qiejt i thonë: O Zot na lejo që ta shkatërrojmë njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falenderon dikë tjetër. Toka i thotë: O Zot, me lejo që ta përpij njeriun pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falenderon dikë tjetër. Por Zoti u përgjigjet: I lini, pasi dhe ju nëse do i kishit krijuar do ti mëshironit.”

Në një hadith tjetër thuhet:” Kur një rob gjynahqar ngre duart drejt qiellit duke thënë: O Zot, melekët e fshehin zërin e tij. Njeriu e përsërit përsëri dhe melekët ia fshehin përsëri zërin atij... Në herën e katërt, Zoti do thotë: Deri kur do e fshihni zërin e robit Tim? Të përgjigjem o robi Im, Të përgjigjem o robi Im, Të përgjigjem o robi Im.”

" O biri i Ademit, të krijova me dorën Time dhe të dhashë nga mirësitë e Mia, kurse ti kundërshton urdhërat e Mia dhe nuk më bindesh?! Nëse do të kthehesh nga Unë do të të pranoj. Ku do të gjesh zot si Unë, mëshirues dhe mëshirëbërës?”
" O robi im, të nxorra në jetë nga asgjëja. Të pajisa më shikim, dëgjim, zemër dhe mendje. O robi im, Unë të mbuloj (gjynahet) kurse ty nuk të vjen turp prej Meje?! Robi Im, Unë të kujtoj, kurse ti më ke harruar?! Mua më vjen turp prej teje, kurse ty nuk të vjen turp prej Meje. Kush është më bujar se Unë? Kush është ai që ka trokitur në derën Time dhe nuk ia kam hapur? Kush më ka kërkuar dhe nuk i kam dhënë? A koprac jam Unë që njeriu tregohet koprac ndaj Meje?”

Shkoi një njeri tek profeti Muhamed a.s dhe i tha:”O i dërguar i Zotit, unë kam shumë gjynahe. Nëse pendohem dhe i kërkoj falje Zotit, a mundet që të mi falë ato?” Profeti a.s iu përgjigj:”Po!” Burri e pyeti përsëri:”O i dërguar i Zotit, a i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e mia?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Ai i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e tua!” I habitur, burri e pyeti përsëri:”O i dërguar i Zotit, edhe pabesitë dhe poshtërsitë e mia?!” Profeti a.s iu përgjigj përsëri:”Ai i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e tua!” Duke u larguar, burri qante dhe thoshte:”Zoti është më i madhi. Ai fal pabesitë dhe poshtërsitë e mia!”

Shkoi një beduin tek profeti a.s dhe e pyeti: "O i dërguar i Allahut, kush do u kërkojë llogari njerëzve ditën e kijametit?” Profeti a.s ia ktheu: "Zoti”. "Vetë Zoti?” – e pyeti përsëri beduini. "Vetë Zoti” –iu përgjigj profeti a.s. Beduini buzëqeshi kur e dëgjoi këtë. Profeti a.s e pyeti: "Përse buzëqesh o vëlla?” Ai ia ktheu: "O i dërguar i Allahut, Bujari kur ka në dorë diçka fal, dhe kur kërkon llogari përsëri të fal.” Profeti a.s i tha: "Ashtu është, nuk ka kush të jetë më bujar se Allahu.”

Nga falja e Zotit, është se Ditën e Kijametit, do të vijnë fëmijët dhe foshnjat që kanë vdekur të vegjël dhe do u thuhet që të shkojnë në xhenet. Por ata do të refuzojnë që të hyjnë në xhenet pa prindërit e tyre. Atëherë, Zoti do i falë prindërit e tyre dhe do të urdhërojë që të bashkohen dhe të hyjnë në xhenet së bashku. Padyshim që ne qajmë dhe ndjejmë dhimbje kur na vdes një fëmijë, por Zoti këtë dhimbje na e kompenson me faljen dhe mëshirën e Tij Ditën e Kijametit.

Një falje e veçantë do të jetë dhe për umetin musliman, Ditën e Kijametit. Thotë profeti a.s:”Më janë paraqitur kombet që do të vijnë ditën e kijametit. Pashë profetë që kishin me vete vetëm një njeri. Pashë një profet tjetër që kishte vetëm dy burra pas. Pashë profetë të tjerë që me vete kishin një grup njerëzish. Më pas mu paraqit para syve dicka e zezë (koka njerëzish) shumë e madhe. Unë thashë:”Umeti im, umeti im.” Por dikush më tha:”Jo, ky është Musai me popullin e tij, por shiko në horizontin tjetër.” Pashë dhe gjeta njerëz më shumë. Atëherë më thanë:”Ky është umeti yt. Me ta janë 70.000 që do të hyjnë në xhenet pa llogari dhe pa u ndëshkuar.” Unë i kërkova Zotit që ti shtojë dhe Zoti i shtoi me çdo një mijë, 70.000 të tjerë.”
Një falje tjetër në Ditën e Kijametit, do të jetë dhe për ata njerëz që për shkak të gjynaheve, do të hyjnë në zjarr. Thotë profeti a.s:" Do të hyjnë besimtarët në xhenet, por do të ketë njerëz nga umeti im që do të jenë në zjarr. Atëherë do të thërras: "O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do më thotë: "O Muhamed, shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur besim sa një kokër elbi.” Do të shkoj, do i nxjerr dhe përsëri do të thërras: "O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do të më thotë: "O Muhamed, shko dhe nxirre nga zjarri kë ka pasur besim sa një thjerrëz.” Do të shkoj, do i nxjerr dhe përsëri do të shkoj poshtë Arshit dhe do të thërras: "O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do të më thotë: "O Muhamed shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur sa një atom besim.” Do të shkoj dhe do të nxjerr shumë prej tyre, por do të mbeten dhe shumë prej umetit tim në zjarr të cilët nuk kanë pasur besim as sa një atom, por do më vijë zor që të shkoj dhe ti këkoj Zotit më shumë. Atëherë Zoti do të thotë: "Ndërmjetësuan profetët, ndërmjetësuan melekët, ndërmjetësoi i dashuri Im Muhamedi. Tani nuk ka mbetur veçse Mëshiruesi i mëshiruesve. I kam falur të gjithë ata që kanë mbetur në zjarr nga umeti i Muhamedit. " Do vendosë Zoti dorën e tij në zjarr dhe do të nxjerrë kë ka mbetur aty nga umeti i Muhamedit, të cilët kanë thënë qoftë dhe një herë la ilahe il-la llah, muhamed resulu llah. Kur të dalin nga zjarri, do të dalin me trupin si qymyri. Do të lahen në një lum i cili quhet lumi i jetës dhe do të duken sikur mbijnë nga toka. Më pas do u thuhet: "Shkoni dhe hyni në xhenet.” Në ballin e tyre do të jetë e shkruar” Këta janë të shpëtuarit e Zotit nga zjarri”. Kur të hyjnë në xhenet, banorët e xhenetit do u thonë: "Këto janë xhehnemlinjtë që kanë dalë nga zjarri.” Por Zoti do u thotë: "Nuk janë xhehnemlinj, por janë të shpëtuarit e Mëshiruesit.”

