Pyetja:
Kam dy pyetje për ju i nderuar. Pyetja e parë është si vijon: 1. A prishet namazi në rast se të dalin gazra pa dashje, pasi unë kam problem që kur jam operuar nga hemorroidet dhe nganjëherë kam problem që të kontrolloj veten. 2. Si të veproj në rast se një i afërm i familjes të shan Allahun, edhe pse e quan veten musliman? A bën që me këtë njeri të kesh kontakt?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
1. Nga gjërat të cilat e prishin abdesin është dalja e gazrave, edhe nëse kjo ndodh pa dashje. Prandaj, nëse ndodh kjo në namaz, atëherë edhe namazi prishet dhe detyrohemi që të marrim abdest dhe ta falim namazin nga fillimi. Kjo është kështu në raste të zakonshme, kur nuk jemi të sëmurë dhe nuk kemi probleme me gazrat. Në rastin tuaj (me sa kuptuam, ju vuani nga sëmundja), nëse e keni këtë problem dhe ju ndodh shpesh pa dashje, atëherë jeni i arsyetuar dhe personat e këtillë në terminologjinë e fikhut quhen “sahibu udhër”, “person i cili është i arsyetuar”. Me fjalë të tjera, themi se nëse problemi i daljes së gazrave te ju është i shpeshtë dhe nuk keni mundësi ta kontrolloni veten në këtë kohë pas operimit, atëherë nga ju kërkohet të merrni abdest në fillim të hyrjes së çdo kohe të namazit dhe me atë abdest mund të falni namazin. Ju konsideroheni se keni abdest derisa të kalojë koha e atij namazi, edhe nëse nuk arrini t’i mbani gazrat. Por nëse dalja e gazrave është e rrallë dhe kjo nuk ju shkakton problem, vetëm se nganjëherë, atëherë kur ju ndodh kjo, obligoheni të merrni abdest pas kësaj. Allahu e di më së miri!
2. Kontakti me njerëzit të cilët fyejnë Allahun apo tallen me fenë e Tij dallon nga situatat dhe rrethanat. Duke mos u zgjeruar, themi se nëse kontakti me këtë person nga ana juaj mund të ndikojë që ai të vetëdijesohet dhe të përmirësohet. kështu që kur ai e bën këtë në prezencën tuaj, ju e këshilloni, e ndaloni dhe ai me ju bëhet më i kujdesshëm, atëherë nga ju kërkohet që të vazhdoni kontaktin dhe të mundoheni të ndikoni me forma të ndryshme që ai të përmirësohet. Por nëse takimi juaj me të nuk ndikon në përmirësimin e tij apo shkaktohet e kundërta, që ai të mbajë inat dhe me qëllim të ofendimit tënd i thotë këto gjëra, atëherë për ju është më mirë të largoheni nga ai. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|