Si ta përjetojmë këtë emër në jetën tonë?
Këshilla dhe më e rëndësishme është; Fali njerëzit me qëllim që të të falë Zoti ty dhe të t’i fshijë gjynahet dhe të metat.
Ai njeri që i është bërë padrejtësi nga ortaku, le të falë! Ajo grua të cilën e ka shkurorëzuar burri pa të drejtë dhe është sjellë keq me të, le të falë!

Profeti a.s në një hadith thotë:"Dy njerëz nga umeti im, do të vijnë ditën e kijametit dhe do të gjunjëzohen para Arshit. Njëri prej tyre do thotë: "O Zot, merrma hakun nga ky që më ka bërë padrejtësi!” Zoti do i thotë tjetrit: "Jepja hakun!” Por ai do i përgjigjet: "O Zot, më janë mbaruar të mirat e mia.” Zoti do i thotë të parit: "I janë mbaruar të mirat.” "O Zot, - do i thotë i pari- merr nga të këqiat e mia dhe hidhja atij!” Por Zoti do i thotë: "A nuk do të dëshiroje diçka më të mirë?” "Çfarë është ajo o Zot?” – do pyesë ai. "Ngrije kokën dhe shiko!” – do i thotë Zoti. Do e ngrejë kokën dhe do të shohë një pallat prej diamanti dhe floriri, gjë që nuk kish parë të tillë më parë.
I habitur do e pyesë Zotin: "I kujt shehid është ky o Zot?” Zoti do i përgjigjet: "Është i atij që mundet ta paguajë çmimin e tij.” Njeriu do e pyesë: "Po kush mundet ta paguajë çmimin e tij o Zot?” "Ti "– do i thotë Zoti. "Po si o Zot-" do e pyesë njeriu?
"Duke e falur vëllanë tënd”- do i përgjigjet Zoti. "E kam falur o Zot, e kam falur” – do të thotë njeriu.
Zoti do i thotë: "Merre vëllanë tënd dhe hyni së bashku në xhenet!”
Vajza e Ebu Bekrit dhe gruaja e profetit Muhamed a.s, u akuzua padrejtësisht për çështje nderi. Ai që ndikoi në përhapjen e kësaj akuze, ishte vetë djali i dajës së Aishes, Mustah ibn Esaseh. Ebu Bekri, i jepte Mustah ibn Esases një rrogë mujore, pasi ai rridhte nga një familje e varfër. Pasi u vërtetua pafajsia e Aishes, Ebu Bekri thotë:”Për Zotin, nuk do e ndihmoj më Mustah ibn Esasen. Ai nuk e merriton diçka të tillë.” Por atë ditë u shpall verseti i Kuranit që thotë:"Të mos betohen të pasurit nga mesi juaj, se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Zotit lanë vendlindjet e tyre. Por le t’i falin dhe t’a kalojnë këtë. A nuk dëshironi që Zoti t’ju falë dhe juve?” (Nur 22)
Ebu Bekri kur e dëgjoi këtë verset tha:”Sigurisht, unë dua të më falë Zoti” dhe vazhdoi ta ndihmojë Mustah.
Nëse je grindur me vëllanë, djalin e xhaxhait… harroji grindjet, zënkat dhe fjalët dhe natën e Kadrit, pajtohu me to. Mos prano të të zërë gjumi në këtë natë, pa folur me ata që nuk flisje më parë. Nëse ndodheni larg njëri-tjetrit dhe vizita është e pamundur, merre në telefon.
Natën e Kadrit, Umer ibnul Hattabi qëndroi në mes të njerëzve në xhami dhe u tha:”O njerëz! Në këtë Natë, unë i kam falur të gjithë ata që më kanë bërë padrejtësi dhe nuk do i mbaj inat askujt.” Më pas ngrinte duart lart dhe thoshte:”O Zot! Unë fala, tani më fal Ti mua!”
Fali në këtë Natë të madhe të gjithë ata që të kanë bërë padrejtësi o vëlla dhe o motër! Fali që të të falë Zoti dhe të fitosh xhenetin.
”O Zot Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!
 
 
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (01/06/2010)
Klikime: 833 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2025